20150514Palimsest01 |
Në ditët e sotme ne përdorim teknologjinë e lartë, smartfonët që konsiderohen si rezultat i integrimit të artit dhe shkencës, por në vitet 60-të të shekullit të kaluar, kur inxhinieri artist Tsai Wen-ying (1928-2013) prezantoi veprën e tij të parë të partit kibernetik, kjo ishte një disiplinë e re. Veprat e këtij pionieri të skulpturës magjike do të paraqiten në retrospektivë në Muzeun Tate të Londrës në maj të vitit 2016, në ndërtesën e re jugore të galerisë ekzistuese.
Hapja e kësaj ekspozite u bë e ditur gjatë një forumi kushtuar artistit Tsai, i cili ekspozitën e tij të parë vetjake me eksplorime artistike e paraqiti për publikun në Muzeun Kombëtar të Artit të Pekinit, në vitin 1997.
Bashkëshortja e artistit, Pei-de Chang, një ndihmëse e tij prej disa dekadash tashmë kryeson Fondacionin "Tsai, art dhe shkencë", një organizatë jofitimprurëse me seli në Nju Jork e cila mbështet projekte individuale ndërdisiplinore të artistëve. Në një intervistë që zonja Chang ka dhënë për median vendëse "China Daily" ajo ka theksuar se biografia artistike dhe shkencore e Tsait, është një ndërthurje e origjinës së tij kineze, jetës dhe veprimtarisë së tij në SHBA si dhe ndikimit të tij europian.
Portreti i Tsai Wen-ying
Ai lindi në provincën Fujian dhe një pjesë të jetës e kaloi në Shangai, ku u ndikua nga piktura kineze, para se të largohej në vitin 1950 në SHBA. Për veprat e tij në fushën e instalacionit Tsai është bërë i njohur në artin botëror. Ai ka përdorur ndriçimin, sistemin audio dhe elektronik për efektet e ndryshme të veprave të tij të artit. Përshkrimi i veprës së këti artisti modern në një tekst është vërtet i vështirë, pasi ajo duhet parë për të kuptuar " se sa e gjallë" është një vepër në instalacion, duke u bazuar në variacione të zërit apo të hapësirës. Aventura artistike e Tsait e merr pikënisjen nga formimi i tij si inxhinier, pasi ai ka kryer studimet pranë Universitetit të Inxhinierisë në Miçigan të SHBA-së. Pas diplomimit, Tsai punoi si inxhinier në Nju Jork. Megjithëse punonte në fushën e shkencës inxhinierike, Tsai gjatë kohës së lirë merrej me studimin e pikturës perëndimire, duke qenë një anëtar i Ligës së Studentëve të Artit të Nju Jorkut. E shoqja kujton se kur kthehej nga zyra ai niste të pikturonte deri 4 orë në ditë. Ndërkohë ai ndiqte kurset e pikturës me shumë dëshirë dhe pa munguar në asnjërën prej tyre. Në sajë të punës së tij të palodhëshme dhe ambicjes Tsai fitoi një bursë studimi për pikturë në vitin 1963.
Pikërisht kjo ishte periudha kur ai e la përfundimisht punën si inxhinier, për t'iu kushtuar tërësisht pikturës. Zonja Chang kujton se Tsai eksperimentonte shumë me ngjyrat, gjë që befasonte dhe mikun e tij, piktorin kinez Walase Ting si dhe artistin amerikan Frank Stella. Por piktura nuk arrinte të përmbushte të gjitha ambicjet artistike të Tsait, pasi edhe pasioni i tij për shkencën nuk ishte shuar ende.
Gjatë studimit 3 mujor në Koloninë MacDowell në New Hampshire, Tsai gjeti frymëzimin e tij.
Bashkëshortja e tij Chan thotë se Tsai ishte adhurues i natyrës, ndaj shpesh fliste për figurat e çuditëshme që krijonin rrezet e diellit në dendësinë e pyllit. Kjo ishte një nxitje e madhe për një artist me një formim shkencor, që të integronte këto dy pasione të tij në një art të vetëm, siç është instalacioni. Kur u kthye në Nju Jork Tsai nisi të vinte në praktikë idenë e tij. Në të njejtën periudhë Tsai krijoi veprën e tij në instalacion të titulluar "Multikinetic Wall", një shumëllojshmëri ngjyrash dhe formash rrethore. Puna e tij interaktive kibernetike, pas 3 vjetësh u paraqit për publikun. Ai krijoi shumë instalacione duke ndërthurur elementet metalike me dritën,ndër të cilët dhe një projekt në Hong Kong, ku paraqitet një shatrivan, uji i të cilit shpërthen në lartësi, në sajë të duartrokitjeve të publikut që e viziton atë.
Artisti shkencëtar ishte shumë modest dhe për këtë e shoqja thotë se ai asnjëherë nuk kujdesej për të bërë të njohur veprën apo jetën e tij në publik. Mendimi i tij ishte që për të qenë një artist i vërtetë, mjafton të hedhësh farën e artit në botë.(Eda Merepeza)