Kurimi i një çrregullimi psikologjik mund të bëhet edhe nga një film. Të shkosh në kinema për të parë një film dhe të zgjidhësh shqetësimin me veten apo të tjerët, gjendjen e ankthit apo të depresionit, çrregullimet e humorit etj mund të realizohet.
Kjo hipotezë, pavarësisht se i ka rrënjët në antropologjinë e personalitetit ekzistencial, të ideuar rreth 40 vjet më parë nga profesori italian Antonio Mercurio, për herë të parë është hedhur për diskutim shkencor nga psikoanalisti amerikan Gary Solomon, i cili u këshillonte pacientëve të shihnin ndonjë film, sipas problemeve apo shqetësimeve që ata i shprehnin.
Kështu lindi Terapia e Kinemasë, që me kalimin e viteve, ka gjetur një mbështetje në rritje tek specialistët e shëndetit mendor. Në këtë drejtim Instituti i Shkencës Neurologjike i Firences e përdor terapinë e kinemasë kryesisht për pacientët që vuajnë nga depresioni, gjendja e ankthit dhe çrregullimet e humorit.
Por duhet të kemi të qartë faktin se terapia e kinemasë nuk ka synim vetëm rregullimin e momentit të gjendjes psikologjike të personit. Synimi i tij duhet të ketë efekt sipas problemeve psikologjike që shfaq personi, të luajë rol jo vetëm në të tashmen por dhe në të ardhmen e tij, duke ndikuar në përmirësimin e gjendjes psikologjike të pacientit.
Ndikimi i terapisë së kinemasë tek shëndeti
Ndikimi i terapisë së kinemasë te shëndeti konfirmohet nga një studim i kryer në Universitetin e Miçiganit në SHBA, sipas të cilit verifikohet se si ndryshon gjendja psikologjike e një pacienti gjatë shikimit të një filmi. Madje ky studim thotë se kur pacienti ndjek një film tek ai vërehen dhe ndryshime hormonale.
Filma me subjekte të rënda si "Kumbari" ndikojnë në rritjen e testosteronit (hormonit mashkullor). Ndërsa në filma të tjerë dramatikë apo romantikë studjuesit vunë re së tek pacientët rritet progresteroni (hormoni femëror).
Përzgjedhja e filmave që përdoren për pacientët gjatë terapisë së kinemasë nuk bëhet rastësisht, por filmat zgjidhen sipas një kriteri të përcaktuar: subjekti i filmit duhet të pasqyrojë ndryshimin e një personazhi, nëpërmjet të cilit pacienti që e ndjek filmin të përfshihet emocionalisht. Më pas eksperti i terapisë së kinemasë i kërkon pacientit të përqëndrohet në disa elemente të veçantë të filmit dhe të mos u kushtojë vëmendje disa të tjerëve. Psikologu në këtë rast eviton elementet kritikë në film dhe përqëndrohet te ata emocionalë, me të cilët duhet të përballet pacienti i tij gjatë terapisë së kinemasë.
Studimet kanë vërtetuar se historia e trajtuar në një film prodhon tek pacientë afërsisht të njejtat efekte me hipnozën: shfaqjet e elementeve mendore, të ngjashme me ato të fjalëve imagjinare që përdoren gjatë hipnozës. Në ndryshim nga hipnoza, në kinema nuk përdoret gjendja e ndërgjegjes; por ngarkesa emocionale që të krijon një film, e cila arrin të ndryshojë gjendjen psikofizike të pacientit. Këtë gjendje emocionale gjatë filmit e krijon interpretimi i aktorëve, muzika e filmit, pamjet e ndryshme dhe pothuajse të gjithë detajet artistikë të tij.
Nëpërmjet terapisë së kinemasë tek pacienti zgjohen elementë të ndryshëm të nënvetëdijes, të cilët ishin mbyllur në harresë te pacienti. Në këtë mënyrë nëpërmjet terapisë së kinemasë realizohet një lloj "katarsisi" (vetëpastrimi) por ky është një pastrim i psikikës, që në shumicën e rasteve ka patur rezultat pozitiv në pacientët me probleme depresioni apo ndryshim humori.
Si realizohet një seancë e terapisë së kinemasë
Terapia e kinemasë nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhjen e një filmi. Të shkosh në kinema të ndryshon për mirë humori,pasi përfshihesh nga emocione, madje edhe në rast se filmi nuk të pëlqen. Por për të kryer terapinë e kinemasë duhet ndjekur një kurs i kordinuar nga një operator i specializuar. Çdo seancë terapie parashikon ndjekjen e një filmi në një sallë projektimi filmash, ku nuk duhet të ketë më shumë se 50 spektatorë. Të shikosh një film në grup është më e këshillueshme se sa vetëm, pasi sipas psikologëve pacienti ndjen një energji më të madhe. Çdo pacient sipas problemit të tij ndikohet nga një film në mënyrë të ndryshme.
Pas ndjekjes së filmit nga ana e pacientëve, ata ndahen në grupe prej 15 vetësh dhe psikologu nis me ta analizimin e temës që i intereson të diskutohet nga pacientët. Është pikërisht psikologu që drejton terapinë nëpërmjet filmit që sapo kanë parë pacientët e tij.
Secili pacient flet për emocionet që ka provuar gjatë filmit, por në prani edhe të pacientëve të tjerë që e ndjekin atë. Pjesmarrësit në terapitë e kinemasë tregojnë esksperiencën e tyre të ngjashme me atë të filmit që kanë ndjekur, mund të jetë e lumtur apo e trishtuar por në fund të terapisë të gjithë ndjehen më të lehtësuar nga ana emocionale dhe psikologjike.Ky është qëllimi i vërtetë i terapisë së kinemasë, që pacientët që vuajnë nga depresioni, gjendja e ankthit, ndryshimet e humorit të arrijnë të shprehin përmes emocioneve që të ngjall një film, shqetësimet e tyre.