PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Krishtlindje me karakteristike kineze
2015-12-23 14:01:18 CRI Komenti juaj Printoni

Sonte festohen Krishtlindjet dhe ndonëse kjo ditë nuk është festë në Kinën kontinentale nuk përjashtohet nga atmosfera e saj. Në bulevardet e shumta të Pekinit por dhe në qytete të tjera të vendit zbukurimet me Santa Klaus, drita shumëngjyrëshe apo muzika e Krishtlindjeve që dëgjohet në çdo qendër tregtare dhe ambjente publike kanë krijuar një atmosferë të njejtë me vendet që e e festojnë tradicionalisht Krishtlindjen. Mjafton të bësh një shëtitje në një nga qendrat e Pekinit, Sanlitun dhe sheh dekorimet e festës, pa i kushtuar vemendje faktit se Krishtlindjet janë një festë e krishterë. Ndoshta fakti se në Kinë tashmë jetojnë dhe punojnë një numër i konsiderueshëm të huajsh e bën më të gjallë shpirtin e festimit të Krishtlindjeve. Mund ta konsiderojmë festimin e Krishtlindjeve në Kinë si një festë e importuar por gjithësesi ajo shërben për një atmosferë miqësore dhe të këndëshme në ditët e fundit të vitit.

Në gjuhën kineze urimi tradicional i Krishtlindjeve shqiptohet "Women Zhu Ni Shengdan Kuaile"

Nëse në vendet perëndimore Krishtlindjet janë një festë fetare me një histori të gjatë dhe traditë të përcaktuar për festimet në gjirin e familjes si dhe vizitat në objektet e kultit, në Kinë kjo festë ka një karakter thjesht konsumi të orientuar në shkëmbime dhuratash dhe festa në restorante apo bare. Sipas statistikave zyrtare në Kinë jetojnë 1% banorë të besimit të krishterë të cilët Krishtlindjet i festojnë në kisha me ritualet e njohura fetare të kësaj date të shënuar.

Krishtlindjet janë ditë feste në rajonet kineze Macau dhe Hong Kong, ku tradicionalisht ndjehet më shumë atmosfera e tyre . Por kinezët si tregtarë të mirë e kanë përshtatur këtë festë për fitime. Vitet e fundit Krishtlindjet janë popullarizuar kryesisht në metropolet e Kinës.

Molla e Krishtlindjes kineze

Festa e Krishtlindjeve në Kinë njihet me emrin " Sheng Dan Jieh" që mund të përkthehet në shqip si "Festa e Lindjes së Shenjtë. Ndërsa pemën e Krishtlindjeve kinezët e quajnë "pema e dritës" dhe e dekorojnë me lule, fenerë shumëngjyrësh por edhe zbukurime prej letre që besohet se simbolizojnë lumturinë. Në shtëpitë që festohen Krishtlindjet shihen të ngjitura në xhama pagoda të kuqe dhe vendosen drita në fenerë të kuq që i japin një atmosferë festive çdo ambjenti. Edhe fishekzjarrët aq të përhapur në Kinë janë një tjetër element i festimit të Krishtlindjeve. Fëmijët kinezë e pëlqejnë shumë Santa Klausin të cilin e quajnë "Dun Che Lao Ren" që do të thotë "Plaku i Krishtlindjeve" por ka dhe një emër tjetër në kinezisht "Lan Khoong-Khoong" që do të thotë "Babagjyshi simpatik" .Krishtlindjet në Kinë janë përshtatur me karakteristika vendëse. Është interesant fakti se për kinezët dita e Krishtlindjeve festohet me shkëmbime mollësh. Kjo shpjegohet me shqiptimin e fjalës mollë në kinezisht që është "pingguo" por tingëllon si fjala kineze për Krishtlindjet " ping'an ye". Simbolika e mollës mund të sjellë dhe një tjetër shpjegim interesant për festimin e Krishtlindjeve me karakteristike kineze, pasi vetë fruti i mollës simbolizon paqen, sepse fjala mollë është e ngjashme në shqiptim me fjalën paqe "ping'an".

Për ta konkretizuar këtë traditë të Krishtlindjeve në Kinë mjafton të kujtojmë se një student i Universitetit të Postë Telekomunikacionit në Chongqing shiti më shumë se 4 mijë mollë 5 ditë para Krishltindjeve, duke fituar më shumë se 10,000 yuan ($1,549).

Ma Zhichao, studjues i Akademisë së Shkencave Sociale në Shanxi në një koment për agjencinë Xinhua thekson se "populli kinez nisi të festonte Krishtlindjet pas vitit 1990 dhe kjo përkon me boomin ekonomik të vendit dhe rritjen e konsumit kulturor" Një tjetër karakteristikë kineze e festimit të krishtlindjeve përveç mollëve të mbështjella bukur që shkëmbehen me të afërmit dhe miqtë, apo kukullat e ndryshme prej pellushi nuk mungon as Plaku i Vitit të ri me saksofon. Nuk ka një shpjegim të saktë përse Plaku i Vitit të ri shihet si saksofonist, por ndoshta ngaqë të dy janë prodhime perëndimore.

Gao Wei, ekspert pekinas i folklorit dhe kulturës thotë se kinezët e kanë përshtatur traditën e Krishtlindjeve, sipas interest të tyre. Sipas tij kinezët nuk janë shumë fetarë, ndaj arsyeja e festimit të Krishtlindjeve është thjesht për të kaluar gëzueshëm dhe për të shpërndarë dhurata.

Dukuria e përshtatjes së festave nukështë vetëm kineze, nëse i referohemi festës së Halloween-it në ShBA, e cila është shndërruar nga një festë pagane në nderim të të vdekurve në një festë gazmore karnevalesh. Në Kinë Krishtlindjet festohen më shumë nga të rinjtë, pasi në qendër të çdo festimi të hareshëm vetëm ata mund të jenë. Nuk duhet harruar se edhe fëmijët janë protagonist të Krishtlindjeve në Kinë madje në disa kopshte apo shkolla fillore të vendit organizohen festa për fëmijët në këtë ditë, ku nuk mungojnë dhuratat apo zbukurimet e ndryshme në ambjentet mësimore. Në Kinë ka dhe shumë shkolla ku mësojnë fëmijët e të huajve që punojnë dhe jetojnë këtu të cilëve nuk u mungon tradita e festimit të Krishtlindjeve me koncerte, konkurse dhe veprimtari të tjera. Gjithashtu shoqata joqeveritare organizojnë me rastin e Krishtlindjeve festa me qëllime bamirësie, ku mblidhen fonde në ndihmë të shtresave në nevojë.

Pjesë e festës janë dhe kartolinat me motive Krishtlindjesh të cilat i gjen në pikat e shitjes, ku urimi shkruhet në kinezisht dhe anglisht dhe dekorimet janë të shumëllojshme, që nga pema e Krishtlindjeve, Santa Klaus apo dhe zbukurime të tjera të përshtatura sipas traditës kineze.(Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China