PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Pekini, bashkëjetesa e traditës me modernen
2015-10-22 17:37:10 CRI Komenti juaj Printoni

Pekini me një histori 3 mijë vjeçare dhe si kryeqytet 860 vjeçar është një nga metropolet ndërkombëtare me zhvillim marramendës. Ai mban në vetvete lashtësinë dhe modernen, të ndërthurura natyrshëm dhe në harmoni. Trashëgimia historike dhe kulturore e Pekinit e bën atë një ndër qytetet më të vizituara nga turistë nga e mbarë bota.

Nuk është aspak e vështirë për një vizitor që vjen për herë të parë në Pekin të krijojë hartën personale turistike, sepse ka aq shumë për të parë. Madje duhet të planifikosh një kohë relativisht të gjatë për të vizituar monumentet më të rëndësishme të kryeqytetit kinez, trashëgimi kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare.

Pallati i Muzeut, i njohur dhe si Qyteti i Ndaluar ështe pallati perandorak më i madh në botë, por në Pekin mund të vizitoni Rezidencën e Princit Gong, Tempullin e Qiellit, kopshtet perandorake në Beihai, apo Pallatin perandorak të Verës, Murin e Madh, por dhe shumë monumente të tjera me vlera të jashtëzakonshme historike dhe kulturore.

Në 22 qershor të vitit të kaluar Asambleja e Përgjithëshme e Komisionit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s njoftoi përfshirjen në Listën e Trashëgimisë Botërore të Kanalit të Madh të Kinës. Me këtë monument, Pekini zotëron 7 objekte të trashëgimisë botërore historike dhe kulturore, ndër të cilët Qyteti i Ndaluar, Muri i Madh, Pallati i Verës, Tempulli i Qiellit, 13 Varret e dinastisë Ming, Kanali i madh perandorak. Pekini është qyteti me më shumë monumente, objekte të trashëgimisë kulturore dhe historike në botë.

Qyteti i Ndaluar me strukturën e tij të drunjtë është ndër monumentet historike më të mirëkonservuara në botë. Ndërsa Pallati perandorak i Verës, i njohur si "muzeu i kopshteve perandorake është kopshti më i mirëruajtur në Pekin.

Ndërsa Tempulli i Qiellit, vendbanimi arkeologjik i Zhoukoudian dhe Kanali i Madh Pekin-Hangzhou që përshkon Kinën nga veriu deri në jug kanë një histori 2500 vjeçare. Këto momumente janë simbole të historisë dhe kulturës perandorake dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm në të shkuarën ekonomike, politike dhe sociale të vendit.

Pekini ky kryeqytet mijëvjeçar është ndër qytetet më të vizituara në botë. Në erën e globalizmit Pekini tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj. Sipas të dhënave, në vitin 2014 kryeqytetin kinez e kanë vizituar 260 milionë turistë, nga të cilët 4.275 milionë nga jashtë vendit, që kanë sjellë valutë të huaj në vlerë 4.61 miliard dollarë amerikanë.

Trashëgimia kulturore dhe historike e Pekinit gëzon një mbështetje reale nga autoritetet vendore, të cilat kanë investuar mbi 30 milion yuan, për të ndërtuar një depo nëntokësore prej 2.435 metra katrorë për ruajtjen e trashëgimive kulturore.

Teknologjia dixhitale është vënë në funksionim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, historike por dhe natyrore të kryeqytetit kinez. Pallati perandorak i Verës ka 3 mijë pemë të lashta të cilat në vitin 2014 janë pajisur me kodin QR, nëpërmjet të cilit turistët që përdorin smartphone mund të njohin moshën e pemëve, llojin dhe të tjera njohuri, për secilën pemë.

Në vitin 2015 Pallati perandorak i Verës ka publikuar dhe aplikacionin e parë APP, që ofron informacione dhe paraqitje grafike për 112 objekte të trashëgimisë, një guidë audio për 16 objekte kryesore si dhe itinerarin e ilustruar të 9 pozicioneve me GPS. Kur vizitori arrin në njerin nga këto objekte, aplikacioni APP aktivizohet automatikisht me elementin audio, dhe kryen funksionin e një guide personale. Falë këtij aplikacioni vizitorët kinezë dhe të huaj, duke mos patur nevojë për një guidë të vërtetë mund të marrin informacionet e duhura për monumentet e trashëgimisë kulturore dhe historike.

Në vitin 2014 edhe Qyteti i Ndaluar ka praktikuar risitë kulturore, duke tregtuar për vizitorët në ambjentet e tij mbulesa për celularë me pamje nga ky qytet, apo dhe artikuj të tjerë që promovojnë këtë monument me famë botërore.

Ndërsa rruga tregtare pekinase Dashilar me një histori 600 vjeçare ka përdorur një gjetje origjinale për integrimin në shoqërinë moderne. Autoritetet vendore në vitin 2013 ftuan rreth 50 dizenjues nga e mbarë bota, për të shprehur artin e tyre në dizenjimin e ambjenteve të ndryshme si parkimet, tualetet apo mjedise të tjera.

Monumentet e së kaluarës janë pjesë e historisë apo dhuratë e natyrës, ndërsa ato kulturore vepra të artistëve ndër kohëra. Ruajtja e kësaj pasurie të paçmuar dhe bashkëjetesa e saj me aspektin modern të një kryeqyteti si Pekini është përparësi e pushtetit vendor dhe qendror. Nisma të shumta ndërmerren për risi në fushën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe historike të këtij kryeqyteti mijëvjeçar, që çdo çast ngjall kureshtjen e vizitorëve, por mbi të gjitha përbën një vlerë të njerëzimit. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China