Historia globale e pandemive

2020-03-08 08:15:55 CRI Komenti juaj Printoni

"Shekulli i gripit"

Gjatë historisë së gjatë të kundërvënies së njerëzimit me epideminë, nuk ka pasur asnjë moment tjetër ashtu si fillimi i shekullit të 20-të, i mbushur plot me optimizëm. Pavarësisht nga kolera në Afrikën Veriore, Lindjen e Mesme dhe në Evropën Lindore, e murtaja bubonike në Bregun Perëndimor të ShBA-së dhe në Verilindjen e Kinës, publiku në Evropën Perëndimore kishte më shumë besim se kurdoherë për rezistencën kundër sulmit të pandemive.

Përhapja e vaksinave ka ulur me efikasitet vdekshmërinë foshnjore në qytete. Ndërkohë, shpërthimi i epidemisë në një rajon konsiderohet si sinonim i prapambetjes.

Ky besim vjen në radhë të parë nga prirja e urbanizimit të mbyllur. Në vitin 1900, popullsia e qyteteve në mbarë botën realizoi për herë të parë shtimin e pavarur natyror pa u mbështetur te të ardhurit nga fshati. Në Evropën Perëndimore, qytetet formuan modelin e vet të ekologjisë shoqërore dhe të rritjes së popullsisë. Në përshtatje me këtë ndryshim, qysh nga shekulli i 19-të, vendet e Evropës Perëndimore filluan me radhë rindërtimin e infrastrukturës së qyteteve kryesore, duke përmirësuar mjedisin e jetës së banorëve të thjeshtë, si dhe kushtet e shëndetit publik. Në Ligjin e Shëndetit Publik përcaktohet krijimi i një sërë komitetesh vendore për mbikëqyrjen e burimeve ujore, vendeve të rritjes e therjes së bagëtive, të mjedisit publik etj.

Reforma e standardeve mjekësore dhe shëndetësore, e nisur nga kërkesat ushtarake, ishte tjetër masë me ndikim të thellë për uljen e vdekjeve nga epidemitë. Qeveritë filluan ta pajisin ushtrinë me staf mjekësor dhe të siguronin kushtet higjienike nëpërmjet vaksinimit, prerjes së flokëve në mënyrë kolektive, zhdukjes së insekteve, ndërrimit të rregullt të veshjeve të brendshme dhe të mbulesave. Gjatë Luftës së Krimesë (1853-1856), Britania zbatoi e para sistemin e infermierisë profesionale për uljen e vdekshmërisë së të plagosurve në spitalet e luftës. Deri në Luftën Japono-Ruse (1904-1905), numri i ushtarëve të vdekur nga infektimi i plagëve dhe epidemitë u ul nën 1/4 e numrit të të vdekurve drejtpërdrejt në betejë.

Por një optimizëm i tillë nuk zgjati as për 20 vjet. Në vitin 1918, e gjithë bota ra përsëri në tmerrin e "Gripit spanjoll". Sipas studimit të virologut John Oxford në vitin 1999, në fillim ndonjë virus i sjellë nga zogjtë infektoi shpendët dhe derrat në një kazermë të të plagosurve pranë ngushticës së Kalesë dhe shumë shpejt preku dhe njerëzit. Kaleja ishte një nga portet kryesore të zbritjes së ushtarakëve amerikanë në Francë. Kështu, virusi u përhap shpejt nga Evropa Perëndimore në Amerikën Veriore, Lindjen e Mesme dhe të Afërt, si dhe Azinë Juglindore, dhe shkaktoi në fund 500 milionë të prekur, ose 27 % të popullsisë së globit.

Gjatë shpërthimit të "Gripit të Spanjoll", forcat tokësore amerikane krijuan spitalet e përkohshme karantinore në malin e shtetit Masaçuses, posaçërisht për ofecerë e ushtarë të prekur nga gripi. Një infermiere mbajti maskën, për parandalimin e përhapjen e virusit.

Qysh nga "Murtaja e Athinës", luftërat kishin qenë vatra e pandemive dhe nga kjo nuk bëri përjashtim edhe rasti i viteve 1918-1920. Përkeqësimi i kushteve mjekësore dhe mungesa e ilaçeve i ktheu shpejt kazermat franceze të të plagosurve në frontin e parë të kultivimit të virusit. Kur të plagosurit rëndë u evakuuan në spitalet e prapavijës, bashkë me ta u çua edhe virusi. Gjatë 24 muajve, 400 mijë francezë vdiqën drejtpërdrejt ose tërthorazi nga ky grip dhe në Britani e ShBA numri i të vdekurve arriti përkatësisht në 250 mijë dhe 675 mijë.

Pas 24 muajve, gripi i madh u zhduk papritur, ashtu si erdhi. Asnjë dëshmi nuk vërteton se ai u shërua në mënyrë artificiale. Një pjesë e virologëve janë të mendimit se mutacioni i vetë virusit prodhoi shtamin me vdekshmëri më të ulët dhe përfundoi ciklin e përhapjes në mënyrë natyrore.

Me "Gripin spanjoll" si simbol, gripi zëvendësoi zyrtarisht kolerën e murtajën e zezë dhe u bë kërcënimi nr. 1 i shëndetit publik në shekullin e 20-të. Hijet e tij nuk janë zhdukur edhe në shekullin e 21-të. Gjatë periudhës 2009-2010, gripi H1N1 (gripi i derrit) shkaktoi të paktën 150 të vdekur në mbarë globin.

1 2 3 4 5
Mrekulli
Lajmet Kryesore