PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Shpresë e re për të mundur kancerin në zorrën e trashë
2015-11-13 10:54:37 CRI Komenti juaj Printoni

S

hkencëtarët nga Universiteti Teknologjik Nanyangy (NTU) kanë përdorur bakterie të ngordhura, që gjenden kryesisht në tokë, për të vrarë qelizat e kancerit në zorrën e trashë.

 

Në lajmin e së hënës (9 nëntor), NTU-ja tha se një grup studiuesish kryesuar nga profesori Teoh Swee Hin kanë arritur në përfundimin se këto bakterie vrasin qelizat kancerogjene.

Grupi i studiuesve i bëri eksperimentet në një mjedis artificial të ngjashëm me trupin e njeriut. Nga eksperimenti 72 orësh, bakteriet jo aktive reduktuan rritjen e tumorit të zorrës së trashë me 74 për qind.

TU-ja tha se format e zakonshme të trajtimit të kancerit si kimioterapia apo rrezatimi nuk kanë rezultatin e duhur për shkak të reduktimi të qarkullimit të gjakut, mungesës së oksigjenit etj. Thuhet se këto terapi përdorin molekulat e oksigjenit për të dëmtuar AND-në e qelizave kanceroze dhe mbështeten tek qarkullimi i gjakut për transportimin e ilaçit tek tumori.

"Në të kundërt, grupi i NTU-së tregoi se bakteri jo aktive C. sporogenes mund të vrasë qelizat e tumorit në një mikromjedis pa oksigjen," sipas NTU-së.

"Zbuluam se edhe kur bakteri C. sporogenes nuk është i gjallë, potenciali i tij për të vrarë qelizat kancerogjene vazhdon," tha prof Teoh.

Prof. Teoh shtoi se grupi ynë i kërkimit e provoi eksperimentin me bakterie të gjalla për të vrarë qelizat kanceroze, por ky lloj trajtimi shtoi rrezikun për infeksion, bakteri mund të zhvillohet më tej dhe të shkaktojë dëme.

 

"Në studimin e NTU-së, me vrasjen e bakterieve nga nxehtësia, nuk u pa rrezik për shumimin e tyre."

Profesor James Best, dekani i fakultetit të Mjekësisë pranë NTU-së, Lee Kong Chian tha: "Ky është një zbulim shumë domethënës, i hap rrugë trajtimit të këtij kanceri, që është shumë i vështirë për t'u trajtuar pas përhapjes. Nëse kapet në filim, kërkimi ynë ofron shpresë për trajtim të ri për miliona njerëz të prekur nga kanceri i zorrëve çdo vit."

Studimi u publikua në gazetën "Scientific Reports" në tetor.

Sipas autoriteteve të shëndetit, kanceri i zorrës së trashë është kanceri numri një në Singapor dhe prek kryesisht meshkujt.

Sipas kirurges Lida Shosha, një prej problemeve më të rënda me të cilat përballet aparati tretës në organizmin e njeriut, është kanceri i zorrës së trashë. Një problem shqetësues në mbarë botën, incidencë e kësaj sëmundjeje është më shumë se 1 milion të prekur të rinj çdo vit, kurse sa i përket vdekshmërisë vjetore nga sëmundja, ajo llogaritet në më shumë se 500 mijë raste. Kanceri kolorektal renditet i dyti në listën e tumoreve, përsa i përket vdekshmërisë në të dy sekset, por me një incidencë më të lartë tek meshkujt. Risku për kancerin e zorrës varion nga njeri vend në tjetrin, brenda të njëjtit vend, si dhe nga individi në individ, nga faktorët trashëgimtarë, gjenetikë, stili i jetesës, dieta, konsumimi i duhanit etj. Është sëmundja e tretë më e diagnostikuar ndër sëmundjet tumorale dhe zë vendin e dytë për vdekjet nga tumori në burra dhe gratë, ndërsa kanceri anal përbën rreth 4% të rasteve të diagnostikuar me kancer të zorrës së trashë.

