20151210Palimsest02 |
Unë kam patur një çadër kineze, siç i quajmë në Shqipëri çadrat prej letre të vajisur me të cilat u njohëm në vitet 70-të të shekullit të kaluar kur marrëdhëniet midis dy vendeve tona ishin në lulëzim. Ndonëse nënës sime ja kishin sjellë dhuratë nga Kina unë shëtisja me çadrën kineze nëpër shtëpi, sepse ishte një ndër sendet me vlerë, por mbi të gjitha me një bukuri përrallore. Kur sodit një çadër të tillë përfshihesh nga imagjinata dhe ngjyrat e pikturat e saj të çojnë në një botë gati magjike. Kjo ndodhi me mua kur arrita në Pekin dhe pashë ditëve të nxehta të verës disa zonja kineze me çadrat prej letre të vajisur.
Çadrat prej letre të vajisur janë një nga simbolet e Kinës, që ndonëse e kanë humbur funksionin e tyre praktik mbeten tërheqëse për klientët. Në Fenshui të provincës jugperëndimore kineze Sichuan çadrat kanë një histori 400 vjeçare. Kjo qytezë e ruan edhe në ditët tona traditën artizanale të prodhimit të çadrave, e cila që nga viti 2008 është listuar si trashëgimi kulturore kombëtare. Sipas artizanit Bi Yuanshen çadrat prej letre të vajisur u përballën me një sfidë të madhe kur në vitet 80-të të shekullit të kaluar nisën të përdoreshin çadrat moderne.Por me kënaqësi ai thekson se pasi kjo teknikë e hershme fitoi statusin e trashëgimisë kulturore, industria e çadrave karakteristike kineze nisi të rimëkëmbej.
Kjo për shkak të promovimit të këtyre çadrave dhe tërheqjes së vëmendjes së shumë njerëzve që shihnin tek këto prodhime artizanale një objekt të sofistikuar dhe të ngjashëm me një vepër arti. Çadrat prej letre të vajisur mund të përdoren për dekorim, për tu ruajtur nga rrezet e diellit gjatë verës, por edhe si suvenire.
Fshati Xingyang, në afërsi të qytetit Baoshan në provincën Yunnan është i vogël me rreth 100 shtëpi, por i njohur për traditën e prodhimit të çadrave prej letre të vajisur, me një histori disa qindravjeçare. 90 vjeçari Zhng Yinghai është një ndër trashëguesit e mjeshtërisë së bërjes së çadrave prej letre të vajisur. Ai e ka nisur këtë art qysh kur ishte një fëmijë 8 vjeçar dhe vazhdon ta mbajë ende gjallë traditën e lashtë. Madje ky zotëri i moshuar tregon se ndonëse këtë zanat e ka përdorur për të siguruar jetesën, tashmë për të ka mbetur thjesht një kënaqësi.
Teknika tradicionale e prodhimit të çadrave prej letre të vajisur, sipas Zheng kërkon 10 hapa. Ai i ngjyros vetë lulet dekoruese të çadrës, nga kamelia, lotusi, lulekumbulla apo degëzat e pemëve. Çadrat e prodhuara prej tij janë të veçanta, ashtu siç është dhe fantasia e këtij artisti të artizanatit popullor.
Në ditët tona, me zhvillimin e industrializimit edhe prodhimi i çadrave prej letre të vajisur është mekanizuar dhe ato prodhohen po aq të bukura, madje dhe në sasi të mëdha, të gatshme për të plotësuar kërkesat e tregut.
Por sit ë gjithë artizanët edhe Zheng preferon ti bëjë çadrat me duart e tij pa përdorur asnjë lloj mekanike, madje artin e bërjes së çadrave me letër të vajisur ai ua ka mësuar dhe fëmijëve të tij.
Origjina e çadrave prej letre të vajisur
Kina është atdheu i çadrave prej letre të vajisur, por ato janë të përhapura dhe në vende të tjera aziatike si në Japoni, Kore, Vietnam, Malajzi, Mianmar, Indi, Sri Lanka, Tajlandë dhe Laos. E veçanta e këtyre prodhimeve artizanale qëndron në faktin se popujt e vendeve të ndryshme aziatike I kanë krijuar çadrat me karakteristikat e vendeve të tyre. Përveç përdorimit në stinën e verës, ku na ruajnë nga rrezet e Diellit, çadrat prej letre të vajisur janë ndër elementet e rëndësishëm të ceremonive të dasmës. Në ceremonitë tradicionale të dasmës kineze dhe japoneze, dama e nderit e mbron nusen me një çadër prej letre të vajisur, pasi besohet se kështu e reja mbrohet nga shpirtrat e këqij.
