20160310Palimsest_1.m4a |
Një ekspozitë kushtuar legjendës së arteve marciale Bruce Lee u hap këto ditë në Pekin, me temën "Zbraze mendjen, bëhu si uji, miku im! ", e cila është një nga thëniet më të njohura të tij. Ekspozita përmban objekte personale të yllit të filmave me arte marciale, si veshja e zezë që ai përdorte kur ushtronte këto arte, maska e përdorur prej tij në serialin televiziv "The Green Hornet", apo në filmin "The Game of Death".
Bruce Lee i ktheu artet marciale në një dukuri globale, duke u kthyer në një ikonë të tyre, edhe pse kanë kaluar 4 dekada nga vdekja e tij.
Nismëtare e hapjes së kësaj ekspozite kushtuar yllit të pavdekshëm të Kungfu-së ishte e bija e tij Shannon Lee, e cila ka përdorur si moto të kësaj veprimtarie thënien e tij " Zbraze mendjen, bëhu si uji , miku im!"
Duke folur për mediat Shannon Lee tha se filozofia e Bruce Lee vazhdon të frymëzojë njerëzit. Ai nuk donte që njerëzit të ishin kopje e njeri tjetrit, port ë shihnin brenda vetes dhe të kuptonin cilët janë, për të nxjerrë në pah më të mirën e tyre.
Shannon Lee është fëmija e dytë e Bruce Lee dhe bashkëshortes së tij Linda Emery, e cila ishte vetëm 4 vjeç kur i ati ndërroi jetë papritur, në vitin 1973. Shannon ka bërë të ditur për mediet se 2 filma kushtuar të atit Bruce Lee janë duke u prodhuar. Ekspozita kushtuar Bruce Lee do të qëndrojë e hapur deri të dielën dhe është organizuar nga Fondacioni Bruce Lee, me seli në SHBA.
Jeta
Bruce Lee është një aktor i filmave me arte marciale dhe aksion, filozof, regjizor dhe themelues i Jeet Kune Do.
Ai lindi në Hong Kong më 27 nëntor të vitit 1940 me emrin Lee Jun-fan. I ati Lee Hoi-Chuen ishte një nga yjet e Operas kantoneze, i cili ndikoi mjaft në drejtimin e të birit që në fëmijëri në rrugën e artit. Bruce u lind në San Francisco, por familja e tij u kthye në Hong Kong ku dhe i nxitur nga i ati ai nisi të interpretonte që fëmijë në filma të ndryshëm. Në moshën 18 vjeçare Lee shkoi në SHBA ku nisi studimet në Universitetin e Uashingtonit në Siatëll, kohë gjatë së cilës ai nisi të ushtronte artet marciale. Në vitet 70-të shekullit të kaluar producentët e Holli vudit nisën të tregonin një interes të veçantë për artet marciale kineze, kryesisht për Kung Fu-në Kjo përkoi me nisjen e interpretimit të Lee dhe përcaktoi rrugën e tij të mëvonshme si një yll i filmave me arte marciale dhe aksion.
Filmografia
Në fillimet e karrierës së tij si aktor Bruce Lee interpretoi në filmat
"The Big Boss" (1971) dhe " "Fist of Fury" (1972);ndërsa në 1972 ai shkroi skenarin dhe drejtoi si regjizor filmin "Way of the Dragon" për të vijuar në 1973 me "Enter the Dragon" dhe "The Game of Death" . Ai u bë kështu një ikonë e arteve marciale por kryesisht e atyre kineze në mbarë botën. Duke u trajnuar në artet marciale të njohura si Wing Chun, Bruce Lee krijoi filozofinë e tij për to e njohur si Jeet Kune Do. Ai u martua me Linda Emery në gusht të vitit 1964 me të cilën pati dy fëmijë Brandon Lee (1965-1993) dhe Shannon Lee. Bruce Lee ndërroi jetë në 20 korrik të vitit 1973 në moshën 32 vjeçare, si pasojë e një reaksioni alergjik, ndonëse vdekja e tij në moshë fare të re shkaktoi mjaft diskutime.
Filozofia
Lee, i njohur për rolet e tij në filmat me arte marciale është dhe autor i shumë shkrimeve filozofike, që promovojnë artet marciale, por dhe taoizmin dhe budizmin. Bruce Lee njihet dhe për poezitë e tij të cilat sipas studjuesve reflektojnë botën e tij shpirtërore dhe psikikën njerëzore.
Çmimet dhe vlerësime
Bruce Lee është cilësuar nga "Time Magazine" si një nga 100 njerëzit me më shumë ndikim në shekullin e 20-të.
Në prill të vitit 2013 ai u nderua me çmimin e lartë të Azisë.
Në qershor të vitit 2013 një statujë e Bruce Lee u vendos në Chinatown në Los Angeles, si dhe një tjetër statujë e tij u vendos në Guangzhou të Kinës.
Nga Houston Boxing Hall of Fame,një qendër e votimeve të publikut për aktorë të njohur, Bruce Lee është vlerësuar si Aktori më i Madh i Arteve Marciale në vitin 2014. (Eda Merepeza)