20151211bebedimerpj1 |
Temperaturat e ulëta nuk janë pengesa për shëtitjet gjatë dimrit me fëmijët tuaj. Gjyshet sigurisht nuk do të pajtoheshin në lidhje me këtë, por foshnjen duhet që çdo ditë ta ekspozoni në ajër të pastër, duke filluar kështu prej javës së dytë pas lindjes. Me foshnjet që kanë lindur gjatë periudhës së dimrit duhet të jemi më të vëmendshëm dhe të prisni të mbushin një muajsh që të fillojmë me shëtitjet. Kohëzgjatjen e shëtitjes duhet rritur gradualisht nga dita në ditë që të mësohet foshnja me ajrin e pastër. Temperaturat e ulëta nuk janë pengesa për shëtitjet, përderisa nuk ka rënie të temperaturës në -10 gradë Celsius. Të vetmet pengesa në dimër janë era, shiu apo bora me shi, si dhe mjegulla. Meqë dimrit paraditet janë më të ngrohta, mundohuni që ritmin e foshnjes ta sinkronizoni dhe të shëtitni çdo ditë paraditeve. Shëtitjet me prindërit apo edhe me gjyshërit, përmirësojnë në përgjithësi gjendjen e fëmijës, sepse ajri pastër ndikon në apetit, gjumë, disponim si dhe në rezistencën ndaj infeksioneve. Gjatë shëtitjes foshnja mëson tingujt, objektet, ambientin, njihet me botën e jashtme si dhe anasjelltas.
Si ta vishni beben në dimër?
Meqënëse tek vogëlushët deri në dy vjeç, trupi adaptohet me vështirësi me temperaturat e ulëta dhe mund të ftohet lehtë, duhet që t'i veshim mirë me rroba më të trasha. Kapelet, shalli dhe dorëzat janë pjesë të rëndësishme të veshjes gjatë dimrit, si dhe me rëndësi të veçantë janë çizmet të cilat duhet të jenë të përshtatshme për dimër, nëse foshnja juaj ka filluar të ecë. Nëse fëmija juaj ka filluar të ecë dhe të kënaqet në dëborë, në rastet nëse rrobat dhe çizmet i janë lagur atëherë duhet t'i ndërroni menjëherë. Fëmija sipas rregullit duhet veshur ashtu si vishen prindërit. Por, edhe nëse jashtë është vetëm pak freskët, foshnja duhet të mbajë kapele. Nëse temperatura është rreth zeros, veshët e foshnjes duhet të jenë të mbuluara me kapele, duart me dorëza dhe fyti me shall. Nëse fryn erë, me shallin e foshnjes duhet ti mbulohet edhe fytyra por jo edhe hunda. Gjithsesi, në periudhën e dimrit merrni me vete gjatë shëtitjes edhe mbrojtësen për karrocë, në rastet e ndërrimit të motit, mund ta mbroni foshnjen tuaj. Po ashtu, edhe nëse gjatë shëtitjes bëhet ngrohtë, mund ti hiqni ndonjë nga palët e rrobeve nga foshnja. Kur hyni në ndonjë ambient të ngrohtë, madje edhe për ca minuta, foshnjen duhet ta bëni të ndihet rehat. Duhet të keni kujdes që të mos e mbështjellni foshnjen së tepërmi, sepse mund të pësojë ndonjë sulm termik. Ekspertët pohojnë që mbështjellja e foshnjeve gjatë muajve të dimrit, kur gripi dhe infeksionet tjera respiratore janë më të përhapura, mund të shkaktojë sindromin e vdekjes së papritur të foshnjave (SIDS).
Sa kohë duhet kaluar jashtë në ajër të pastër gjatë dimrit?
Se sa kohë do të kaloni në ajër të pastër varet nga temperatura e jashtme. Nëse temperatura është e ulët, edhe nëse foshnja e mbështjellur mirë nuk do të duhej të qëndrojë gjatë jashtë. Nëse foshnja i ka duart e nxehta dhe po ndihet mirë, atëherë mund të qëndroni jashtë ende. Nëse duart e foshnjes janë të ftohta dhe ajo është e parehatshme, atëherë sigurisht është koha të hyni brenda (përveç në rastet kur mund të jetë edhe e uritur, e etur apo nëse e ka bërë nevojën) atëherë është koha t'i ktheheni ngrohtësisë së shtëpisë suaj. Nëse fillon të qajë, gjithsesi përfundojeni shëtitjen.
A i duhet mbrojtje e veçantë lëkurës së foshnjes gjatë dimrit?
Lëkura e foshnjes mund të bëhet e thatë dhe mund të pësojë ndryshime nga era. Për këtë përdorni ndonjë krem të posaçëm për lëkurën e foshnjave. Nëse jeni në pushime në vende ku ka shumë dëborë, fëmija do të duhej të përdorë syze mbrojtëse si dhe krem me faktorë të lartë mbrojtës. Për zgjedhjen dhe përdorimin e kremit konsultohuni me pediatrin tuaj sepse sikurse tek të rriturit edhe tek fëmijët lëkura e tyre ndryshon. Sapunet dhe kimikatet e thajnë lëkurën, për këtë në periudhën e dimrit duhet t'i përdorni me masë. Pas larjes mos e fërkoni lëkurën e foshnjes, vetëm thajeni me peshqir. Gjatë periudhës së dimrit është mirë që të keni lagështi në ajrin e dhomës së foshnjes, që t`ia lehtësoni frymëmarrjen.
Cilat rreziqe i kanosen foshnjes gjatë dimrit?
Duhet të merakoseni nëse hunda, veshët, faqet apo gishtërinjtë e foshnjes mbeten të ftohta dhe marrin ngjyrë blu-hiri. Kjo tregon morth dhe mund të shkaktojë lëndime serioze. Në këtë rast foshnja duhet ngrohur urgjentisht: ndoshta këtë mund ta bëni ju, zhvishni pallton tuaj dhe përqafojeni foshnjen që t`ia rritni temperaturën e trupit përmes temperaturës tuaj të trupit dhe sa më shpejt që mundeni shkoni tek mjeku. Nëse nuk keni mundësi që të vizitoni mjekun, mundohuni që ta ngrohni foshnjen në shtëpi, sepse mund të përkeqësohet situata. Vendin e ngrirë të trupit duhet ta ngrohni në ujë i cili është i ngrohtë pak mbi temperaturën normale të trupit, në asnjë mënyrë më shumë se 39 gradë Celsius (gjithsesi përdorni termometër!).