20151217Palimsest02 |
Tradita kineze
Dijetari kinez i fillimit të shekullit të kaluar Liang Qichao shkruante se Kina është një ndër 4 qytetërimet e lashta të njerëzimit krahas Babilonisë, Indisë dhe Egjiptit.Kultura e saj e lashtë dhe historia e shkruar janë promovimi më i mirë që i ka rezistuar kohës duke mbërritur deri në ditët tona. Ashtu si çdo komb edhe Kina ka bestytnitë e veta, të cilat ndonëse në një epokë të modernizimit shoqëror, ndeshen në jetën e përditëshme.
Një ndër këto bestytni, që për të huajt është krejt e panjohur është dhe ajo e numerologjisë kineze.
Numrat e fatit në Kinë
Në kulturën kineze disa numra konsiderohen si "fatsjellës" dhe kjo varet nga shqiptimi i tyre i ngjashëm me kuptime po aq fatsjellëse. Në kulturën e lashtë kineze të trashëguar deri në ditët tona simbolika e numrave është mjaft e rëndësishme. Njerëzit zgjedhin numrat e fatit kur bëhet fjalë për numrin e banesës, të telefonit, numrat që përdorin në biznes, në përzgjedhjen e datës së martesës por edhe në festime të tjera familjare apo shoqërore.
Numri 8-simbolizon begatinë, shëndetin e mirë dhe sukses në shoqëri
Kur shqiptohet në kantonisht numri 8 ngjan me fjalën "Fa" e cila do të thotë begati, sukses në shoqëri si dhe shëndet i mirë. Për ta patur më të thjeshtë kuptimin e kësaj bestytnie mjafton tju kujtoj se kur u zhvilluan Lojrat Olimpike Botërore të Pekinit. Ceremonia e hapjes që të gjithë e kujtojmë për madhështinë e saj nisi më datë 8, të muajit të 8-të pra në gusht në vitin 2008.Pra kemi të bëjmë me një renditje të numrit 8 në datën e nisjes së Lojrave Olimpike Botërore 8/8/08. Për ta plotësuar tërësisht bestytninë duhet tju risjell në vëmendje faktin se Ceremonia e hapjes së Olimpiadës së Pekinit startoi në orën 8.08 minuta të mbrëmjes.
Kinezët besojnë shumë tek harmonia dhe ekuilibri. Për këtë ata shpesh i referohen numrave të ndryshëm, shqiptimi i të cilëve ngjan me fjalë që simbolizojnë të mirën. Kështu përshembull numri 2 për kinezët simbolizon harmoninë, ndërsa numri 6 suksesin. Përsa i përket numrit 9 besohet si ai është simbol i jetëgjatësisë.
Numrat e fatit në biznes
Numrat e fatit janë shumë të rëndësishëm për ata që merren me biznes në Hong Kong. Duke qenë një qendër e rëndësishme tregtare, industriale dhe biznesi ata që merren me këto fusha zgjedhin data me fat për nënshkrimin e kontratave të biznesit, apo për nisjen e një aktiviteti biznesi. Shpesh ata zgjedhin datën 8 për tu sjellë fat, apo datën 9 për jetëgjatësi të biznesit të tyre.
Ngjyrat e fatit
Siç besohet tek numrat e fatit, një lidhje e veçantë është dhe ajo me ngjyrat. Sipas traditës kineze ngjyrat e fatit janë e verdha, e kuqja dhe e gjelbra.
E verdha- simbolizon pushtetin
Edhe perandori i parë i Kinës njihet si Perandori i Verdhë. Kina i referohet shpesh kësaj ngjyre si Toka e Verdhë apo Lumi i Verdhë. Gjatë sundimit të dinastisë Song (960-1279) pallatet perandorake ndërtoheshin me tulla të verdha. Ndërsa gjatë dinastisë Ming (1368-1644) dhe asaj të fundit Qing (1636-1911) veshjet e perandorëve ishin kryesisht në ngjyrë të verdhë. Mbisundonte e verdha nëse i referohemi një perandori të veshur me ngjyrën e verdhë, i cili jetonte në "Pallatin e Verdhë" apo shëtiste në rrugën e verdhë. Flamujt zyrtarë të perandorive kineze ishin po ashtu në ngjyrë të verdhë dhe vulat zyrtare fabrikoheshin në ngjyrë të verdhë.Nëse do të soditësh Qytetin e Ndaluar nga mali Jing të bie në sy ngjyra e verdhë që mbisundon në çatitë e tij.
E kuqja-simbolizon lumturinë, bukurinë, suksesin dhe fatin e mirë
E kuqja është ngjyra kombëtare e Kinës. Kjo ngjyrë përdoret shumë nga kinezët. Nëse i referohemi traditës na kujtohen fenerët e kuq të cilat zbukurojnë rezidenca apo qendra biznesi në Kinë. Edhe në portat e shtëpive vendosen hieroglife me ngjyrë të kuqe të cilat simbolizojnë lumturinë. Gjatë ceremonisë së dasmës nusja kineze vishet me të kuqe, por edhe në festime të ndryshme kombëtare e kuqja mbizotëron veshjet.Një tjetër simbol i Kinës janë zarfet e kuq, me të cilët shpërndahen dhuratat për Vitin e Ri Kinez.
E gjelbra simbolizon pasurinë
Nëse shëtit nëpër qytetet e ndryshme të Kinës të bie në sy se restorantet, ndërtesat e bankave janë të lyera në ngjyrë të gjelbër dhe të kuqe, si simnbole të begatisë materiale dhe të suksesit. (Eda Merepeza)