Historia globale e pandemive

2020-03-08 08:15:55 CRI Komenti juaj Printoni

Që nga kohët e largëta të Dhiatës së Vjetër deri më sot, historia e pandemive është pothuajse e gjatë sa historia e njeriut. Çdo shpërthim masiv pothuajse ka të bëjë me urbanizimin dhe veçanërisht me "problemet e vogla" gjatë globalizimit. Në shekullin e 21-të, denduria e pandemive vdekjeprurëse ka qenë në rritje, gjë që na detyron të rishikojmë të metat në raundin e fundit të urbanizimit dhe t'u hedhim një sy mësimeve nga historia.

Loja në celular "Plague Inc." (Kompania Murtajë)

Pandemia në përfytyrime

Në romanin e botuar në vitin 1998 "Ylberi Gjashtë", shkrimtari amerikan Tom Clancy përfytyron një skenar të tillë: në ceremoninë e hapjes të Lojërave Olimpike të Sidneit 2000, terroristët mjedisorë, duke shfrytëzuar sistemin e ajrimit, ua ngjitën virusin e ebolës qindra mijë shikuesve. Kur epidemia u përhap në mbarë botën, kompania farmaceutike e kontrolluar nga terroristët shpejtoi përhapjen e virusit nëpërmjet vaksinave false. Në fund, pjesa dërrmuese e popullsisë së Tokës vdiq.

Në filmin hollivudian "Contagion" (2011), fokusi përqendrohet në sistemin e shëndetit publik të ShBA-së, si dhe në gjendjen e zymtë të njerëzimit përballë virusit vdekjeprurës.

Posteri i filmit "Contagion"

Në vitin 2012, studioja e lojërave elektronike "Ndemic" publikoi lojën në celular "Plague Inc." (Kompania Murtajë). Qysh nga ajo kohë, kjo lojë ka qenë shumë e pëlqyer gjatë çdo pandemie globale. Kësaj here, gjatë epidemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), "Ndemic" gjithashtu shtoi linkun me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, për t'i orientuar lojtarët ta njohin koronavirusin në realitet.

"Pandemi" është termi i përgjithshëm për një sërë epidemish që përhapen në një sferë të gjerë gjeografike. Sipas standardit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pandemia duhet të plotësojë njëkohësisht tre kushte: numri i të prekurve të ketë një rritje eksponenciale brenda një kohe të shkurtër (karakteri epidemik); të ekzistojnë simptoma ngjitëse (karakteri ngjitës); sfera e përhapjes të mos kufizohet vetëm brenda një vendi a rajoni. Ish-këshilltari i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë Keiji Fukuda e përgjithësoi pandeminë si "shpërthim global, që do të thotë se, me përhapjen e patogjeneve, shfaqen edhe sëmundje të tjera krahas virusit." Sipas këtij standardi, mund të përjashtohen nga lista e pandemisë gripi stinor, kanceri, si dhe viktimat e shkaktuara nga armët kimike taktike. Në të kundërt, është një gjë shumë e vështirë që të paraqiten patogjenet që shkaktojnë pandeminë, sepse pjesa dërrmuese e epidemive shkaktohen nga viruset, por në çdo metër kub në Tokë ekzistojnë 800 milionë viruse, të cilat nuk ndërpresin kopjimin dhe ndryshimin. Një kompleksitet i tillë nënkupton se njerëzimi e ka të vështirë të prodhojë ndonjë vaksinë si antibiotikët me spektër të gjerë, që të asgjësojë patogjenet epidemike para shpërthimit.

Por rastet pandemike në histori prapëseprapë mund të shërbejnë në njëfarë mënyre si referencë. Pjesa më e madhe e tyre kanë ndodhur gjatë 5 mijë vjetëve të fundit dhe sfera e prekjes e numri i të vdekurve kanë lidhje të drejtpërdrejtë me konsolidimin e transportit në largësi. Nga analiza e mëtejshme mund të zbulohet se pandemia mund të konsiderohet si dukuri e papritur anësore e urbanizimit dhe globalizimit. Çdo përhapje e epidemisë zbulon të metat në sektorin mjekësor dhe kushtet shëndetësore të ndonjë qyteti, madje edhe në sistemin e shëndetit publik të një vendi.

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, pandemia ka hyrë në një periudhë aktive dhe mësimet e historisë nuk janë të largëta për ne. Me gjithë përmirësimin e mjekësisë, njerëzimi nuk mund të mos mbajë parasysh raundin tjetër të sfidave, jo vetëm në përfytyrimet e romaneve, filmave dhe lojërave elektronike.

1 2 3 4 5
Mrekulli
Lajmet Kryesore