PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Laurence Xu, stilisti kinez në majat e modës botërore
2015-05-07 14:58:28 CRI Komenti juaj Printoni

Viti 2015 është shumë i rëndësishëm për Laurence Xu, pasi në 27 janar u cilësua si i pari stilist kinez që fitoi të drejtën për të prezantuar modën franceze Paris Haute Couture. Nga maji deri në gusht të këtij viti 3 nga veshjet e dizenjuara prej tij do të paraqiten në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut, në veprimtarinë "China-Through the Looking Glass". Haute Couture është shprehje kombëtare e modës franceze në përgjithësi, por në veçanti e stilit parizian të modës. Për këtë markë punon një komitet i cili vlerëson dizenjues nga e mbarë bota përmes aplikimit të tyre për këtë lloj stili të modës. Stilimi i veshjeve nga kinezi Xu ka befasuar jashtë mase komitetin drejtues të Haute Couture në Paris ndaj e kanë ftuar për bashkëpunim.

Ndërkohë veprimtaria "China-Through the Looking Glass" e cila zhvillohet çdo vit në Nju Jork në këtë edicion do të organizohet nga Instituti i Modës Mets. Editorja amerikane për revistën e famëshme të modës "Vogue", Anna Wintour dhe kuratori i saj Andrew Bolton kanë përzgjedhur disa nga krijimet e stilistit Xu për të parë se si Kina ndikon në modën perëndimore. Xu është një ndër të paktët dizenjues të modës nga Kina që renditet krahas emrave të njohur të industrisë së modës si Tom Ford, John Galliano dhe Karl Lagerfeld. I intervistuar nga mediat vendëse pas këtij suksesi të madh ai është shprehur se ndjehet krenar që do të përfaqësojë Kinën në ngjarje të tilla të modës ndërkombëtare. Me modesti Xu ka thënë se ai është një stilist, por nëse puna e tij shërben si një dritare ku bota do të shohë kulturën kineze, ai do të ndjehej i lumtur dhe i nderuar.

Karriera e stilistit Laurence Xu

Kur ishte i ri, i ati i Xu-së me profesion arkitekt i kishte folur të birit për shpellën Dun-huang dhe se si shumë artistë kinezë kishin mësuar të pikturonin duke kopjuar muralet e saj. Legjendat popullore u bënë pjesë e formimit të tij për një periudhë të gjatë kohe deri sa vitin e kaluar në korrik ai vizitoi shpellën Dunhuang, nga ku u frymëzua shumë për punën e tij artistike. Kur flet për shpellën Xu me entuziasëm të dukshëm shprehet se nga muralet ka parë jo vetëm ritualet budiste dhe vallet e bukura, por ka zbuluar dhe modën. Ai thotë se ka zbuluar në këto murale njerëz që kanë jetuar gjatë dinastisë Tang apo dinastive të tjera më të hershme, të veshur me mjaft shije dhe stil. "Kur nisa të përshtasja dizenjimin e pikturave të parardhësve të mi, krijova një veshje me stil të ri modern, ku ndërthuret pamja perëndimore me shijen kineze", thotë Xu për krijimet e tij të fundit në stilin Haute Couture. Për stilistin kinez Xu materialet e veçanta janë të domosdoshme për koleksionet e veshjeve luksoze. Nëpërmjet tyre ai nderoi artizanët tradicionalë të Kinës, duke veçuar atë të njohur si stili Nanjing Yunjin.

Stilisti u mbështet në një tekstil të njohur të Nanjing Yunjin-it, të krijuar me ndërthurjen e materialeve si mëndafshi, fijet e arit dhe pendët. Ky lloj tekstili është i njohur vetëm në Nanjing të provincës lindore Jiangsu të Kinës dhe dikur shërbente për qepjen e veshjeve perandorake. Në vitin 2009 UNESCO e vuri këtë lloj tekstili në listën e trashëgimisë kulturore botërore. Përsa i përket veshjeve të stikuara nga Xu Laurence, drejtorja e Shoqatës pariziene Haute Couture, me seli në Kinë, Christine Zhao Qian, e cila e ka rekomanduar stilistin për Javën e Haute Couture të Parisit, thotë se ato përfshijnë të gjithë elementet e nevojshëm për një veshje të stilit "Haute couture". Me këtë përcaktim ajo ka parasysh ndërthurjen e pjesës artizanale me historinë, trashëgiminë kulturore, legjendat, emocionet dhe finesa e pafund.

41 vjeçari Xu u lind në qytetin Zaozhuang të provincës lindore kineze Shandong, e cila nuk njihet si një zonë e lidhur me modën, por shquhet si vendlindja e Konfucit dhe është mjaft e pasur në tradita kulturore. Kur ishte i ri Xu kishte interes të veçantë të shoqëronte të ëmën në shfaqjet e operas së qytetit të tij dhe të stilonte veshjet e familjarëve të tij. Ai tregon se një nga ëndrrat e tij rinore ishte të interpretonte si solist në opera, pasi adhuronte gjestet e interpretimit të aktorëve. Ndërsa pasionin për dizenjimin e veshjeve ai e realizonte shpesh duke stiluar rrobat e tyre.

Gjatë pushimeve verore ai vishte rroba të ndryshme dhe sfilonte në ambjentet e shtëpisë, që me imagjinatë i konsideronte si skenë, pavarësisht se për këtë shpesh tallej nga bashkëmoshatarët. Xu kujton se një herë ai qepi një veshje tradicionale kineze qipao për të motrën.

Në vitin 1997 ai nisi studimet për dizenjim pranë Akademisë Qendrore të Artit dhe Dizenjimit në Pekin, ndërsa në vitin 1999 ai vazhdoi studimet në Paris. Pas kthimit në Kinë, Xu nisi të stilonte kostume për vepra të ndryshme teatrale, por edhe për filma kinezë, duke krijuar njohje me shumë aktorë të njohur vendës i Fan Bingbing, Zhang Jingchu dhe Zhou Yun, për të cilët ai ka dizenjuar veshje për tapetin e kuq të shumë festivaleve të filmit. Aktualisht Xu ka një studio në Pekin dhe është i specializuar për "haute couture" dhe fustane nusërie. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China