Vendosja në përdorim e linjës së trenave të shpejtësisë së lartë nga kryeqyteti kinez, Pekin për në Guangzhou, në fund të dhjetorit, u prit me entuziazëm në vend dhe në të njëjtën kohë tërhoqi vëmendjen e mediave botërore. Pavarësisht se rezultatet e ndikimit të kësaj linje te rritja ekonomike dhe turizmi ende pritet të shihen, efektet sociale të çmimeve të biletave po diskutohen në mbarë Kinën. Shumë njerëz, duke përdorur edhe rrjetet e ndryshme sociale, si Weibo kanë shtruar pyetjen se pse biletat janë kaq të shtrenjta.
Ekspertët shpjegojnë se kjo vjen si pasojë e shpenzimeve të larta për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e linjës së trenave të shpejtësisë së lartë. Është e vërtetë se tashme me këto trena mund të udhëtosh shumë më shpejt nga Pekini për në Guangzhou, por çështja që diskutohet tani janë çmimet e biletave.
Linja e trenave të shpejtësisë së lartë, është e gjatë 2298 kilometra dhe lidh pesë qendra të rajoneve ekonomike të vendit, përfshirë Pekinin, Zhengzhoun, Wuhanin, Changshan dhe Guangzhoun. Për shkak të shpejtësisë së lartë, koha e udhëtimit nga kryeqyteti kinez për në Guangzhou është reduktuar në tetë orë, nga mbi 20 që ishte në të kaluarën, kur linjën e mbulonin trenat e zakonshëm.
Por shumë persona janë ankuar se çmimet e biletave për trenat e shpejtësisë së lartë janë shumë të shtrenjta. Çmimi më i lartë nga Pekini në Guangzhou për një biletë në klasin e biznesit shkon deri në 2000 juanë (317 dollarë amerikanë), pothuajse e njëjtë me çmimin që mund të paguash për një biletë avioni për të njëjtin itinerar.
Shumë njerëz parashtruan pyetjen se cilët janë faktorët për vendosjen e çmimit të biletave të trenave të shpejtësisë së lartë, kostoja e mirëmbatjes apo mundësia blerëse e udhëtarëve. Prandaj publiku ka kërkuar shpjegime për arsyet e çmimeve të larta.
Zhao Jian, profesor në Universitetin e Pekinit, Jiaotong shpjegon se kostoja e hekurudhës së trenave të shpejtësisë së lartë përfshin ndërtimin dhe mirëmbajtjen e saj gjatë kohës kur trenat operojnë. Sipas tij, standardet teknologjike të trenave të shpejtësisë së lartë janë shumë të lartë dhe si pasojë edhe kostoja e ndërtimit dhe mirëmbajtjes, është e lartë. Ai pranon se çmimet e biletave për këto trena janë të larta.
Zhao Jian beson se linja e trenave të shpejtësisë së lartë Pekin-Guangzhou do të shënojë humbje, pasi të gjitha linjat e tjera të ngjashme janë pothuajse në këtë situatë.
Kostoja vjetore për funksionimin dhe mirëmbajtjen e trenave Pekin-Tianjin llogaritet në 1.8 miliardë juanë, që nga 2008-a kur linja u vu në përdorim. U shënuan humbje prej 700 milionë juanë gjatë vitit të parë të funksionimit. Pas vitit të dytë, linja e shpejtësisë së lartë arriti të vendoste balancat e kostos së investimit dhe mirëmbajtjes. Ndërsa linja tjetër e shpejtësisë së lartë Pekin-Shanghai parashikohet që të mos shënojë fitime deri në 2014-ën.
Profesori Zhao Jian parashikon se linja Pekin-Guangzhou do të shënojë humbje prej 700 milionë juanësh në bazë vjetore. Në të njëjtën kohë, zyrtarët përgjegjës për linjat e tjera të shpejtësisë së lartë, si Pekin-Tianjin dhe Pekin-Shanghai kanë njoftuar se do të ulin shpejtësinë e trenave për të mundësuar uljen e çmimit të biletave, për të qënë më të përballueshme për udhëtarët.