Edhe ngjyrat e çadrave prej letre të vajisur kanë domethënie të veçantë. Kështu ngjyra e purpurt besohet se është simbol i jetëgjatësisë, ndërsa çadrat e bardha përdoren kryesisht në funerale. Çadrat prej letre të vajisur në Japoni përdoren në ceremonitë e dasmës por dhe në ato të çajit. Sipas traditës kineze të dasmave përdorimi i çadrave prej letre të vajisur nga nusja e bekon atë me fëmijë dhe veçanërisht është simbol i lindjes së një djali të çiftit të sapomartuar. Në traditën popullore gjithashtu thuhet se hieroglifet që përdoren për të shkruar fjalën çadër prej letre e vajisur përfaqësojnë bekimin e çiftit të ri për të patur një familje të madhe, me bij e bija por edhe nipër e mbesa.
Përsa i përket ceremonive fetare, çadrat prej letre të vajisur shpesh shihen si të shenjta, pavarësisht mbrojtjes që i bëjnë njerëzve nga dielli apo shiu. Madje besohet se mbajtja e një çadre të tillë largon shpirtrat e këqij. Në ditët tona çadrat prej letrew të vajisur tregtohen kryesisht si suvenire.
Në krijimet e para çadrat bëheshin prej mëndafshi, që më vonë u zëvendësua nga letra. Nuk njihet ende periudha e saktë kur nisën të prodhoheshin çadrat prej letre të vajisur, por sipas studjuesve ato u përhapën nga Kina drejt Koresë dhe Japonisë gjatë sundimit të dinastisë Tang. Ndërsa me ardhjen në fuqi të dinastisë Song këto çadra u quajtën "çadrat e gjelbra prej letre të vajisur". Popullariteti i tyre u rrit gjatë dinastisë Ming dhe madje nisën të përmendeshin shpesh dhe në letërsinë kineze të kohës.
Çadrat kineze prej letre të vajisur kryesisht fokusoheshin në kombinimin tradicional të ngjyrave bardhë e zi, ku në to vizatoheshin lule, zogj apo peizazhe të ndryshme. Por disa çadra të tjera janë më tematike, pasi ato pasqyrojnë skena të veprave të famshme të letërsisë së vjetër kineze si "Ëndrra e dhomës së kuqe" apo "Romanca e dhomës perëndimore". Në këto çadra tradicionale nuk mungon as kaligrafia kineze.
Përhapja e çadrave prej letre të vajisur
Në Yuhan të Zhejiangut çadrat prej letre të vajisur janë prodhuar që në periudhën e Perandorit Qianlong në vitin 1769 nga Dong Wenyuan i cili ishte pronar i një dyqani çadrash të tilla.Këto çadra karakteristike përdoreshin si nga peshkatarët e thjeshtë ashtu dhe nga familjet aristokrate të kohës. Në vitin 1951 Yuhang u përzgjodh për prodhimin industrial të çadrave prej letre të vajisur. Por me daljen në treg të çadrave prej cope dhe skelet hekuri nisizhdukja e çadrave tradicionale prej letre.Ekspertët i listuan çadrat prej letre të vajisur në trashëgiminë kulturore.
Në Luzhou të provincës Sichuan kultura e çadrave prej letre të vajisur ka nisur gjatë fundit të dinastisë Ming dhe asaj Ching. Në maj të vitit 1993 6 artizanë të njohur kinezë për 4 muaj prodhuan çadra prej letre të vajisur të cilat u eksportuan në Britani, Malajzi dhe Singapor. Pas promovimit të tyre në Perëndim, eksporti i çadrave prej letre të vajisur ra ndjeshëm, për shkak të kostos së lartë të prodhimit dhe fitimit të ulët. Ndërsa në vitin . 2004, në këtë provincë vetëm 30 artizanë dëshironin të vazhdonin prodhimin e çadrave prej letre të vajisur. Në tetor të vitit 2005, një panair i hapur në Shangai ftoi autoritetet vendore dhe ndër prodhimet që patën sukses të veçantë ishin dhe çadrat prej letre të vajisur. Kryesisht banorët që i përkasin pakicave kombëtare në Yunnan dhe Luzhou merren me prodhimin e çadrave prej letre të vajisur, të cilat përdoren si dhurata por edhe në ceremoni tradicionale. Në vitet e mëvonëshme çadrat tradicionale nisën të eksportoheshin në Japoni, Kore, Hong Kong, Makao dhe Singapor. (Eda Merepeza)