20160211deja_vu |
Tradita kineze
Siheuyuan-oborret karakteristike kineze
Siheuyuan quhen oborret katrore të shtëpive të vjetra tradicionale pekinase, që gjenden kryesisht në veri të vendit. Siheyuan duke patur një formë katrore krijon një hapësirë më të madhe para ndërtesës, e cila gjatë ditëve me diell mbulohet anekënd nga rrezet. Ky lloj oborri pekinas tashmë i njohur në mbarë botën shihet vetëm në shtëpitë tradicionale të trashëguara brez pas brezi.
Oborri Siheyuan është tepër i veçantë përsa i përket struktures së tij ndërtimore, tipike për shtëpitë kineze. Siheyuan është një lloj oborri i gjerë dhe me shumë ndriçim i cili e ndan ndërtesën me një portë kryesore hyrëse, duke krijuar një intimitet të veçantë të saj. Ky lloj intimiteti krijohet edhe pse në shtëinë me oborr katror jeton vetëm një familje. Hapësira e madhe e këtij oborri të krijon mundësi për të mbjellë pemë e lule, për të rritur zogj apo peshq. Banorët e shtëpive me oborr katror jetojnë një dimension të bukur natyror, Ndonëse thjesht një pjesë ndërtese, oborri Siheyuan është një pjesë e traditës ndërtimore kineze, e cila realizohet falë njohjes së mirë të zgjedhjes së terrenit por dhe të gjeometrisë. Ky lloj oborri është pjesë e mënyrës së jetesës autohtone në kryeqytetin e Kinës, duke i rezistuar kohërave.
Në ditët e sotme kur Pekini është i mbushur me qiellgërvishtëse banorët autohtonë dhe kryesisht ata më të vjetër në moshë kanë nostalgji për shtëpitë me oborre Siheyuan.
Siheyuan, oborri në formë katrore i Pekinit i krijuar që në Kinën e lashtë ka përcjellë mijëra breza, duke lënë gjurmë në trashëgiminë kulturore kineze dhe asaj botërore.
Qipao, veshja tradicionale kineze
Qipao ngjan me një lule me ngjyra të shndritshme e cila ndriçon prej 4 shekujsh në traditën kineze. Femrat kineze me qipao nuk kalojnë kurrë pa rënë në sy për hijeshinë dhe bukurinë e këtij fustani tradicional.
Historia
Në fillim të shekullit të 17-të duke ardhur nga veriu i Kinës, Nurhachi udhëhoqi trupat e veta mançure deri në Pekin. Pikërisht në këtë periudhë u përhap një veshje në formë tubi që përdorej nga të dyja sekset. Versioni i parë i saj u quajt qipao dhe u bë shumë popull në pallatin mbretëror të dinastisë Qing (1644-1911), për të shfaqur fisnikërinë mançure. Veshja qipao realizohej me mëndafsh të qëndisur. Perandoreshat e Kinës vishnin qipao duke paraqitur një modë më të përparuar krahasuar me modën mijëvjeçare të veshjeve
Fustani qipao ishte kryesisht prej mëndafshi të qendisur, duke e bërë të vepantë veshjen e gruas kineze dhe duke nxjerrë në pah feminilitetin e saj.
Origjina
Studjuesit thonë se fustani i njohur si qipao lindi që në dinastinë Qing, në një formë qepjeje të drejtë dhe të gjatë, me synim që të mos tregonte format trupore. Në vitet e mëvonëshme qipao u përshtat si një veshje tradicionale kineze dhe u modifikua. Ndërsa modelet që janë më të përhapura në ditët tona i përkasin modelimit të viteve 20-të në shekullin e kaluar të krijuara në Shangai, ku qipao u ridizenjua, duke u bërë një model i ngjashëm me atë të sotmin. Fillimisht në Shangai qipao njihej me emrin "cheongsam" që vjen nga kantonishtja, emërtesë e fustanit kinez që u përhap së pari në perëndim. Dalluese te dizenjimi i qipaos është jaka e lartë e stilit korean, me kopsa të veshura me copë, që vendosen në një linjë diagonale që zbret deri në pjesën e nënkrahut. Mëngët e qipaos mund të jenë të shkurtëra apo të gjata, sipas preferencës, po ashtu edhe gjatësia e fundit të saj. Modelet tradicionale të qipaos sugjerojnë një ngjyrë të vetme të cohës prej mëndafshi, që në disa raste i vihet një fiston te mëngët dhe jaka e ngritur në ngjyrë tjetër.
Qipao kineze në filma
Një nga filmat e parë perëndimorë ku shfaqet qipao është ai me titull "Bota e Suzie Wong" i vitit 1960, me regji të Richard Quine, ku në rolin e protagonistes interpreton Nancy Kwan, e cila shpesh gjatë filmit ishte e veshur me qipao. Por përpara këtij filmi, në prodhimin kinematografik me titull "Dashuria është diçka e mrekullueshme" fitues i çmimit Oscar në vitin 1955, aktorja Jennifer Jones ka veshur dhe një qipao dhe interesant është fakti se ky film u nderua me çmimin prestigjioz për kostumografinë.
Në filmin "In the Mood for Love" protagonistja, e interpretuar nga Maggie Cheung vesh disa lloje qipaosh. Ky fustan tradicional kinez është prezent dhe në filmat e regjizorit Wong Kar-Wai. (Eda Merepeza)