20141017dieata |
Sapo shëndoshemi pak, menjëherë mendja na shkon tek dieta. Pastaj përballemi me vështirësinë se cilën prej dietave duhet të zgjedhim, pastaj jemi në dilemë a do ketë efekt kjo apo ajo dietë? A është e përshtatshme ajo për organizmin tonë.... Pasi e mbajmë dietën kemi frikë se po ta lëmë do shëndoshemi edhe më shumë se më parë. Sot qarkullojnë disa dieta. Në këtë material do të trajtojmë disa prej tyre, më të suksesshmet apo ato të provuara nga vipat.
Dieta ka kuptimin se çfarë konsumon apo pi një person gjatë një vakti. Sot ekzistojnë shumë lloje dietash, si dieta Atkins, dieta e Dukanit etj. Dieta Atkins rekomandon që njeriu mund të hajë pa kufi ushqime me përmbajtje proteinash dhe yndyrnash duke përcaktuar sasinë e tyre sipas oreksit, ndërsa dieta e Dukanit i lejon njerëzit të hanë sa të duan ushqime me përmbajtje proteinike. Dieta e Dukanit rekomandon ushqim të pasur me proteina dhe konsumim të sasive të vogla të yndyrnave dhe karbohidrateve. Ajo është e ngjashme me dietën e Atkins dhe shpeshherë quhet dieta franceze e Atkinsonit.
Me dietën e Dukanit janë dobësuar Penelope Cruz, Jennifer Lopez, Gizele Bundchen pas kilogramëve që kanë fituar gjatë shtatzanisë.
Megjithatë, duhet të kemi parasysh që një dietë me porcione tejet të vogla ose një dietë që mënjanon plotësisht disa tipe ushqimesh për të rënë në peshë në një periudhë të caktuar nuk shërben për një kohë afatgjatë. Është më mirë të përdorim një dietë që përmban një kombinim ushqimesh me kalori të mjaftueshme dhe vlera ushqyese për shëndetin.
Gjatë planifikimit të dietës ka shumë rëndësi që të konsideroni nivelin e kalorive që vlen për ju. Mirë është të shihni nëse kjo dietë është e balancuar apo jo. Dietologët theksojnë se dietat drastike mund të rezultojnë të dëmshme për shëndetin tuaj. Megjithëse nëpërmjet një diete drastike kilogramët mund të humbasin më shpejt, kjo mund të jetë një "thikë me dy presa" për të ardhmen, pasi, së pari mund të keni probleme me stomakun etj, dhe së dyti nëse pas kësaj diete konsumoni shumë ushqim, pra një dietë jo të ekuilibruar, nuk përjashtohet mundësia që të shtoni dyfishin e kilogramëve që kishit përpara se të nisnit dietën drastike.
Niveli i kalorive
Dietat me pak kalori. Shumica e dietave për rënien në peshë ofrojnë kalori të ndryshme. Megjithatë, numrin e kalorive që është i përshtatshëm për ju varet nga pesha juaj dhe niveli i aktivitetit sportiv.
Vlerat e duhura ushqyese
Sigurohuni që dieta juaj i përmban të gjithë elementët ushqyes, thelbësor për mbajtjen e një shëndeti të mirë.
Përdorimi i Piramidës së Ushqimeve mund t'ju ndihmojë për realizuar dietën e duhur për ju. Kjo piramidë na tregon sasinë dhe llojin e ushqimit që duhet të konsumojmë në ditë për shëndet të mirë.
Një dietë e shëndetshme duhet të përmbajë;
- Vitamina dhe Minerale. Konsumimi i një variacioni të gjerë ushqimesh pothuajse nga të gjitha grupet ushqimore na shërben për të përfituar të gjitha vitaminat dhe mineralet që na nevojiten.
- Proteinat. Proteinat janë shumë të rëndësishme për organizmin pasi shërbejnë për ndërtimin edhe ripërtëritjen e tij. Femrat e moshave 25 vjeç e lart duhet të konsumojnë 50 gramë proteinë në ditë, ndërsa meshkujt 63 gramë proteinë çdo ditë. Për të përfituar sasinë e duhur të proteinave në ditë duhet të sigurohemi që dieta ditore të jetë e pasur me mish ose peshk, vezë dhe arra. Të gjitha këto janë burime të shkëlqyera proteinash.
