20160310lunet.m4a |
Ata qëndrojnë përballë varreve të perandorëve, pallateve, ambasadave dhe restoranteve kineze. Rojet prej guri ruajnë në heshtje prej shekujsh. Luani është një nga simbolet më domethënës që ndeshim në arkitekturën tradicionale kineze edhe pse luanët nuk kanë jetuar në Kinë. Fillimisht në Kinë, luani shihej si një krijesë mitike, por më pas u shndërrua në simbolin e fuqisë dhe të mbrojtjes.
Edhe pse jo indigjen në Kinë, luani aziatik dikur endej në pjesën më të madhe të Azisë Jugore dhe Perëndimore. Tregimet e para u hasën në Kinën e lashtë përmes ndërmjetësve përgjatë Rrugës së Mëndafshit dhe fjala për luanin në kinezisht, shizi (狮子), mendohet se rrjedh nga gjuhët indo-europiane dhe ka ngjashmëri me termin për luanin në persisht, shiar. Kështu mendohet se tregimet e para për luanin u prezantuan në Kinë nga udhëtarët nga Azia Qendrore dhe Perëndimore.
Të dhënat e para të ardhjes së luanit në Kinë u shfaqën në Historinë e perandorisë Han (《后汉书》). Në atë kohë, karvanë të perandorisë persiane sollën dhurata ku mes tyre kishte kafshë ekzotike, përfshi luanë, zebu, dhe strucë në oborrin e Liu Da, perandori Zhang i Han-it (汉章帝). Një shekull më vonë, në vitin 133, sundimtari i Kashgar-it dhuroi gjithashtu luanë për Han-in. Të dhënat nga ajo kohë i përshkruajnë këto krijesa madhështore dhe të fuqishme nga vende ekzotike të rajoneve perëndimore (西域). Ardhja e tyre tërhoqi vemendjen e banorëve në kryeqytetin Han.
Nga shkrimet e shekullit të16-të të udhëtarëve kinezë, publikuar nga tregtari pers Ali Akbar Khan thuhet se tregtarët myslimanë që udhëtuan përgjatë Rrugës së Mëndafshit sollën luanë dhe mace të tjera të mëdha në oborrin e Perandorisë Ming (1368 – 1644), me një çmim të lartë.
Në shekullin e pestë, murgu Huilin besonte se luani nuk ishte gjë tjetër veçse një suanni (狻猊), që shfaqej shpesh si një përzierje e luanit dhe dragoit dhe është një nga 9 djemtë e mbretit dragua.
Luanët ishin një pjesë e rëndësishme në ikonografinë hinduiste dhe budiste, të cilat e shohin luanin si kafshë diellore dhe si pasqyrim të fjalës. Luani simbolizonte fuqinë dhe sovranitetin si dhe është shoqëruar me diellin, me floririn dhe me forcën penetruese të dritës dhe fjalës.
Krishna është luani midis krijesave të egra, Buda është luani i Shakyas. Buda përdor luanin si fron. Është fuqia e Shakti-të, që është energjia hyjnore. Është forma e avatarës "Nara-Simba" (njeriu-luan), simbol i forcës dhe kurajos dhe shkatërrues i së keqes dhe injorancës. Si fuqi e Darmës, Luani korespondon me Vairochana-në dhe me Manjushri-në, mbartësi i diturisë. Kur Buda mësoi Darman, zëri i tij ishte hungërima e luanit duke nxjerrë në dukje forcën e ligjit.
Simbol i fuqisë, por luani është gjithashtu dhe simbol i drejtësisë. Kjo është arsyeja që luanët dekoronin fronin e Solomonit, po ashtu dhe fronet e Mbretërve të Francës si dhe ato të peshkopëve mesjetarë.
Në Lindjen e Largët, luani ka lidhje të madhe me dragoin dhe luan rolin mbrojtës kundër influencës së keqe.
Në Egjiptin e Lashtë, luanët konsideroheshin kafshë diellore, zakonisht të vizatuar në çift, njëri duke parë nga lindja dhe tjetri nga perëndimi, në boshtin e drejtimit të diellit, duke simbolizuar të djeshmen dhe të nesërmen. Zakonisht ata përfaqësojnë forcën që siguron ciklin e ditës dhe natës, të përpjekjes dhe çlodhjes.Si rrjedhim luani simbolizon kthimin e diellit dhe ripërtëritjen e forcës, por gjithashtu dhe vetërilindjen.
Pseudo-Dionisi Aeropagiti shpjegoi se teologjia i dha ëngjëjve të caktuar formën e luanit sepse forma shfaqte autoritetin dhe forcën e parrezistueshme të inteligjencës së shenjtë. Ai gjithashtu përmendi tek Libri i Zbulesës se i pari nga katër krijesat e gjalla që i janë dhënë sytë para dhe mbrapa, që rrethonte fronin e parajsës, është përshkruar si luani.
Me kalimin e shekujve, luanët iu bashkuan tigrave si simbole të fatit dhe fuqisë, dhe format e tyre u gdhendën në gurë, dhe nderonin tempujt, varret dhe pallatet perandorake. Luanët vendosen zakonisht në çift përpara një ndërtese apo varri , ku mashkulli qëndron në të majtë dhe femra që e shoqëron në të djathtë.
Edhe brenda Kinës ka koncepte të ndryshme mbi figurën e luanëve. Statujat e luanëve në jug të Kinës kanë më shumë elemente dekorative, që mungojnë në pjesën veriore. Figura e luanit mund të simbolizojë ose mbrojtje të fuqishme ose ruajtje paqësore. Shembujt më të njohur—ato të cilat i gjejmë edhe sot në pallatet perandorake në Pekin—tregohen me kthetrën e djathtë të luanit mashkull, vendosur në një top duke simbolizuar sundimin universal të perandorit. Ndërsa nën kthetrat e luaneshës ndodhet një këlysh, duke simbolizuar vazhdimësinë e linjës perandorake.
Ka raste kur luanët prej guri në Kinë ngatërrohen me statuja qensh apo hibridesh qen-luan. Në Kinë, kthetrat, sytë dhe dhëmbët e luanëve janë ekzagjëruar, mashkulli portretizohet me muskuj dhe kthetra tepër të mëdha dhe me një bisht që shpesh është më i shkurtër në raport me bishtin e një luani të vërtetë.