PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Nga Kina në Shqipëri me lajme kulturore
2013-11-21 15:43:28 CRI Komenti juaj Printoni

Programi televiziv satelitor i provincës Jiangsu "Nëse je më i miri" (Fei Cheng Wu Rao), ka shënuar rritje të audiencës ndërkombëtare dhe stacioni i tij i rradhës ka qenë Italia.

Drejtuesi i spektaklit, Meng Fei tha gjatë një konference për shtyp në Milano, se tashmë në Itali janë përzgjedhur 20 pjesmarrës, ku përfshihen italianë dhe kinezë.

"Jam i mahnitur, se si spektakli "Nëse je më i miri", ka arritur të ketë më shumë sukses jashtë Kinës, se sa brenda saj", tha Meng për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua.

Spektakli, i realizuar si një telenovelë, ku përfshihen të gjitha shtresat e shoqërisë, trajton dhe tema të ditës, me interes për publikun e gjerë, vlerëson Meng.

Çdo të shtunë e të dielë në mbrëmje, në programin televiziv satelitor të provincës kineze Jiangsu, një juri prej 24 femrash beqare përzgjedh partnerë, që vijojnë më pas spektaklin. Ndërsa djemtë përzgjedhin vajzën që ju pëlqen dhe gjatë spektaklit mund të ketë shansin të lenë një takim me të. Disa prej protagonistëve të këtij spektakli tashmë janë bërë të njohur për publikun. Programi është bërë i famshëm për përfshirjen e pjesmarrësve nga shtresa të ndryshme të popullsisë. Ata mund të jetë të pasur apo të varfër, të shkolluar ose jo. Rëndësi ka që çiftet të fitojnë simpatinë e njeri-tjetrit. Teleshikuesit shqiptarë e njohin këtë spektakël pasi prej vitesh e ndjekin në televizionin italian me titullin "Uomini e donne".

Por organizatorët e spektaklit kinez të formatit shprehen se suksesi i turneut në vende të ndryshme të botës, tashmë është i garantuar. Madje ata i gëzon shumë fakti që pjesmarrësit e konsiderojnë Kinën si atdheun e tyre të dytë.

Që nga viti 2010 kur nisi të transmetohej, spektakli ka zhvilluar turne në vende të ndryshme të botës si në Australi,SHBA, Korenë e Jugut, Francë dhe Gjermani. Stacioni i rradhës do të jetë Spanja.

Televizioni satelitor i provincës kineze Jiangsu transmeton një program të larmishëm me lajme lokale por dhe kombëtare. Në programin e tij përfshihen spektakle dhe telenovela.

Të njohim provincën Jiangsu

Shtrihet në bregdetin lindor të Kinës. Është një nga provincat me dendësinë më të madhe të popullsisë. Provinca kufizohet me Shangdong në veri, Anhui në perëndim si dhe me Zhejiang dhe Shangai në jug.Provinca Jiangsu ka një vijë bregdetare prej 1 mijë kilometrash që shtrihet përgjatë Detit të Verdhë dhe Lumit Yangtze.Ashtu si i mbarë vendi provinca është zhvilluar dukshëm në 3 dekadat e fundit. Industria më e zhvilluar e provincës është ajo e pajisjeve elektronike, kimikateve dhe tekstileve.

-"Festivali i pranverës" quhet spektakli i vitit të ri kinez, më i shikuari në botë, i transmetuar nga televizioni shtetëror CCTV. Themi më i madhi në botë sepse vitin e kaluar audienca e tij arriti në 700 milion teleshikues. Një djalosh që interpreton melodi popullore, një këngëtare profesioniste që çon sallën peshë, një grup instrumentistësh, po me instrumente të çuditshme-këto janë pjesë e spektaklit.

Ndër pjesmarrësit e spektaklit gjigand është një grup me 4 këngëtarë, që i përkasin etnive të ndryshme, por që dhurojnë një melodi harmonike. Madje njëri nga anëtarët e jurisë u ngrit të kërcente nën ritmin e këngës së interpretuar prej tyre. Ata do të shfaqin performancën e tyre në mbrëmjen gala të Vitit të ri, që përkon me fundin e janarit.

"Si këngëtarë ne të gjithë kemi zëra të ndryshëm. Por dallimet vokale bashkohen në interpretimin tonë, thotë Ajitai, njëri nga këngëtarët e grupit.

Këngëtari Yao Beina i cili ka marrë pjesë në spektaklin televiziv "The Voice of China" gjithashtu do të jetë pjesë e spektaklit.