-Karbohidratet– Të paktën 100 gramë karbohidrate në ditë janë të nevojshme për parandalimin e lodhjes dhe çekuilibrimit të lëngjeve në trup. Tek karbohidratet bëjnë pjesë buka, cerealët e mëngjesit, orizi, makaronat e tj.
Fibrat- Fibrat na ndihmojnë për të ruajtur funksionin e duhur të zorrëve. Nëse gjatë një dite konsumoni 1 filxhan cerealë, gjysmë gote lëng karote, pak fasule, një dardhë dhe një mollë, atëherë keni fituar 30 gramë fibra, pra, keni përmbushur nevojat ditore për fibrat.
Gjatë dietës suaj bëni kujdes me yndyrnat, mundohuni ti reduktoni sa më shumë, pasi ky reduktim ul rrezikun për sëmundjet kardiovaskulare dhe ju bën të bini nga pesha gjithashtu. Këtu kini parasysh që një vezë përmban 215 miligramë kolesterol, ndërkohë që niveli ditor i kolesterolit nuk duhet të kalojë 300 miligramë.
Uji është një element shumë i rëndësishëm për shëndetin. Në ditë duhet të konsumoni të paktën 8 deri në 10 gota ujë.
Pra, dietologët këshillojnë një dietë që është e përshtatshme për ju, duke llogaritur shumë faktorë e duke u bazuar në vlerat ushqyese të produkteve që do të konsumoni.
Dieta është mirë të jetë e ekuilibruar dhe për një kohë të gjatë. Dieta e shëndetshme kërkon durim, mund të ndodhë që në javë të humbisni rreth 2 kg, e jo 6-8 kg si në dietat drastike. Kini parasysh që shumë persona janë të prirur për t'i rifituar kilet e humbura. Të ushqehesh me një dietë të shëndetshme dhe të ekuilibruar për të ruajtur peshën e arritur, e gjithashtu kombinimi i aktivitetit të rregullt fizik, ndihmon në parandalimin e rifitimit të kileve.
Një nga dietat e shumë diskutuara kohët e fundit në internet apo programe të ndryshme televizive është dieta e Paleolitit.
Era e paleolitit ka zgjatur rreth 2.5 milionë vjet dhe përfundoi rreth 10 mijë vjet më parë me lindjen e bujqësisë dhe të blegtorisë. 10 mijë vjet mund të duken shumë, por kur është fjala për evolucionin, këta janë aq të shkurtër, sa nuk mund të shkaktojnë ndikim mbi gjenet njerëzore. Prandaj, teorikisht, ne, njerëzit modernë me kostume, me vetura, me kompjutera e me koka-kola, nuk kemi shumë dallim nga paraardhësit tanë të pazhvilluar. Profesori i Departamentit të Shëndetit dhe Fizkulturës të Universitetit Shtetëror të Kolorados në ShBA Loren Cordain është i mendimit se sfidat e sotme për shëndetin e njerëzve modernë kanë ardhur pikërisht nga kjo strukturë fiziologjike dhe mënyra e gabuar e jetesës.
Loren Cordain-i është një nga nxitësit kryesorë të "dietës së paleolitit" që është ndjekur gjerësisht vitet e fundit në SHBA. Në një nga librat e tij "Përgjigjja e paleolitit: 7 ditë për të rënë në peshë, për t'u ndier mirë dhe për të mbetur i ri" ai shpjegon rëndësinë e kësaj diete.
Dieta e paleolitit përbëhet nga ushqimet që hanin paraardhësit tanë, kryesisht fruta e perime të freskëta, arra, peshk e mish pa dhjamë, shumica të pasura me proteina e vitamina, kripëra minerale e fibra, dhe me pak kripë e karbohidrate. Gjatë epokës së paleolitit, njerëzit që jetonin në shpella, nuk kishin ku të gjenin qumësht, drithëra, patate, bishtaja, ëmbëlsira, hamburger etj. Këto ushqime nuk mund të përshtaten ndoshta me trupin tonë. Po të hamë këto ushqime në sasi të madhe, do të sëmuremi nga aknet, diabeti, sëmundjet e zemrës, kanceri etj.
