PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Festat dhe ushqimet
2015-09-10 11:03:36 CRI Komenti juaj Printoni

Shumë vende kanë festat e tyre tradicionale dhe sigurisht Kina, ky vend i madh, me një histori të gjatë e traditë të pasur, nuk bën përjashtim. Ushqimi luan një rol shumë të rëndësishëm në të gjitha festat në Kinë. E çfarë mënyre më të mirë për të kremtuar festat mund të ketë sesa t'i shoqërosh ato me gatime të shijshme karakteristike. Po cilat janë disa nga ushqimet e festave?

Jiaozi

Në vigjiljen e Festës së Pranverës (Viti i Ri kinez) banorët në veri të Kinës zakonisht hanë jiaozi (ravioli kineze), sepse në kinezishte shqiptimi i fjalës "jiaozi" është i ngjashëm me atë të shprehjes "i jap lamtumirën së vjetrës dhe sjell të renë". Jiaozi-të bëhen me peta të vogla të mbështjella, të mbushura me mish ose perime. Ato përgatiten gjithmonë para mesnatës dhe hahen gjatë orës së fundit të vitit të vjetër dhe orës së parë të Vitit të Ri kinez. Ndonjëherë brenda jiaozi-ve futet futet një monedhë një juan, ose pesëdhjetë a dhjetë qindarka, si shenjë e fatit të mirë dhe begatisë në Vitin e Ri për ata që i hanë ato.

Niangao (keku i orizit)

Kina e Jugut prodhon oriz, kështu që tradicionalisht banorët e saj hanë niangao (kekë prej orizi) për të festuar Vitin e Ri, për shkak se në gjuhën kineze niangao ka shqiptim të njëjtë me fjalën që do të thotë "nivel më i lartë jetese". Niangao­-t bëhen me pluhur orizi ngjitës dhe mund të gatuhen duke i skuqur, me tiganisje të shpejtë, duke i zier apo me zierje me avull. Ngrënë e niangao-ve po bëhet tashmë e përhapur edhe në veri të Kinës gjatë Festës së Pranverës.

Peshku

Peshku është një përbërës i rëndësishëm në tryezat e qindra mijë familjeve kineze në prag të Festës së Pranverës. Peshku shqiptohet "yu" në kinezishte, ngjashëm me fjalën për "tepricë", duke shënuar kështu të pasurit më shumë se vetëm për nevojat themelore për atë vit. Peshku është gjithashtu ndër dhuratat për miqtë dhe të afërmit gjatë Vitit të Ri kinez. Disa në Kinën Jugore hanë vetëm pjesën e mesme të peshkut në darkën e Vitit të Ri, duke e lënë kokën dhe bishtin për të nesërmen, duke simbolizuar plotësinë. Ndërkohë, është veçanërisht e rëndësishme që, kur peshku vendoset në tryezë, drejtimi i kokës duhet të jetë nga ana e më të moshuarve, në shenjë respekti.

Yuanxiao

Që prej dinastisë Song (960-1279), njerëzit në Kinë e kanë pasur zakon të hanë "yuanxiao" në Festën e Fenerëve, e cila quhet kështu edhe Festa "Yuanxiao". Yuanxiao-t janë toptha të ëmbla orizi veshtullor me mbushje të ndryshme, si brumë kokrrash bishtajash, fruta, arra etj. Festa e Fenerëve bie në ditën e fundit të Festës së Pranverës, prandaj yuanxiao-t quhen edhe "tangyuan", që ka shqiptim të ngjashëm me "tuanyuan" (bashkim).

Zongzi

Zongzi-të hahen gjatë Festës së Barkës së Dragoit për të nderuar, në ditën e vdekjes së tij, heroin kombëtar Qu Yuan, i cili u mbyt në lumin Miluo kur dëgjoi se shteti i tij u mposht. Zongzi-të janë në formë piramide dhe bëhen duke mbështjellë me gjethe bambuje ose kallam oriz veshtullor, zakonisht i ëmbëlsuar me hide në Kinën Veriore. Megjithatë, ato mund të jenë po ashtu edhe me mish, karkaleca deti, brumë kokrrash bishtajash dhe arra në Kinën Jugore.

Keku i hënës

Flijimet për hënën, ngrënia e kekëve të hënës dhe shikimi i hënës janë veprimtaritë kryesore që bëhen në Festën e Mesvjeshtës. Keku i hënës zakonisht ka formë të rrumbullakët, që përfaqëson bashkimin familjar dhe jetën e lumtur. Ata bëhen me mbushje brumi të ëmbël kokrrash bishtajash dhe kanë ngjyrë kafe në të artë, por në ditët e sotme llojet e tyre janë pasuruar dhe përfshijnë edhe mbushje me të verdhën e vezës, arrën e kokosit etj.

Keku chongyang

Ngjitja në mal është një zakon i përhapur në Kinë në Festën "Chongyang", duke simbolizuar ngjitjen në një pozitë më të lartë. Megjithatë, meqë nuk ka male në disa zona të Kinës, pati nga ata të cilët menduan që në vend të kësaj të hanin gao (kek me oriz ose miell kokrrash bishtajash). Gao në gjuhën kineze do të thotë "lart", prandaj edhe këta kekë u quajtën kështu, por njihen edhe si chongyang. Në të kaluarën, vajzat e sapomartuara ktheheshin në shtëpi për të kaluar festën së bashku me prindërit e tyre, kështu që kekët zbukuroheshin me hurma kineze, mel, bajame ose kikirikë, për të shprehur urimet e prindërve që vajzat e tyre të lindnin sa më shpejt një fëmijë.

Supa laba

Supa laba, e quajtur edhe "Supa e tetë", është fokusi i kremtimeve të Festës "Laba", dita kur Sakyamuni u bë Buda. Kjo supë gatuhet enkas për t'ua blatuar hyjnive dhe paraardhësve për korrje të bollshme dhe gjëra të mbara. Fillimisht, supa bëhej me oriz dhe fasule të kuqe. Tani, përbërësit kryesorë janë lloje të ndryshme orizi e meli dhe një shumëllojshmëri arrash dhe frutash të thata, të gjithë shumë të ushqyeshme. Supa gatuhet gjatë tërë natës dhe ka një aromë joshëse që mund të nuhatet nga larg.

"Rrotullat e pranverës"

"Rrotullat e pranverës", të quajtura edhe "Ëmbëlsirat e pranverës", kanë një histori të gjatë në Kinë. Që në dinastinë Jin Lindore (316-420), njerëzit hanin ''Pjatën e pranverës", një pjatë me kekë të hollë në qendër dhe perime të gjelbra rreth tyre, në ditën e parës të pranverës çdo vit. Me zhvillimin e mënyrave të gatimit, "Ëmbëlsirat e pranverës" kanë evoluar në "Rrotullat e pranverës" të tanishme plot bukuri, të bëra me mbështjellëse të holla mielli me mbushje të ndryshme, të ëmbla ose të kripura, me mish ose perime.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China