Zhang Guoli

"Festivali i pranverës" ka nisur të organizohet që nga viti 2010. Juria përbëhet nga profesionistë mes të cilëve dhe aktori i njohur kinez Zhang Guoli , ndërsa regjia i është besuar Feng Xiaogang.

"Kjo është hera e pare që jam në jurinë e një spektakli televiziv dhe është një experience fantastike. Më ka mahnitur niveli i talenteve dhe përkushtimi i tyre në çdo performancë. Fatkeqësisht jo të gjithë konkuruesit do të arrijnë në galanë e festivalit, por kjo është një mundësi për prezantimin e tyre, thotë Zhang Guoli.

Festivali i pranverës, i transmetuar nga televizioni CCTV njihet virtualisht nga çdo kinez, kudo ku jeton ai. Festivali transmetohet live gjatë Vitit të ri Hënor kinez dhe është spektakli me shikueshmërinë më të madhe në botë. Edicioni i sivjetëm i këtij festivali do të zhvillohet në 30 janar të vitit të ardhshëm.

-Filmi fantastiko-shkencor i realizuar në 3D "Graviteti" ka nisur të shfaqet në kinematë kineze më 19 nëntor. Në rolet e protagonistëve, astronautë interpretojnë yjet hollivudiane Sandra Bullock dhe George Clooney, të cilët arrijnë të mbijetojnë gjatë një avarie të anijes kozmike. Para mbërritjes së filmit në ekranet e kinemave kineze, aktorja Bullock i ka përshëndetur ata me anë të një mesazhi, duke i ftuar të ndjekin filmin.

Skenari është shkruar nga Cuaron dhe djali i tij Jonas, dhe në të gjejmë një skenë të stacionit hapësinor të Kinës, Tiangong. Filmi u shfaq në premierë në Festivalin ndërkombëtar të Venecias në gushtin e këtij viti. Ai dallohet për përdorimin e fuqishëm dhe mahnitës të teknikave 3D. Revista "Variety" e ka vlerësuar filmin, ndërsa regjizori i "Avatar" James Cameron ka thënë se "Graviteti" është filmi më i mire i realizuar ndonjëherë për hapësirën kozmike".


Yao Dianzhong

-"Denggaowangyuan", është titulluar ekspozita e pikturës dhe kaligrafisë e dy artistëve 100 vjeçarë Yao Dianzhong dhe Zhang Guangbin. Ekspozita qëndroi e hapur nga 11-20 nëntor në Galerinë e arteve "Sun Yat-Sen Memorial Hall" në Tajvan.

Në ambjentet e ekspozitës janë paraqitur 70 punime në pikturë dhe kaligrafi nga piktori kinez Yao Dianzhong, dhe nga mjeshtri i artit Zhang Guangbin nga Tajvani.

E bija e piktorit të njohur kinez Yao Diangzhong dhuroi një nga veprat e të atit në kaligrafi për galerinë ku u ekspozuan.

-Një lidhje dashurie sapo ka nisur mes aktorit të njohur tajvanez Nicky Wu dhe aktores kineze Liu Shishi. Lajmi është konfirmuar nga vetë aktori Wu në rrjetin social Weibo. Fansat nuk kishin asnjë dyshim për këtë lidhje, pasi kohët e fundit çifti i aktorëve ishte fotografuar gjithmonë bashkë në veprimtari të ndryshme artistike.

-Poetja Luljeta Lleshanaku është vlerësuar si "Autorja e vitit" gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve të Panairit të 16 të Librit në Tiranë. Çmimi iu dha për librin "Pothuajse dje". Vetë autorja tha gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve se ishte marrë pothuajse 6 vjet me këtë libër. Çmimi "Përkthyesi i vitit" i është dhënë Astrit Beqirajt, për "Udhëtime me Herodotin" të Rishard Kapushcinskit. Ndërsa çmimi për 'Studimin më të mirë' iu dha Sabri Hamitit për veprën 'At Zef Pllumi". Çmimi i "Librit më të mirë për fëmijë" iu akordua Gaqo Bushakës, për librin "Pas festës së abetares". Këtë vit juria akordoi një çmim të veçantë, atë të përkthyesit më të mirë të veprës së Albert Kamysë, në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh. Ky çmim iu dha pas vdekjes profesor Petrit Sinanit për përkthimin "Miti i Sizifit". Juria e Panairit të Librit akordoi dhe çmimin "In memoriam" për zonjën Hida Halimi për romanin "Shpina".

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China