Çfarë është kanceri i zorrës së trashë?

Kanceri është formacion tumoral me qeliza atipike që rritet në paretin e zorrës së trashë dhe duke u zhvilluar, prek gradualisht gjithë murin e saj dhe përhapet lokalisht dhe në distancë në organe të tjera të trupit.

Faktorët e riskut të sëmundjes

• Mosha mbi 50 vjeç, seksi mashkull, konsumimi i tepruar i yndyrave, i mishit të kuq, alkoolit, obeziteti, pirja e duhanit etj.

• Anamnezë personale për polip të zorrës së trashë apo për kancer të ovarit, gjoksit, apo të endometriumit.

• Histori familjare për kancer të zorrës së trashë. Këta persona janë 2-3 herë më të predispozuar të zhvillojnë kancer se personat pa histori familjare.

• Sëmundjet inflamatore të zorrës së trashë.

Simptomat e kancerit varen nga lokalizimi i tumorit dhe nga shkalla e përhapjes së tij.

Shenjat më klasike të tumorit të zorrës së trashë janë:

• Hemoragjia nga zorra

• Ndryshime në mënyrën e jashtëqitjes

• Dhimbje dhe fryrje të barkut

• Ulje të oreksit që pasqyrohet me rënie në peshë të pacientëve, nauze ose të vjella.

• Lodhje e shprehur trupore

• Dhimbje anale

• Kanceri i zorrës së trashë ul cilësinë e jetës së pacientëve

Diagnoza e kancerit kolorektal

• Kolonoskopi & biopsi e formacionit të gjetur në zorrën e trashë.

• Imazheri e avancuar si skaneri (CT), PET, rezonanca magnetike (MRI) torako abdomino-pelvike për të parë shtrirjen e sëmundjes dhe për të bërë ndarjen në stade të saj.

• Kompletimi me bilancet biokimike dhe markuset tumorale CEA, C 19-9 i jep kirurgut një pikturë reale të gjendjes së pacientit.

Trajtimi i kancerit kolorektal

Tri janë shtyllat ku bazohet protokolli i trajtimit të kancerit kolorektal: Trajtimi kirurgjikal + Kemioterapi + Radioterapi.

Kirurgjia: Për tumoret e lokalizuara aplikohet operacioni kirurgjikal, i cili bën heqje kirurgjikale komplet të tumorit në kufij të pastër për të arritur shërimin e pacientit. Kjo realizohet me laparatomi ose laparaskopi. Nëse ka metastaza të lokalizuara në mëlçi apo në mushkëri ato mund të hiqen.

Kemioterapia mund të përdoret para operacionit sidomos në kancerin e rektumit, por aplikohet dhe pas operacionit kirurgjikal si terapi ndihmëse. Nëse tumori ka metastaza gjerësisht, atëherë terapia është paliative.

Radioterapia kombinimi i kemioterapisë dhe radioterapisë kryesisht aplikohet për kancerin e rektumit. Ashtu si kemioterapia, radioterapia përdoret si terapi preoperatore në stade të caktuara të kancerit rektal. Për shkak të sensitivitetit që kanë zorrët ndaj radiacionit, përdorimi i saj nuk është rutinë në trajtimin e kancerit të kolonit.

Masat parandaluese

- Disa kancer të zorrës së trashë mund të parandalohen nëse rritet mbikëqyrja dhe zakonet e jetesës.

- Rekomandimet për ndryshimin e mënyrës së ushqyerjes konsistojnë në konsumimin e drithërave, perimeve, frutave dhe reduktimin e mishit të kuq. Aktiviteti fizik ndikon relativisht më pak.

- Marrja e aspirinës dhe Onsenal (ilaç që futet në grupin e anti-inflamatorëve josteroide dhe ul incidencën e polipeve kolorektale). Marrja e Vitaminës D, është e shoqëruar me incidencë të ulur të kancerit kolorektal.

