20151022dita |
Më 9 shtator sipas kalendarit tradicional kinez në Kinë festohet Festa e të Moshuarve. Sivjet kjo festë bie më 21 tetor. Pa dyshim mosha e tretë, me përvojën dhe mençurinë e vet, është një pasuri, por ajo ka nevojë për kujdesin e mbarë shoqërisë.
Gjatë dekadave të fundit në Kinë, me shtimin e mirëqenies dhe zbatimin e politikës së lindjes së një fëmije, ka pasur një ngritje të jetëgjatësisë dhe rënie të lindshmërisë, çka ka sjellë edhe rritjen e numrit të të moshuarve. Ndaj tashmë në lagjet e mjaft qyteteve anekënd Kinës kanë filluar të përhapen qendrat e kujdesit për të moshuarit. Të moshuarit jetojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa shkojnë për të kërkuar ndihmë në qendrat më të afërta të shërbimit të lagjes. Wei Hua është një punonjëse në një qendër shërbimi të tillë në Pekin. Puna e saj e përditshme është të vizitojë rreth 30 të moshuar të lagjes dhe të mbajë shënim gjendjen e tyre shëndetësore. Ajo gjithashtu mbledh kërkesat për shërbim në shtëpi nga të moshuarit dhe ia kalon ato qendrës së shërbimit të lagjes për shqyrtim. Me të marrë kërkesën, qendra e shërbimit dërgon punonjësit e vet në shtëpinë e të moshuarit që e ka bërë kërkesën.
1 tetori shënoi Ditën Botërore të Moshuarve, shpallur më 14 dhjetor 1990 Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Çdo vit, tematika e Ditës Botërore të të moshuarve është e ndryshme.
Me rastin e 1 tetorit, në qendrat e kujdesit për moshën e tretë që menaxhohen nga Shërbimi Social Shtetëror organizohen disa aktivitete sociale.
Fakte nga Organizata Botërore e Shëndetësisë
1. Moshimi është një fenomen global. Popullsia e moshuar në botë, 60 vjeç e lart, është duke u rritur me shpejtësi. Në vitin 2050, rreth 80 % e njerëzve të moshuar do të jetojnë në vendet më pak të zhvilluara. Moshimi i popullsisë po ndodh paralelisht me urbanizimin e shpejtë: nga viti 2007 më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në qytete, dhe në vitin 2030 kjo shifër pritet të rritet në më shumë se 60%.
2. Plakja e popullsisë është një triumf i shoqërisë moderne. Ajo pasqyron përmirësimin e shëndetit global, por edhe ngre sfida të veçanta për shekullin e 21-të në të gjitha vendet së bashku, si ato në zhvillim dhe ato të zhvilluara. Jetëgjatësia është duke u rritur edhe në vendet në zhvillim.
3. Ka dallime të mëdha në jetëgjatësinë ndërmjet vendeve të lindjes
Pabarazitë e mëdha në shëndet vazhdojnë, siç duket qartë nga dallimet e jetëgjatësisë në lindje. Për shembull, ndërsa Japonia ka jetëgjatësinë më të lartë në botë në 82.2 vjet, në disa vende si Afrika kjo shifër është 40 vjet më e ulët.
4. Brenda vendeve, pabarazitë në shëndet janë gjithashtu të rëndësishme
Pra, grupet më të larta social-ekonomike mund të jetojnë deri në 20 vjet më gjatë se njerëzit e grupeve të ulta social-ekonomike.
5. Deri në vitin 2050, afër 80% e të gjitha vdekjeve pritet të ndodhin në njerëzit mbi 60 vjeç
Shpenzimet shëndetësore rriten me moshën, por më të përqendruara janë në dy vitet e fundit të jetës, pavarësisht se sa i vjetër është dikush. Ndërsa njerëzit jetojnë më gjatë, është e rëndësishme t'u sigurohet këtyre viteve shëndet, në mënyrë që shpenzimet e kujdesit shëndetësor të mund të menaxhohen.
6. Shumica e të moshuarve vdesin nga sëmundjet kronike jo të transmetueshme
Edhe në vendet e varfëra tashmë shumica e të moshuarve vdesin nga sëmundje kronike jo të transmetueshme, siç është sëmundja e zemrës, kanceri e diabeti.
7. Investimi në shëndet gjatë gjithë jetës prodhon vlera për shoqërinë
Njerëzit e moshuar të shëndetshëm përfaqësojnë vlera për familjet e tyre, komunitetet dhe ekonominë. Asnjëherë nuk është shumë vonë për të ndryshuar sjelljet e rrezikshme e promovuar shëndetin: për shembull, rreziku i vdekjes së parakohshme ulet me 50 % nëse dikush heq dorë nga pirja e duhanit mes 60 dhe 75 vjeç.
8. Nevoja e një kujdesi afatgjatë po shtohet
Numri i të moshuarve të cilët nuk janë më në gjendje të kujdesen për veten, në vendet e zhvilluara pritet të katërfishohet në vitin 2050. Një numër i madh personash shumë të moshuar humbasin aftësinë për të jetuar të pavarur për shkak të paaftësisë për të lëvizur, dobësisë apo problemeve të tjera fizike apo mendore lidhur me moshën. Shumë prej tyre kërkojnë kujdes afatgjatë, ku mund të përfshijmë nevojën e një infermiereje në shtëpi, ndihmën nga të afërmit apo shtrime të gjata në spitale.
9. Kujdesi shëndetësor parësor efektiv në nivel komuniteti për të moshuarit është shumë i rëndësishëm për promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike.
Në përgjithësi, trajnimi i profesionistëve të shëndetit është më i pakët në lidhje me kujdesin e veçantë për njerëzit e moshuar. OBSH-ja pohon se të gjithë ofruesit e shëndetësisë duhet të trajnohen për çështjet e moshimit, pa marrë parasysh profesionin e tyre.
10. Fatkeqësitë dhe emergjencat ndikojnë rëndë te njerëzit e moshuar
Për shembull, përqindja më e lartë e vdekjeve të shkaktuara nga cunami në Indonezi në vitin 2004 ishte te njerëzit mbi 60 vjeç, apo shumica e viktimave të valëve të nxehta në Europë në vitin 2003 ishin njerëzit mbi 70 vjeç.
11. Tek të moshuarit rritet rreziku i rrëzimeve, dhe lëndimet janë shumë më serioze, gjë që çon në rritje të kostove shëndetësore, njerëzore dhe ekonomike
12. Abuzimi me të moshuarit është në rritje me plakjen e popullsisë dhe me dinamikën e ndryshimeve sociale
OBSH vlerëson se 4-6 % e personave të moshuar në mbarë botën vuajnë nga një formë abuzimi si fizik, psikologjik, emocional, financiar ose për shkak të lënies pas dore.