Historia globale e pandemive

2020-03-08 08:15:55 CRI Komenti juaj Printoni

Kontinenti i vjetër dhe ai i ri

Në kapitullin e tretë të librit "Guns, Germs, and Steel", profesori Diamond shënon një ngjarje epokale: më 16 nëntor 1532, në Kahamarka të Perusë, kolonizatori spanjoll Francisco Pizarro, në krye të 168 ushtarëve evropianë, mundi dhjetë mijëra trupa të Perandorisë Inkase dhe kapi perandorin Atahualpa. Një vit më vonë, tërë Peruja u mposht nga Pizarro. Kështu Spanja, vendi i "kontinentit të vjetër", filloi të krijonte perandorinë kolosale koloniale në "kontinentin e ri" të Amerikës Qendrore dhe Jugore. Fitorja e spanjollëve erdhi jo vetëm nëpërmjet shpatave, heshtave, përkrenareve dhe kuajve më cilësorë, por edhe një arme të fshehtë: epidemisë.

Në shkencën e mjedisit, kjo quhet edhe "Shkëmbimi kolombian", term ky që u përdor për herë të parë nga historiani amerikan Alfred W. Crosby. Ai vuri në dukje se, me mbërritjen në Amerikë të eksploratorëve evropianë, të përfaqësuar nga Kristofor Kolombi, në shekujt 15-të e 16-të, bimët me origjinë nga "kontinenti i ri" si patatja, domatja, duhani etj. filluan të hynin në kontinentin evropian. Si këmbim, evropianët çuan oriz, agrume, rrush dhe kafshë shtëpiake në Amerikë.

Si efekt anësor i "shkëmbimit", evropianët u sollën amerikanëve edhe viruse e mikrobe të panjohura, të cilat shkaktuan fatkeqësi vdekjeprurëse në kontinentin e ri. Nga viti 1492 deri në mesin e shekullit të 17-të, 90 % të banorëve vendës të Amerikës vdiqën nga "Epidemia e tokës së virgjër", siç u quajt nga Crosby.

Në vitin1612, evropianët që mbërritën në Amerikën e Veriut kaluan për herë të parë Ditën e Falënderimeve së bashku me banorët vendës. Gjatë shekujve 15-17, 90 % të banorëve vendës të Amerikës vdiqën nga "Epidemia e tokës së virgjër".

Por evropianët pësuan hakmarrje shumë shpejt. Gjatë viteve nga 1816 deri më 1826, në Bangladesh e Gadishullin e Indokinës të kontrolluar nga Kompania e Indisë Lindore, në Afrikën Lindore dhe në Kaukazin e Jashtëm, shpërtheu pandemia e parë e kolerës, që shkaktoi mbi 100 mijë të vdekur. Në vitin 1831, kur anijet tregtare me vibrio kolere nga India arrinin në porte kryesore evropiane, kolera shkaktoi 600 mijë të vdekur në Rusinë cariste, Perandorinë Austro-Hungareze, Britani, Francë dhe Egjipt. Duke ndjekur linjën e lundrimit të Paqësorit Verior, vibriot e kolerës sulmuan edhe Kanadanë dhe ShBA-në, dy shtete të krijuara në tokën e marrë nga indianët.

Nga shekulli i 19-të deri në vitet '70 të shekullit të 20-të, në mbarë globin shpërthyen 7 pandemi kolere dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve i kaloi 50 milionët. Nga Jugu i Afrikës së nxehtë deri në rrethin e Arktikut të akullt, në botën tonë nuk ekziston më një copë toke e pastër jashtë pandemive. Vibriot e kolerës janë bërë patogjenet epidemike që kanë shpërthyer më shpesh dhe kanë shkaktuar më shumë viktima në shekullin e 19-të në mbarë botën.

Është i dukshëm roli i përshpejtimit të globalizimit në shfaqjen e pandemive. Banorët e "kontinentit të vjetër" fituan metale të çmuara, sipërfaqe të gjera toke dhe tregje mallrash, por ata nuk mund të pengonin hyrjen e "Epidemisë së tokës së virgjër" nga Azia e Amerika në Evropë. Përmirësimi i kushteve të transportit ka shtuar edhe rastet e grumbullimit masiv, gjë që është në favor të përhapjes së epidemive. Në tërë shekullin e 19-të, të paktën dy shpërthime të kolerës ndodhën në anijet e myslimanëve të nisur për pelegrinazh në Mekë. Kjo ishte e pamundshme në Mesjetë, kur udhëtimet e gjata nuk realizoheshin lehtë. Ndërkohë, koha e transmetimit të viruseve e mikrobeve nga Azia Jugore në Evropën Perëndimore u shkurtua nga disa muaj në disa javë.

McNiell e quan këtë dukuri si "ekuilibri i parazitizmit". Ashtu si qytetërimi greko-roman është "parazit" i drithërave dhe kafshëve nga Afrika e Veriut, gjatë industrializmit të dytë dhe procesit të urbanizimit të Evropës, "kontinenti i vjetër" ishte i varur shumë nga tregtia e jashtme. Sa më e përparuar industria e vendeve evropiane, aq më e dukshme mbështetja e tyre te materialet e importuara dhe aq më e lirshme rruga e hyrjes së viruseve e mikrobeve në Evropë.

1 2 3 4 5
Mrekulli
Lajmet Kryesore