Britania do të përdorë remdesivirin për mjekimin e COVID-19

2020-05-27 11:58:14 CRI Komenti juaj Printoni

Ministri britanik i Shëndetësisë ka thënë se ilaçi antiviral remdesivir do të përdoret tek të sëmurët me COVID-19 që kanë më shumë të ngjarë të përfitojnë prej tij.

Matt Hancock shtoi se të dhënat e hershme nga studimet klinike në tërë botën tregojnë se ilaçi mund të shkurtojë kohën e shërimit të të sëmurëve me katër ditë.

"Ne do t'i japim përparësi përdorimit të këtij trajtimi aty ku ai sjell përfitim më të madh. Ky është ndoshta hapi më i madh përpara në trajtimin e koronavirusit që prej fillimit të krizës. Këta janë hapa shumë të hershëm, por ne jemi të vendosur të mbështetim shkencën dhe projektet premtuese", theksoi ministri i Shëndetësisë i Britanisë.

Kompania prodhuese "Gilead Sciences" thotë se pret rezultate nga studimi që po kryen lidhur me ndikimin e remdesivirit tek të sëmurët me COVID-19 në gjendje jo të rëndë deri në fund të muajit.

Javën e kaluar, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë i ShBA-së shpalli ​​rezultatet e provës së vet me remdesivirin.

Të dhënat treguan se ilaçi ka rezultate më të mira tek të sëmurët me COVID-19 që kanë nevojë për oksigjen shtesë, po jo për ventilim.

Studiuesit gjithashtu vunë re një shkallë të lartë të vdekshmërisë, pavarësisht përdorimit të remdesivirit.

Ata arritën në përfundimin se ilaçi mund të jetë më efektiv kur përdoret bashkë me trajtime të tjera.

Mrekulli
Lajmet Kryesore