20150217Palimsest |
Viti i ri kinez i quajtur edhe Viti i ri Hënor ose Festa e Pranverës është festa më e rëndësishme dhe më popullore e kinezëve, brenda dhe jashtë vendit. Kjo festë zhvillohet në 15 ditët e para të kalendarit hënor kinez, i cili sipas perëndimorëve përkon me 21 janarin deri më 21 shkurt, por varion nga viti në vit. Këtë vit 19 shkurti është dita e parë e vitit të ri kinez. Festimet e kësaj dite janë të larmishme dhe përfshijnë dekorime familjare, të qyteteve, rrugëve, institucioneve, parada, tradita popullore, por dhe gatime të shijshme.
Me rastin e vitit të ri urojmë "Gëzuar !". Nëse keni miq kinezë mund ti përcillni urimin "Xin Nian Kuai Le"
Traditat kineze të vitit të ri
Pastrimi i banesës
Sipas traditës së lashtë kineze pastrimi i shtëpisë në këtë periudhë të vitit "nxjerr jashtë saj të ligat, apo fatin e keq", që mund të jetë grumbulluar gjatë një viti. Kurse pastrimi nënkupton përgatitjen e shtëpisë për ardhjen e fatit të mirë. Kjo traditë kineze është e ngjashme edhe në Shqipëri, ku një javë para vitit të ri zakonisht gratë, të zonjat e shtëpisë pastrojnë çdo kënd të saj për mbarësi.
Përveç pastrimit të shtëpisë edhe pjestarët e saj duhet të jenë të pastër dhe të rregullt gjatë festës. Madje në atë periudhë këshillohet dhe prerja e flokëve, si fatsjellëse.
-Nuk duhet pastruar shtëpia pasi ka nisur java e vitit të ri, sepse në këtë mënyrë do të nxjerrësh jashtë saj të gjithë fatin e mirë që të ka hyrë. Përgjatë 15 ditë festimesh, ose në ditët e para duhet të mos bësh asnjë lloj pastrimi në banesë.
Dekorimi festiv me të kuqe
Sipas traditës kineze e kuqja është ngjyra e fatit të mirë, ndaj kjo ngjyrë përdoret shpesh për dekorimet e vitit të ri. Edhe numri 8 simbolizon fatin e mirë dhe pasurinë, pasi fjala 8 në kinezisht rimon me fatin e mirë dhe mirëqenien.
Kur bën dekorimin e shtëpisë për festë duhet të vendosësh letra të kuqe të prera në forma të ndryshme nëpër xhamat e dritareve. Subjekte të këtyre letrave të prera shpesh janë figura të mitologjisë kineze apo të jetës rurale. Vendosja e tyre bëhet në drejtim të jugut dhe të veriut.
Gjatë dekorimit të shtëpisë ose ambjenteve të tjera mund të varësh vepra artistike që lidhen me vitin e ri kinez. Sipas traditës këto zbukurime shfaqin simbole të mirëqenies, por edhe kafshë të ndryshme e fruta.
Në derën e shtëpisë apo të dhomave të saj mund të vendosësh dekorimin e njohur si " rojat e portës" që tradicionalisht janë dy figura mbrojtëse që luftojnë shpirtrat e këqinj dhe bekojnë shtëpinë.
Një tjetër traditë dekorimi është varja e vargjeve të shkruara me kaligrafinë kineze, që janë poezi të rimuara me vargje kushtuar pranverës, të cilat mund të blihen kudo dhe janë të dizenjuara me ngjyrë të kuqe.
Ndër dekorimet më të përdorura për vitin e ri kinez janë fanarët e kuq po ashtu të realizuar me letër të kuqe dhe njihen si dekorimet më popullore të kësaj feste.
Nëse vërtet dëshiron të krijosh një atmosferë tipike kineze me rastin e vitit të ri duhet të lyesh me bojë të kuqe dyert dhe dritaret.
Vendosja e luleve në të gjitha cepat e shtëpisë është një tjetër traditë e Festës së Pranverës që simbolizon rilindjen dhe lulëzimin.
Mandarinat me gjethet e tyre simbolizojnë lumturinë e vitit të ri, ndaj shpesh kinezët i vendosin në ambjentet e shtëpisë. Mandarinat duhen vendosur në numër çift dhe duhen ngrënë në çift për të sjellë fat të mirë.
