PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Odiseja e statujës kineze
2015-04-02 11:31:10 CRI Komenti juaj Printoni

Odiseja e statujës kineze të Budës

Ditët e fundit në median kineze por edhe atë botërore është përcjellë lajmi mbi mundësinë e vjedhjes së statujës së një murgu budist të mumifikuar, zbuluar së fundmi në një muze në Hungari. Kjo ngjarje na kujton raste të ngjashme të vjedhjes së relikteve në Shqipëri dhe këtë dukuri të përbotëshme, që për fat të keq ndodh. Mediat kanë pasqyruar lajmin se statuja e ekspozuar në muzeun hungarez mund të jetë vjedhur në vitin 1995 në tempullin e një fshati në provincën Fujian të Kinës. Si kanë evoluar ngjarjet e deritanishme të lidhura me këtë fakt, që pritet të zbardhet nga organet përkatëse ?

Statuja dhe historia e saj

Zyra e trashëgimisë kulturore në provincën lindore të Kinës, Fujian deklaroi ditët e fundit se nisur nga raportimet në media, ekspertët kanë konfirmuar se një statujë e ekspozuar në Muzeun e Historisë së Natyrës në Hungari, është një pjesë e trashëgimisë kineze e vjedhur nga fshati Yangchun i provincës Fujian në vitin 1995.

Zyra ka bërë të ditur se do të vazhdojë hetimet në fshat dhe kërkimet për më shumë të dhëna lidhur me këtë ngjarje dhe më pas do të raportojë te autoritetet kombëtare të kulturës për identifikimin dhe gjurmimin e kësaj pjese të trashëgimisë, që rezulton e vjedhur.

Kjo statujë u paraqit gjatë ekspozitës me temë "Mummy World" në Muzeun Kombëtar të Natyrës në Hungari të hapur në tetor të vitit të kaluar dhe ishte programuar të qëndronte në këtë muze deri në 17 maj të këtij viti. Por papritmas pronari i saj holandez e kishte marrë statujën nga vendi i ekspozimit, pa dhënë asnjë shpjegim. Banorët e fshatit kinez Yangchun ishin emocionuar shumë kur pane këtë muaj statujën e tyre në edicionet e lajmeve në televizionet vendëse. Zyra e Trashëgimisë kulturore të provincës sapo mësoi lajmin u kërkoi ekspertëve të nisnin hetimin në fshat. Gjatë kërkimeve ekspertët gjetën mjaft fotografi, filmime të statujës si dhe mësuan nga banorët se mumja e paraqitur në statujë ishte një parardhëse e fisit vendës, që në kinezisht njihet si "Zushi".

Statuja, dikur e vendosur në një tempull të fshatit u vodh në vitin 1995. Sipas arkivave të fshatit Yangchun, Buddha, i njohur si Zhanggong Zushi, ishte një banor i zones që u bë murg në moshën 20 vjeçare dhe fitoi popullaritet të madh pasi ndihmonte njerëzit e sëmurë, duke u kujdesur për shërimin e tyre, por edhe duke përhapur besimin budist në atë zone. Murgu ndërroi jetë në moshën 37 vjeçare dhe trupi i tij u mumifikua dhe gjatë sundimit të dinastisë kineze Song (960-1279) ata e vendosën trupin e mumifikuar të murgut brenda një statuje. Që nga ajo kohë statuja ruhej në fshat si një objekt kulti, ku drejtonin lutjet e tyre vizitorët e tempullit. Madje në tempullin e këtij fshati ruheshin dhe një kapele dhe një rrobë e murgut të mumifikuar dhe më pas të shndërruar në një statujë.

Reagimi i koleksionistit holandez

Koleksionist holandez privat që zotëron statujën 1000-vjeçare të Budës brenda së cilës ndodhet murgu i mumifikuar është treguar i gatshëm për ta kthyer atë në Kinë, në qoftë se provohet se ajo është vjedhur, njofton një gazetë e Amsterdamit.

Sipas raportit, pronari aktual, i cili punon si arkitekt në Amsterdam, e ka blerë statujën për 40.000 guilders ($ 19,786) në vitin 1995, në të njëjtin vit kur ajo raportohet e vjedhur nga Kina..

Jin Ruiguo, një zyrtar i administratës shtetërore të Trashëgimisë Kulturore, tha në një deklaratë se në bazë të fotografive, arkivave lokale dhe deklaratave të dëshmitarëve, konfirmohet se kjo statujë e Budës është vjedhur nga një tempull në fshatin Yangchun në Fujian të Kinës lindore në 1995.

Nga ana e tij koleksionisti thotë se Buda e vjedhur ka një ngjashmëri të madhe me statujën e blerë prej tij. Megjithatë pala kineze ka bërë të ditur se statuja e Budës është vjedhur në tetor të 1995, kurse koleksionisti këmbëngul se statuja e tij ndodhej në Hollandë qysh në mesin e vitit 1995, duke ngritur dyshimin se ndoshta nuk flitet për të njejtën statujë.

Pronari i statujës ka vendosur të bëjë dhe testin e AND-së së murgut të mumifikuar brenda statujës për të vërtetuar identitetin e saj. Pala kineze po shton kërkimet dhe hulumtimet për të verifikuar plotësisht nëse statuja e koleksionistit hollandez është e njejtë me atë të vjedhur në Kinë. Koleksionisti hollandez e ka tërhequr statujën nga ekspozimi deri në sqarimin e plotë nëse është e vjedhur apo jo, raporton agjencia kineze e lajmeve Xinhua. Koleksionisti hollandez ka thënë për median se ndonëse i është ofruar shuma prej 10 milion eurosh për ta shitur statujën ai nuk e ka bërë këtë, por nëse ajo është vjedhur në Kinë ai është i gatshëm ta rikthejë në vendin e saj.

Odiseja e statujës që dyshohet se është vjedhur në Kinë vazhdon deri në nxjerrjen e provave të hetimeve që po kryhen për të vërtetuar përkatësinë e saj. CRI shqip do tu njohë me të rejat nga kjo ngjarje, e pasqyruar edhe në median shqiptare. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China