Zgjedhjet presidenciale në Rusi; pritet fitorja e Putinit
Më 4 mars, do të zhvillohen zgjedhjet presidenciale të Rusisë. Kryeministri i tanishëm Vladimir Putin dhe 4 kandidatë të tjerë do të konkurrojnë në garën për postin e kreut të shtetit rus. Mediat dhe analistët janë të mendimit se nëpërmjet rezultateve të dukshme të qeverisjes gjatë 12 vjetëve, zgjedhja e Putinit si president, është e sigurtë.
Sipas një ankete të fundit, në raundin e parë të votimit, Putini do të fitojë 58% deri 66% të votave që do të thotë se ai do të fitojë zgjedhjet që në raundin e parë të votimit. Në krahasim me Putinin, kandidatë të tjerë përfaqësojnë vetëm interesat e pak shtresave e grupeve shoqërore që nuk përputhen me kërkesat e Rusisë së sotme, prandaj kanë vështirësi të fitojnë përkrahjen e shumë zgjedhësve, shprehen analistët.
Pas shpalljes nga Putini të kandidaturës për zgjedhjet presidenciale në shtator të vitit të kaluar, disa vende perëndimore kanë përkrahur hapur aktivitetet e opozitës ruse, kundër Putinit. Disa politikanë e media perëndimore dënojnë në mënyrë të vazhdueshme qëndrimin e Putinit për çështjet e sistemit politik, të demokracisë, strategjinë e antiraketave, etj.
Në Rusi, u zhvilluan në vazhimësi protesta anti-Putin dhe pati edhe njoftime për organizimin e një atentati ndaj Putinit etj. Megjithatë, aktivitetet e kundërshtarëve nuk mund të pengojnë ngritjen e përkrahjes ndaj Putinit në Rusi. Deri tani, përqindja e përkrahjes për Putinin është rritur në 53%.
Sipas dokumentit në Internet me titull: "10 vitet e Putinit", nga viti 2000 deri në vitin 2010, të ardhurat mesatare për frymë në Rusi u shtuan 11 herë, pensioni u rrit 15 herë. Prandaj shumë vizitorë rusë të Internetit u shprehën se vetëm Putini njeh kërkesat e Rusisë dhe ai është simboli i qëndrueshmërisë së Rusisë, prandaj duhet votuar sërish në postin e presidentit.
Sipas parashikimeve dhe duke marrë parasysh situatën aktuale, është e sigurtë që Putini do të fitojë zgjedhjet presidenciale. Edhe shumë politkanë evropianë janë të mendimit se kthimi i Putinit në postin e presidentit do të nxisë fuqizimin e mëtejshëm të Rusisë dhe detyrat kryesore të tij pas zgjedhjeve janë përmirësimi i strukturës ekonomike për të realizuar modernizimin e Rusisë. (Fani/ Ardi Pulaj)