20140627martesa |
Në të kaluarën modeli perfekt dhe më i preferuai ishte ai i martesës midis një burri të pasur dhe një gruaje të bukur. Femra kërkojnë që bashkëshortët e tyre të jenë në gjendje të mirë financiare, nga ana tjetër meshkujt duan gra të bukura. Por, shumë prej nesh sot mendojnë se martesës klasike ndoshta i ka ikur koha. Shumë thonë se dashuria e sinqertë dhe martesa e qëndrueshme bazohen tek morali dhe përgjegjësia familjare e të dyve. Në këtë material anlizojmë kërkesat e ndryshme mes femrave dhe meshkujve për bashkshortin/en, kërkesa këto që vijnë nga ndryshimet psikologjike dhe fizike.
Një grup psikologësh zhvilluan një vëzhgim njëmujor. Në këtë studim morën pjesë gra dhe burra, të cilët nuk e njihnin njëri-tjetrin. Të gjtihë pjesëmarrësit u pyetën se cili ishte bashkëshorti apo bashkëshortja e tyre ideale? Pas 10 ditësh ata patën takime me njëri-tjetrin dhe më pas u pyetën lidhur me përshtypjet.
Përgjigjet ishin interesante. Burrat pranuan se paraqitja e jashtme tek femrat kishte tepër rëndësi për ta. Nga ana tjetër, përgjigjet e grave ishin më të ndërlikuara. Shumica e tyre thanë se tek një burrë shohin shumë aspekte të ndryshme. Po ashtu, psikologët arritën në përfundimin se nëse një femër ka vetëbesim të madh për paraqitjen e jashtme dhe trupin e saj, ajo ka kërkesa të larta për paraqitjen e jashtme, statusin, dhe anën financiare të burrit.
Në krahasim me meshkujt, gratë kanë kërkesa më të larta për bashkëshortët e ardhshëm. Pas takimeve të shpejta, gjysma e meshkujve do të kishin dëshirë të ritakoheshin me femrat që sapo njohën. Por vetëm 1/3 e femrave kishin dëshirë të vazhdonin takimet.
Ky rezultat përputhet me hipotezën biologjike mbi "tërheqjen fizike". Me këtë hipoteze ndodh dhe çiftëzimi tek gjitarët, dhe njeriu i përket llojit gjitar Homo sapiens (latinisht "Njeri i ditur"). Prandaj jemi gjithnjë në kërkim të partnerit me gjene dhe kushte më të mira për brezin tjetër. Por, mashkulli dhe femra kanë tipare të ndryshme fizike dhe psikologjike, ata kanë kërkesa të ndryshme për zgjedhjen e bashkëshortëve të tyre.
Mashkulli nuk ka kërkesa tepër të larta për bashkëshorten e tij, ai i kushton rëndësi aftësisë së femrës për lindjen e fëmijës së shëndetshme dhe për gjenet e mira të saj. Në fakt, tiparet e bukura të jashtme tek femra, tipare këto që tërheqin meshkujt janë simbol i geneve të mira. Siç thotë dhe Darvini, pjelloria është ajo që i bën meshkujt të afeksionohen erotikisht pas femrës.
Një bel i hollë dhe të pasme të bëshme shihen si tipar i pjellorisë, gjiri i madh shihet si një element për qumësht të mirë dhe në sasi për beben e ardhshme.
Megjithatë, femra është e ndryshme nga mashkulli. Me të mbetur shtatzënë ajo përqëndrohet tek sigurimi i vlerave ushqimore dhe vitaminave për për rritjen e bebes brenda trupit të saj. Po ashtu gjatë fazës së shtatzënisë ajo përballet me disa vështirësi. Përveç kësaj, pas lindjes së bebes, nëna e re përsëri fokusohet tek gjidhënia. Prandaj, femra ka kërkesa të larta ndaj bashkëshortit të saj. Ajo kërkon nga ai mbështetje në këto momente, jo vetëm financiare por shpirtërore.
