PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Koktejl kulturor nga Kina
2015-08-06 14:53:03 CRI Komenti juaj Printoni

Baleti modern "Echoes of Eternity" në Shangai

Një histori dashurie mjaft e njohur, e dashurisë midis perandorit dhe konkubinës së tij vjen për publikun me pjesën e baletit modern me titull "Echoes of Eternity". Shfaqja është realizuar si një bashkëpunim midis Trupës së Baletit të Shangait dhe Trupës "Grand Theatre" të Shangait, duke i dhuruar publikut një shfaqje me nivel të lartë të baletit modern.

Subjekti është mjaft i njohur për publikun vendës pasi bëhet fjalë për historinë e dashurisë midis perandorit Xuanzong që jetoi gjatë dinastisë Tang në vitet 700 dhe konkubinës së tij Yang Yuhuan. Solisti Wu Husheng,balerin i pare i trupës së baletit të Shangait, i cili interpreton rolin e perandorit ka thënë se ka qenë vërtet një interpretim i vështirë. Sipas tij ndjenja e dashurisë e perandorit për konkubinën është mjaft e thellë dhe e vërtetë. Pavarësisht funksionit të lartë që ka, perandori në këtë pjesë është thjesht një burrë i dashuruar. Ai lë mënjanë punët e shtetit për shkak të saj dhe e gjitha kjo përfundon me tragjedi, duke e bërë rolin e perandorit mjaft të vështirë në interpretimin e baletit modern. Regjizor i shfaqjes është koreografi gjerman Patrick de Bana i cili e nisi bashkëpunimin me trupën e baletit të Shangait në muajin prill, kur vuri në skenën e metropolit kinez baletin bashkëkohor "Jane Eyre". Ai vlerëson talentin e balerinëve kinezë dhe suksesin e baletit ""Echoes of Eternity".

Guqini, një trashëgimi e vyer kulturore

Guqin është një instrument muzikor kinez, i cili përsa i përket krijimit daton 3 mijë vjetë më parë. Në kohët e lashta guqin përdorej shpesh dhe kjo trashëgimi e çmuar e kulturës kineze është përcjellë deri në ditët tona. Instrumentisti Cheng Kuiqin, duke ndjekur shembullin e parardhësve të tij në ditët tona është një artist që përdor guqin. Lidhja e Cheng-ut me muzikën i ka rrënjët që në fëmijërinë e tij, kur mësonte të luante në instrumentet muzikore perëndimore piano dhe kitarë, por edhe në ato kineze si erhu.

Para 10 vjetësh Chengut iu ngjall interesi për këtë instrument të lashtë muzikor, guqinin, duke kompozuar pjesë instrumentale posaçërisht për ti luajtur me këtë instrument. Tingujt e prodhuar nga guqini janë të lehtë dhe krijojnë një atmosferë të mrekullueshme.

Ky instrument muzikor është ndër më të rëndësishmit në artin kinez, krahas trashëgimive të tjera si "xiangqi" (shahu kinez) kaligrafia, pikturat e lashta dhe janë pjesë e programeve shkollore në Kinë. Studjuesit e lashtë kinezë kanë thënë se mësimi i guqinit në shkolla ka rëndësi të veçantë për të rinjtë pasi i ndihmon ata në ruajtjen e qetësisë shpirtërore dhe të ekuilibrit. Sipas artistit Cheng, ky instrument muzikor, guqini ka dy elemente të rëndësishme artistike. Së pari është një vlerë e madhe kulturore dhe së dyti i përket një koncepti të pasur artistik. Instrumenti muzikor guqin është njohur nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë kulturore të njerëzimit, për vlerat që bart në lidhjen e thellë të kulturës kineze dhe spiritualizmit. Më së shumti interpretimi i melodive me guqin është edhe një formë meditimi.

Duke e praktikuar këtë instrument prej 10 vjetësh Chang jo vetëm është bërë profesionist por edhe po jep kontribut në fushën e e edukimit të studentëve, duke u dhënë atyre leksione të mësimit të guqinit.Sipas Chang sa më shumë të ushtrohesh në interpretimin me këtë instrument të lashtë aq më shumë të shtohen njohuritë për kulturën kineze dhe lidhja me të. Të luash në guqin, thotë Chang nuk është thjesht sikur të luash me një instrument muzikor, por është një gjendje mendore tepër e veçantë, që përfshin instrumentistin. Chang punon shumë për promovimin e këtij instrumenti të lashtë muzikor. Vitet e fundit guqini është bërë mjaft popullor në Kinë. Madje të gjithë mund të kujtojnë Lojrat Olimpike të Pekinit në vitin 2008 kur regjizori i ceremonisë së hapjes së tyre Zhang Ximou, përfshiu në spektakël dhe një pjesë të interpretuar me guqin.Ky ishte një rast ideal që mbarë njerëzimi të njihte instrumentin e lashtë muzikor kinez.

Koktejl me libra

Për të kthyet vëmendjen e lexuesve te libri në epokën e internetit është disi e vështirë. Por ata që e duan librin përpiqen të gjejnë mënyra sa më efikase që lexuesit të mos humbasin në ekranet e telefonit apo të kompjuterit, duke promovuar leximin. Edhe në Kinë shoqëria në përgjithësi, politikat qeveritare por edhe individët ndërmarrin nisma për mbajtjen sa më afër të lexuesve me librin. Kjo ndodh dhe në hotelin e njohur Ritz-Carlton të Pekinit në distriktin Chaoyang, ku organizohen takime me autorë të librave më të shitur në ambjentet e një koktejli. Koktejlet e përgatitur në barin e hotelit të famshëm kanë emra librash, duke harmonizuar magjinë që të jep leximi me shijen e koktejlit.

Kjo ide e veçantë e përzierjes së letërsisë me botën e pijeve u duk në fillim si e çuditëshme. Një nga koktejlet është pagëzuar me emrin "The Heartbroken" (Thyerje zemre) që është dhe titulli i romanit të Zhuang Yating, ku shtjellohet lidhja midis dashurisë dhe urrejtjes. Gati të gjithë njerëzit në marrëdhëniet intime i kanë provuar këto ndjenja veçmas apo të përziera, që kanë frymëzuar krijimin e një koktejli.

Baristi thotë se koktejli "The Heartbroken" bëhet me përzierjen e pijeve gin dhe Campari, që krijojnë ndjesinë e reflektimit dhe kësaj i shtohet lëng manaferre për freski. Sipas baristit ky lloj koktejli në fillim duket i hidhur ashtu si humbja e një dashurie, por më pas mbetet një shije e freskët, ashtu si pritja për lindjen e një dashurie të re. Një tjetër koktejl quhet "The Foodie" sipas veprës së Miao Weit dhe realizohet me përzierjen e një rumi të vjetër 23 vjeçar si dhe lëngjeve të frutave tropikale.

Barist Tom Zhao është krijues i koktejleve të famshëm që shijohen në barin e hotelit të njohur Ritz-Carlton të Pekinit. Ai ka një eksperiencë të gjatë pune ndaj dhe është në gjendje të realizojë koktejle të ndryshëm edhe në bazë të shijeve të klientëve. Tom përveçse një krijues koktejlesh është dhe një showman në barin e hotelit. Bari i hotelit me 5 yje shquhet për elegancën dhe ambjentin e rafinuar, ku shërbehen këto koktejle por edhe një atmosferë klasike që i shërben mjaft mirë promovimit të librave, me një stil kaq të sofistikuar. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China