Në dhomën e ndenjes vendosen enë të formave të ndryshme të mbushura me nga 8 ëmbëlsira, pasi siç ju treguam numri 8 është shumë fatsjellës për kinezët. Brenda kutive për qerasje ëmbëlsirash mund të vendosen 8 karamele, çokollata apo biskota, por nuk mungojnë sipas traditës kineze as farat e lotusit, të bajameve, arrat e kokosit, farat e shalqirit të kuq dhe farëra të tjera karakteristike.
Vendos Perëndinë e Kuzhinës
7 ditë para vitit të ri sipas traditës Perëndia e Kuzhinës i drejtohet Perandorit Jade për ti bekuar familjen e tij. Në këtë periudhë të gjithë duhet të sillen mirë dhe të kryejnë një sakrificë me fruta, karamele, ujë apo ushqime të tjera. Ka disa njerëz që djegin një foto të tyre për të çuar në qiell hijen e tyre përmes tymit.
Në disa krahina të Kinës është traditë përgatitja e djathit të sojës i njohur si "tofu" për nder të Perëndisë së Kuzhinës.
Veshjet festive
Nëse dikush ka veshje tradicionale kineze viti i ri përbën rastin ideal për përdorimin e saj.Me rastin e festës mund të marrësh me qira në dyqanet e veshjeve tradicionale një kostum mëndafshi për ta përdorur me këtë rast të veçantë festiv. Stolitë e kuqe konsiderohen si simbole të lumturisë, fatit të mire, pasurisë dhe mirëqenies. Por edhe floriri është një tjetër simbol i kësaj feste.
Këshillohet që gjatë ditëve të festës së vitit të ri kinez të mos përdoren veshje me ngjyrë të zezë, pasi kjo ngjyrë simbolizon fatin e keq dhe madje edhe vdekjen.
Vizita te tempujt
Gjatë vitit të ri kinezët u drejtohen tempujve për të kërkuar fatin e mirë. Ata luten për fat të mirë dhe djegin një lloj temjani i njohur si "xiang" për të larguar fatin e keq. Zakonisht në tempuk pranohen edhe vizitorë nga vende të tjera.
Në hyrje të tempujve zakonisht vendosen shkopinjtë e fatit, të cilët nëse dëshiron mund të marrësh një prej tyre ta shkundësh dhe prej tij del një numër. Një lexuese fati e tempullit mund të të parashikojë fatin me anë të tij.
Ndezja e fishekzjarreve
Në mesnatën e ditës së parë të vitit të ri kinez sipas traditës ndizen fishekzjarre. Ato që përdoren në Kinë janë zakonisht të zhurmshëm dhe shumëngjyrësh. Zhurma e fishekzjarrit simbolizon trembjen dhe largimin e shpirtrave të këqinj, për të penguar fatin e keq.
Shumë kinezë ndezin fishekzjarre gjatë gjithë ditëve të vitit të ri, që përbëhet nga 15 ditë ose në 4-8 ditët e fundit të tij, para se të rikthehen në punë. Kush jeton në Kinë apo në komunitetet kineze jashtë nuk duhet të habitet nga fishekzjarret e shumtë të vitit të ri kinez, pasi qëllimi i tyre është festa.
Dhuratat me zarfa të kuq
Gjatë Vitit të ri kinez të rriturit u dhurojnë fëmijëve zarfa "fatsjellës" me lekë. Në disa raste zarfat e kuq u dhurohen edhe punonjësve të institucioneve apo firmave private, madje shkëmbehen edhe midis miqsh.
Ndero të parët e tu
Kinezët tregojnë mirënjohje dhe respekt për ata që i kanë ndihmuar. Ka shumë zakone të lidhura me këtë traditë, ndër të cilat dhe përulja me nderim para një sanktuari kushtuar atyre, apo ofrimi i ushqimeve dhe pijeve në formë vetëmohimi.
Ruaj energjinë pozitive
Sillu me të tjerët me energji pozitive. Gjatë vitit të ri kinez atmosfera duhet të jetë e gëzuar, plot energji pozitive dhe shpirt të hapur dhe bujar. Duhen shmangur grindjet apo qëndrimet negative gjatë festës. Thuhet se kjo sjellje e mirë të sjell fat të mbarë.