Ndërkohë, libri tjetër "Dieta e paleolitit" është mirëpritur gradualisht nga shkenca. Por, në të njëjtën kohën kur ky libër është përhapur shumë, disa studiues i kanë vënë në pikëpyetje idetë e tij. Pak kohë më parë, revista amerikane "U.S. News & World Report" u kërkoi 22 specialistëve të ushqimit të bënin një vlerësim shkencor për 20 dietat më të parapëlqyera. "Dieta e paleolitit" u radhit e fundit. Një specialist u shpreh se edhe sikur struktura ushqimore e njerëzve të kohës së paleolitit të ishte e shëndetshme, në shoqërinë e tanishme, nuk ekzistojnë më kafshë të egra dhe bimë të egra. Prandaj, e ashtuquajtura "dietë e paleolitit" është krejtësisht e pamundur të ndiqet.
Nga ana tjetër, shumë mbështetës të kësaj diete kanë botur një sërë librash dhe artikujsh për nxitjen e saj.
Po në çfarë ushqimesh konsiston kjo dietë?
Kjo dietë përbëhet nga ushqimet si peshku, vezët, arrat, rrënjët e bimëve, frutat dhe manat e ndryshme.
Megjithëse versioni origjinal i kësaj diete është pothuajse i pamundur të realizohet nga njeriu i sotëm, mund të mbani një dietë të modifikuar sipas këtij modeli që nuk përmban gluten dhe përfshin, peshkun, ushqimin e shpendëve, vezët, perimet, frutat dhe arrat.
Kjo dietë nuk përmban asnjë ushqim të përpunuar apo gjysmë të gatshëm, gjithashtu prodhime bulmeti, grurë, sheqer, patate, vajra të përpunuar apo patate të skuqura, koka-kola, pije me gaz, ëmbëlsira etj.
Gjatë kësaj diete ju duhet të evitoni kripën dhe çdo lloj tjetër lëngu përveç ujit ose çajit jeshil organik
Dieta e wall street-it
Kur përmendim Wall Street-in na shkon në mend qendra e financës botërore, kriza e kredive që përfshiu gjithë botën në vitin 2007, tregu i aksioneve... por vështirë se ndonjëri do ta bashkëshoqëronte këtë emër me një metodë të re për të mbajtur trupin në formë. Në emisionin e sotëm do t'ju njohim pikërisht me një dietë të quajtur "Wall Street".
Planifikimi i rreptë dhe menuja me ushqyes të pasur mbeten akoma përrallë për njerëzit që ia kushtojnë pothuajse gjysmën e kohës biznesit ose për ata që hanë tre herë në ditë jashtë, por pa pasur shumë zgjedhje. Përgjigjja e tyre për mosmbajtjen e ndonjë diete që sugjeron mjeku është shumë e thjeshtë: nuk kemi kohë. Stresi i madh që vjen nga puna e bën njeriun të pavendosur t'u rezistojë ushqimeve të pashëndetshme, të pasura me yndyrna, sheqerna dhe kalori. Nëse punoni deri në orët e vona të natës, një kupë akullore ose një picë do t′ju kënaqë shumë, por nëse vazhdoni të hani në këtë mënyrë, do të përballeni shpejt me ngritjen jo vetëm në peshë, por edhe në nivelin e yndyrës e të sheqerit në gjak.
〝Rëndësi nuk ka vendosmëria, por është strategjia.〞Këtë thënie shumë të famshme nga fusha e biznesit Heather Bauer e ka vendosur në kopertinën e librit të vet me titull 〝Dieta e Wall Street-it: Plani i thjeshtë i uljes së peshë për njerëzit që punojnë me zell e nuk kanë kohë për dietë〞. Si një dietetiste e licensuar dhe që ka biznesin e vet në Nju-Jork, zonja Bauer ka një numër të madh klientësh që 〝ecin shumë shpejt〞: drejtorë ekzekutivë, agjentë të Wall Streetit, prodhues filmash, mjekë, juristë ... Libri i saj u kushtohet pikërisht këtyre njerëzve.
