Operatori gjerman i tregut të gazit paralajmëron për mungesa rajonale në dimër
2022-08-25 16:09:57

Foto:VCG

Gjermania mund të përballet me mungesa rajonale të gazit në dimër pasi furnizimet me gaz nga Rusia për ekonominë më të madhe të Evropës janë reduktuar shumë, sipas operatorit të tregut të gazit të vendit.

Edhe pse nuk pritet një mungesë gazi në nivel kombëtar, jo të gjitha objektet e depozitimit të gazit mund të mbusheshin, duke çuar në pengesa lokale, citon “Xinhua”. “Fatkeqësisht, kjo nuk mund të përjashtohet”, - tha Torsten Frank, drejtor menaxhues i “Trading Hub Europe” (THE), për “Rheinische Post” të martën.

Por Frank tha gjithashtu se qytetarët gjermanë nuk do të preken pasi vendi po bën "përparim të mirë" drejt qëllimit të tij të përgjithshëm për ruajtjen e gazit deri në nëntor. "Unë jam shumë i sigurt se familjet nuk do të duhet të ngrijnë këtë dimër",- tha ai.

Objektet e depozitimit të gazit aktualisht janë të mbushura 80 për qind, sipas të dhënave më të fundit nga Agjencia Federale e Rrjetit (BNetzA). Disa objekte janë ende prapa objektivit prej 95 %. Magazinimi më i madh i vendit në Rehden, për shembull, është vetëm në 61 për qind të kapacitetit.

Në fund të korrikut, furnizimet me gaz nga Rusia në Gjermani nëpërmjet tubacionit “Nord Stream 1” u reduktuan më tej në 20 për qind. Pas një mirëmbajtjeje rutinë të një turbine, pjesa nuk është kthyer për çështje dokumentesh dhe mbetet në një fabrikë të “Siemens” deri sot.

Çmimet e gazit në Evropë ndërkohë janë pothuajse tri herë më të larta se para fillimit të konfliktit Rusi-Ukrainë. (Elona)