Në ditët e Festës së Pranverës bëhen vizita tek familjarët dhe miqtë për të ndarë momentet e gëzimit me ta.
Zakonisht gjatë këtyre ditëve përshëndetja e përdorur më së shumti është "Gong Xi" që do të thotë "Urime!". Ka edhe forma të tjera përshëndetjeje si "Gong Hei Fat Choi" në kantonisht ose " Gong Xi Fa Cai" në mandarin.
Gatimet e vitit të ri kinez
Festimet më të rëndësishme bëhen në vigjilje të vitit të ri, para se festa të nisë zyrtarisht pas mesnate. Tradita kineze përbëhet nga një larmi gatimesh, por disa prej tyre kanë një domethënie të veçantë.
Cilat janë ato ?
Jiu- është një liker tradicional i realizuar nga drithërat kryesisht sorgumi ose orizi.
Specat e kuq- simbolizojnë fatin e mirë
Orizi simbolizon harmoninë.
Në tavolinën e vitit të ri shërbehet dhe peshk apo mish pule duke simbolizuar unitetit dhe begatinë.
Jiaoxi- është një gatim karakteristik i vitit të ri i ngjashëm me raviolet italiane. Mbushja e tyre varion dhe zakonisht serviren ditën e 15-të të vitit të ri kinez. Çdo lloj forme e jiaoxi-së ka një rol të veçantë gjatë festës, pasi simbolizon lingotat e lashta të arit dhe argjendit kinez.
Në jiaozi mund të futet ndonjë monedhë dhe kush e zbulon gjatë ngrënies do të thotë se ka fat.
Byreçkat kineze të pranverës e kanë marrë emrin për shkak të Festës së Pranverës.
Përdoret shumë peshk gjatë tryezave festive të vitit të ri kinez, pasi peshku simbolizon begatinë.
Edhe noodles e gatuar me salcë kikiriku janë një nga gatimet e vitit të ri që simbolizon jetëgjatësinë
Gatimi i karkalecave me salsë aragoste është një antipastë tipike e kulturës kineze.
Vezët e dekoruara nuk kanë ndonjë lidhje tradicionale me vitin e ri por zbukurojnë tavolinën dhe shërbejnë si një aperitiv.
Paradat e festës
Zakonisht organizohen në fundjavën më të afërt të vitit të ri. Është një rast për të mos u humbur dhe duhet fiksuar në aparatin fotografik apo celular. Një nga paradat më të famshme të vitit të ri kinez jashtë Kinës bëhet nga komuniteti kinez i San Francisco-s dhe çdo vit ndiqet me interes nga komunitete të tjera që jetojnë në këtë metropol amerikan.
CCTV televizioni kombëtar i Kinës në natën e vitit të ri ka një program festiv që ndiqet brenda dhe jashtë vendit me mjaft performanca artistike.
Festa e fenerëve
Ditën e 15-të që është e fundit e vitit të ri kinez është festa tradicionale e fenerëve të kuq prej letre. Në disa qytete kineze këto fenerë janë vërtet një spektakël i rrallë dhe madhështor.
Në disa fenerë shkruhen enigma që duhet ti zgjidhin fëmijët.
Gjatë kësaj feste përgatiten ëmbëlsira të njohura si "Tangyuan" që përdoret në jug të Kinës dhe "yuanxiao" që përdoret në veri të saj.
[foto nga CFP]
Këtë ditë ndizen qirinj për të sjellë shpirtrat e mirë brenda shtëpisë.
Personat besimtarë në ditën e 15-të të vitit të ri kinez luten, gjë që nënkupton tu lutesh të afërmve të vdekur dhe perëndive kineze. Janë disa ditë të caktuara që duhet të kryhen lutjet. Në dekorimet e vitit të ri kinez nuk mungojnë shenjat e horoskopit kinez .
Edhe lulet janë simbole të festës së vitit të ri, pasi sipas traditës ato sjellin energji pozitive.
Lulet e pjeshkës simbolizojnë fatin e mirë. Mandarinat kineze të njohura si "Kumquat" dhe narcisi simbolizojnë begatinë, kurse lulja e krizantemit simbolizon jetëgjatësinë. (Eda Merepeza)
[foto nga internet]