20150924Palimsest01 |
Su Tong promovon romanin "Orizi" në Bukuresht
Romani "Orizi " i shkrimtarit të njohur kinez Su Tong u promovua ditët e fundit në librarinë më të madhe në qendër të kryeqytetit rumun, Bukuresht. Autori ishte I pranishëm në ceremoni ku morën pjesë intelektualë, student, përfaqësues të qarqeve letrare dhe kulturore rumune, të cilët i kanë të njohura veprat e këtij autori të përkthyera në rumanisht ndër të cilat dhe "Gra dhe konkubina".
Veprimtaria u organizua nga Instituti Konfuci në kryeqytetin rumun dhe Departamenti i Gjuhëve Orientale pranë Universitetit të Bukureshtit.
Bashkëdrejtuesja rumune e Institutit Konfuci, Luminita Balan njëherësh drejtuese e departamentit të gjuhëve orientale shprehu dëshirën që lexuesi rumun të njohë sa më shumë vepra të letërsisë bashkëkohore kineze.
Ndërsa profesorja e Universitetit të Bukureshtit Florentina Visan tha se romani "Orizi" ka tipare historike të ndërthurura me alegori dhe një stil të spikatur neorealist.
Romani, sipas saj është një rrugë e ndërmjetme midis traditës dhe modernes, midis qytetit dhe fshatit, që ndërton dhe dramën e subjektit. Ndërsa vetë autori Sun ndonëse krijues serioz dhe hera herës shprehës i një narracioni të trishtë, bashkëbisedoi plot humor dhe kënaqësi me publikun pjesmarrës në veprimtarinë e organizuar për nder të tij. Madje në fjalën e tij shkrimtari kinez ndau me të pranishmit emocionet që kishte përjetuar në rininë e tij kur kishte parë filmin rumun "Valët e Danubit", që i kishte nxitur dëshirën të vizitonte këtë vend. Su u tregoi pjesmarrësve në veprimtarinë e promovimit të romanit të tij "Orizi" tashmë të përkthyer në rumanisht se kur ishte botuar libri i tij i parë ai kishte fjetur duke e mbajtur atë nën jastëk dhe madje era e bojës së shkrimit i dukej si më e këndëshmja në botë. Su tha ndër të tjera se lexuesi teksa lexon veprën e tij trishtohet, por vetë ai si autor është I mendimit se detyra e një krijuesi nuk është ta bëjë publikun të ndjehet mirë, pasi këtë detyrë mund ta kryejë më së miri një dietolog apo një rrobaqepës. Të shumta ishin autografet që shkrimtari kinez Su dha në veprimtarinë e promovimit të librit të tij. Mjaft i surprizuar mbeti shkrimtari kur pa se sa shumë fansa kishte në Rumani.
Filmi tajvanez "Vrasësi" nominohet për çmim
Shoqata tajvaneze e Filmit e ka nominuar filmin "Vrasësi" të regjizorit Hou Hsiao-hsien për çmimin e Filmit më të mirë në gjuhë të huaj, në edicionin e ardhshëm të Festivalit ndërkombëtar të Filmit në vitin 2016.
Në një deklaratë të botuar nga Shoqata thuhet se filmi "Vrasësi u përzgjodh ndër 13 filma kandidatë.
Deklarata ndër të tjera vlerëson punën e regjizorit për një gjuhë të re të stilit.
Ngjarjet e filmit janë vendosur në Kinën e lashtë ku një ndër protagonistet është vajza e një gjenerali, e quajtur Nie Yinniang, e cila është stërvitur për të qenë një vrasëse. Filmi "Vrasësi" ka fituar në maj çmimin për regjinë më të mirë në edicionin e sivjetëm të Festivalit të Kanës. Duhet të kujtojmë se një tjetër regjizor tajvanez, Ang Lee është i vetmi që ka fituar çmimin prestigjioz Oskar për filmin "Crouching Tiger, Hidden Dragon".
Muralet e shpellave Mogao
Njerëzit kanë një interes të veçantë për budizmin dhe ky besim shprehet mjeshtërisht në shpellat Mogao në Dunhuang të provincës kineze Gansu. Kemi të bëjmë me skulptura murale në shpella të cilat pa frikë mund të quhen galeri arti dhe një mrekulli historike e kësaj zone. Një rëndësi të veçantë në ditët tona ka ruajtja e këtyre veprave të artit të lashtë, kësaj trashëgimie kulturore jo vetëm të Kinës por të mbarë njerëzimit.
Kohët e fundit artistë kinezë kanë nisur të përcjellin artin e lashtë të muraleve të shpellave Mogao në vepra arti bashkëkohore. Njeri prej tyre është skulptori Du Yongwei, i cili është ndër të vetmit që vazhdon të përdorë në art metodat tradicionale të artistëve të lashtë. Mënyra tradicionale ka të bëjë me përdorimin e shelgut të kuq të sjellë nga shkretëtira e Gobit, me të cilin prodhohet korniza. Materialet e përdorura për veprën artistike nga skulptori Du janë të mbledhura në zonën përreth, frymëzuar nga muralet e shpellave me një moshë 1 mijë vjeçare. Kjo teknikë artistike është regjistruar në trashëgiminë kulturore të provincës Gansu në vitin 2008.Skulptori Du po përdor teknikat tradicionale për të krijuar një stil të ri në veprat e tij. Në krijimin e veprave skulpturore ai përdor elemente të metalit dhe të baltës për të realizuar karaktere popullore. Përveç kësaj skulptori Du po u mëson studentëve artin e tij të bazuar në pikturat murale.
Tashmë ka mbetur një numër i vogël artistësh që përdorin teknikat e lashta tradicionale, ndaj dhe Du dëshiron tua përcjellë këtë traditë të rinjve. Një numër i madh artistësh si piktorë apo skulptorë përpiqn të kopjojnë muralet e shpellave Mogao, por e veçantë mbetet puna e piktorit Gao Shan. Në atelienë e tij vizitorët menjëherë e gjejnë veten si në shpellat Mogao.
Pasi i pikturon motivet e shpellave në letër Gao i ngjit ato në muret e ateliesë, duke dhënë qartë idenë e muraleve, që në pamje të parë duken art modern, por nëse përqëndrohesh dallon menjëherë traditën e lashtë të artit të shpellave. Piktori Gao tregon për mediat se ka studjuar për 12 vjet mjeshtërinë e muraleve të shpellave Mogao dhe përsëri vazhdon të studjojë teknikën tradicionale të artit të lashtë. Ai thotë se në këto shpella ndodhen mbi 300 murale dhe i duhet kohë të njohë me imtësi artin e realizimit të secilës prej tyre. (Eda Merepeza)