Pavarësisht ç'lloj diete po mbani, dietën e Atkinsit me pak karbohidrate dhe të pasur në proteina, ose dietën që mbështetet në strukturën e të ushqyerit të paleolitit, nëse arrini të këmbëngulni mbi 2 vjet, do të jeni fitues. Por vetëm një e dhjeta e njerëzve ia dalin të kenë sukses pas një vendosmërie të tillë.
Bauer-i vë në dukje se në shoqërinë me ritëm të shpejtë, dieta duhet të integrohet natyrshëm në jetën e përditshme të njerëzve e jo të jetë tjetër detyrë në agjendën e tyre të ngeshur, duke mbajtur një dietë të shëndetshme ose duke lënë hapësirë për të shkuar në palestër. Autorja nuk i thotë lexuesit e saj "të vrapojë për stërvitje" ose "të kthehet në kuzhinë", ajo thjesht e shpreh rënien e peshës me një formulë matematike: 3 500 kalori = 0.45 kilogram. Për të pakësuar 500 kalori me anë të sportit, duhet të vraposh për një a dy orë në makinën e vrapimit, kurse në banketet e kompanisë një punonjës mund të marrë verë ose ëmbëlsirë me të njëjtën sasi kalorie brenda disa minutash. Nga ana tjetër t'u kërkosh njerëzve me një karrierë në rritje të gatuajnë vetë ose të hanë shpesh në shtëpi, më mirë t'u këshillosh të dalin në pension para kohe. Prandaj që një njeri shumë i ngarkuar me punë të bëhet më elegant, më mirë të hajë më pak.
Nuk po themi ta hidhni pjatën me biftek nga dritarja. Zonja Bauer i sugjeron secilit punonjës në Wall Street të bëjë një vlerësim për atë që hanë dhe sa hanë, d.m.th. janë ngrënës të përmbajtur apo pastrues pjate. Libri i saj u jep përgjigjen të dy grupeve. Fastfudët, bufetë në hotel, restorantet e njohura, orari i çajit në pasdite ose ngrënia në aeroport, të gjitha janë përfshirë në librin "Dieta e Wall Street-it". Bauer bën një listë me këshilla si të zgjidhni ushqime me pak kalori në këto raste. Duke ndjekur idenë e saj, mund të merrni 500 deri në 1000 kalori më pak sesa kolegu që keni të ulur përballë në tryezë, duke mos e vënë re se po mbani dietë për të pakësuar peshën.
Akullorja, çokollata, keku, kokteji... këtë janë bomba energjie, por për shumë njerëz, këto janë ushqime të domosdoshme në jetën e tyre. Gjatë komunikimit me klientët Bauer-i zbuloi që nuk mund t'i fshijmë këta "djaj" nga lista e ushqimit. Ata bashkëshoqërohen me kujtime të bukura: veçanërisht mund të pakësojnë stresin. Nesë reshtim së ngrëni këto ushqime, mund të arrijmë një ditë në të kundërtën, të hamë pa kufizim. Veç kësaj, shumë dietologë i shikojnë pijet alkoolike si armikun më të madh, por sipas Bauerit, në shoqëri një gotë raki zakonisht funksionon më mirë se mijëra fjalë. Vënia e theksit vetëm në rëndësinë e dietës së shëndetshme dhe shpërfillja e faktorëve shoqërorë është një arsye që shkakton dështimin e shumë dietave
Bauer-i e thotë zgjidhjen e vet. Ajo përfshin në çdo vakt disa ushqime me kalori të lartë bashkë me ushqime të tjera me pak kalori. Sipas saj, nëse i përvetësoni këto rregulla, njerëzit që janë të zënë me biznes mund të gjejnë mënyrën më të përshtatshme për veten, pa ndjekur rrugën e të tjerëve