Kontrolli me ekzaminime të zorrës

∙ Me tepër se 80% e kancerit të zorrës vjen nga polipet adenomatoze, të cilat identifikohen nga kolonoskopia dhe nëse ato kapen 2-3 vjet para se të shfaqet kanceri simptomatik, vdekjet nga tumori ulen deri në 60%.

∙ Kolonoskopia, sigmoidoskopia fleksibile, feçe gjak okult ndihmojnë në diagnostikimin e hershëm të polipeve.

∙ Nga mosha 50-75 vjeç rekomandohet të bëhet çdo dy vjet feçe gjak okult, sigmoidoskopi çdo 5 vjet, kolonoskopi çdo 10 vjet. Në rastet me rrezik të lartë, ekzaminimi duhet të fillojë pas moshës 40 vjeç. Pas moshës 75 vjeç kontrollet rekomandohen në varësi të situatave problematike që mund të paraqiten.

Tumoret mund të jetë beninje (jo kanceroze) ose malinje (kanceroze).

Tumoret beninje nuk janë kanceroze:

Rrallë janë kërcënuese për jetën

Mund të largohen dhe zakonisht nuk kthehen

Nuk pushtojnë inde të tjera rreth tyre

Nuk shpërndahen në pjesë të tjera të organizmit.

Tumoret malinje janë kanceroze dhe:

Mund të jenë kërcënuese për jetën

Zakonisht mund të largohen, por ndonjëherë kthehen

Mund të pushtojnë dhe dëmtojnë indin dhe organet rrethore

Mund të shpërndahen në pjesë të tjera të organizmit.

Sipas gazetës Shqip, kur kanceri kolorektal shpërndahet jashtë kolonit dhe rektumit, qelizat kanceroze shpesh gjendet në nyjat limfatike në afërsi. Nëse qelizat kanceroze kanë arritur në këto nyja, ato mund të jenë shpërndarë edhe në nyjat tjera ose organet limfatike. Kanceri kolo-rektal më së shpeshti shpërndahet në mëlçi.

Kur kanceri shpërndahet nga vendi origjinal në një pjesë tjetër të trupit, formohet tumor i ri me të njëjtat qeliza anormale dhe me të njëjtin emër si tumori origjinal (primar). Për shembull, nëse kanceri kolorektal shpërndahet në mëlçi, qelizat kanceroze në mëlçi në fakt janë qeliza kanceroze kolorektale. Sëmundja quhet kancer kolorektal metastatik, jo kancer i mëlçisë. Për këtë arsye, ai trajtohet si kancer kolorektal, dhe jo si kancer i mëlçisë. Tumori i ri quhet edhe tumor i largët ose metastatik.

Dieta në vazhdim është një këshillë e "American Cancer Society" për reduktimin e rrezikut për t'u prekur nga tumoret. Kjo dietë është e sugjeruar nga mjekët amerikanë, ndihmon edhe për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe në përgjithësi regjimit për një shëndet më të mirë.

Ka vite që përsëritim se një dietë e shëndetshme dhe aktiviteti i duhur fizik na mbrojnë nga shumë lloje tumoresh. Por me kalimin e kohës, këshillat e marra dhe sugjerimet nga studimet e shumta, njëra më kontradiktore se tjetra, më shumë na kanë ngatërruar se sa na kanë qartësuar. Për të bërë diferencën na ndihmon guida e "American Cancer Society", e publikuar kohë më parë në "Cancer Journal for Clinicians". Në këtë publikim, ekspertët pas një pune përmbledhëse të literaturës shkencore u përgjigjen edhe pyetjeve më të shpeshta për ushqimet, pijet, substancat apo regjimet ushqimore mbi të cilat kemi pasur shumë dyshime në këto vite: për shembull ushqimet bio apo pijet e gazuara.

