Mjete ndihmëse për 32 persona me aftësi të kufizuara
2022-08-25 17:09:54

Foto: UNDP Albania

32 persona me aftësi të kufizuara, janë pajisur me deambulatorë, paterica, bastunë dhe mjete të tjera të teknologjive ndihmëse në zbatim të projektit “Askush të mos mbetet pas”. 

Projekti, që ka në fokus fuqizimin e personave me aftësi të kufizuar, zbatohet nga institucionet e linjës në partneritet me organizatat e shoqërisë civile dhe PNUD Albania.

Në faqen zyrtare në Facebook, PNUD Albania bën të ditur se ofrimi i shërbimit të specializuar dhe fuqizimi e zgjerimi i rrjetit të referimit dhe të vlerësimit, po zgjerohet për këtë komunitet në kuadrin e Programit të përbashkët të UNDP Albania “Leave no one Behind/Askush të mos mbetet pas” i cili mbështetet nga qeveria shqiptare dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Qëllimi i këtij partneriteti është që personat me aftësi të kufizuara të flasin për të drejtat e tyre dhe të angazhohen në mënyrë të vazhdueshme në procese vendimmarrëse, të cilat ndikojnë në akses më të mirë në shërbime cilësore, si për veten, ashtu edhe për anëtarët e familjeve të tyre.(Elona)