Udhëzimet

Aktualisht në guidën amerikane janë edhe rekomandimet e përgjithshme, mes të cilave: ndjekja e një diete të shëndetshme që bazohet te perimet, të zgjedhësh drithëra jo të përpunuara, konsumimi i mishit të kuq dhe aktiviteti fizik. Për t'i bërë më praktike këto këshilla, ekspertët janë bazuar shumë te numrat. Duke filluar nga 50-100k/kal në ditë, në mënyrë që të parandalohet shtimi në peshë. Mbajtja e një peshe trupore të shëndetshme, është një nga mjetet më të rëndësishme për të reduktuar rrezikun e tumoreve. Të paktën 150 minuta në javë duhet t'i kushtoheni aktivitetit fizik me intensitet të moderuar për çdo të rritur me peshë normale. Akoma shifra të rëndësishme: 5 porcione frutash dhe perimesh në ditë janë gjithashtu të rëndësishme për reduktimin e tumoreve.

Dy gota me madhësi mesatare maksimumi për burrat dhe një për gratë janë njësitë e lejuara për pijet alkoolike sipas mjekëve. Limiti i sugjeruar merr parasysh efektet pozitive në sistemin kardiovaskular, si pasojë e konsumit të ulët të alkoolit, sepse nëse do të ishte vetëm për parandalimin e tumoreve, do të ishte më mirë të mos futej alkool në gojë. Këto janë vetëm rekomandimet e përgjithshme, po në guidë përmenden edhe faktorë që lidhen me dietën dhe aktivitetin fizik, të lidhura sa më fort me rrezikun për disa lloje tumoresh dhe që mund të kenë një domethënie më të madhe, sidomos për ata që kanë një lloj familjariteti me këto lloj sëmundjesh. Mes këtyre këshillave më specifike, përveç kontrollit të peshës, një aktiviteti fizik të përshtatshëm dhe një konsumi të mirë të frutave dhe perimeve gjenden edhe këshilla më pak të njohura nga të gjithë ne. Për shembull, për të reduktuar rrezikun e tumoreve të prostatës (tumori më i përhapur mes meshkujve) shtohet në veçanti edhe kufizimi i kalciumit dhe fakti që të mos kalohet me ushqime dhe pije sasia e rekomanduar për këtë element. Për të reduktuar rrezikun e tumorit të gjirit (më i shpeshti mes tumoreve që prekin femrat) i jepet shumë rëndësi edhe reduktimit të pijeve alkoolike. Po ashtu duhet thënë se faktori më i rëndësishëm duket se është konsumi i përgjithshëm i alkoolit dhe jo lloji i pijes alkoolike që konsumohet.

Për të reduktuar rrezikun e tumoreve në zorrën e trashë, theksi vihet mbi të gjitha te rëndësia për të kufizuar konsumin e mishit të kuq të përpunuar dhe alkoolit, te zgjedhja e drithërave integrale, të mos zbresësh nën nivelin e rekomanduar të kalciumit dhe të sigurosh nivele të mjaftueshme të vitaminës D. Për të reduktuar rrezikun e tumorit në stomak, nënvizohet në veçanti zvogëlimi i konsumit të kripës, turshive dhe mishrave të përpunuar, ndërsa për të ulur rrezikun e prekjes nga kanceri në ezofag, në veçanti rekomandohet kufizimi i alkoolit (dhe aq më tepër i duhanit) dhe ushqimeve tepër të nxehta. "Në çdo rast, edhe pse dieta për reduktimin e rrezikut për t'u prekur nga tumoret është në një linjë me atë të sugjeruar për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, diabetit dhe në përgjithësi për një shëndet më të mirë, e rëndësishme është të mos vendosim se çfarë duam të parandalojmë, por çfarë duhet të bëjmë për të përmirësuar stilin tonë të jetesës", tregojnë mjekët.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China