Sipas studimeve nga psikologët dhe sociologët, pamja e jashtme, linjat e trupit, zëri dhe tiparet e tjera të dukshme të trupit luajnë rolin e kartëvizitës fillestare. Pamja e bukur është forcë tërheqëse kryesore për marrëdhëniet e afatshkurta mes femrës dhe mashkullit. Në shumë vepra artistike, një heroit mashkull i lind dashuria me shikimin e parë për një grua të bukur dhe një grua mund të dashurojë një burrë të pashëm me shikim të parë. Kjo dashuri e shpejtë vjen kryesisht nga bukuria e jashtme.
Por për një marrëdhënie afatgjatë, shumica e femrave do të analizojnë më shumë elemente të mashkullit, si niveli arsimor, të ardhurat etj, për t'u siguruar për potencialet e tij në të ardhmen. Mashkulli më i madh në moshë ka më shumë përvojë dhe ndoshta më shumë burime. Nga ana tjetër një burrë tepër i madh në moshë, mund të ketë të ardhura të mira financiare, por nuk ka shëndet të qëndrueshëm. Një probëem tjetër qëndron tek djali i ri i cili nuk ka burime të mjaftueshme dhe përvoja shoqërore. Prandaj, shumë femra pëlqejnë meshkujt që janë pak më të mëdhenj se to në moshë.
Në Kinë i kushtohet rëndësi e madhe diferencës së moshës mes bashkëshortëve. Në kulturën kineze 4 vjet konsiderohen si diferencë perfekte e moshës midis burrit dhe gruas.
Përveç disa potencialeve të mashkullit, femrat kërkojnë edhe besnikërinë, ndihmesën e bashkëshortit për rritjen e fëmijës, respektin etj. Këto elemente formojnë standardet morale të familjes dhe shoqërisë. Besnikëria po ashtu është kyç në një lidhje apo martesë. Kjo është ajo që kërkojnë partnerët nga njëri tjetri. Tradhëtia është ana më e errët e çdo ndjenje dhe marrëdhënieje. Njësia matëse më delikate që shpreh vlerat e vërteta të një raporti.
Një mashkull besnik nuk shkon drejt tradhëtisë, në të kundërt, mashkulli që priret drejt tradhëtive mund të prishë familjen dhe jetën e tij njëkohësisht. Këto elemente morale janë forcuar nëpërmjet arsimit, kulturës dhe ligjeve në shoqërinë moderne.
Meshkujt tradhëtojnë më shumë se gratë dhe shpjegimi shkencor i këtij fakti duhet gjetur tek natyra e tij. Nga natyra, mashkulli është i destinuar që të përkthejë stimujt seksuale në fantazi erotike, ndërsa femra i transformon në ndjenja, emocione dhe dashuri. Megjithatë, sipas sondazheve meshkujt dinë të ndajnë seksin nga ndjenjat dhe megjithëse rreth 50 për qind e tyre që kanë një lidhje të dyfishtë, vazhdojnë të jenë të dashuruar pas partnereve të tyre "zyrtare". Për ta, tradhëtia është e vetmja mënyrë për të mbijetuar në një lidhje të qëndrueshme apo martesë. Aventurat e shpejta janë për këtë tip tradhëtarësh një mënyrë për të vlerësuar më tepër bashkëshortet. Në shumë raste, për të qetësuar ndërgjegjjen, meshkujt bëhen më xhentilë dhe të ngrohtë me partneren pas një tradhëtie.
Megjithëse meshkujt shkojnë drejt femrave të bukura, nëse ata duan të krijojnë familje shohin dhe tipare të tjera tek një femër si niveli arsimor, besnikëria etj.
Me zhvillimin e pandërprerë të shoqërisë, roli i gruas në familje dhe shoqëri është rritur shumë. Në të kaluarën, gratë nuk kishin tepër raste për arsimim apo dhe për të punuar. Ato ishin të detyruara të vareshin nga burrat. Por, sot kohët kanë ndryshuar tepër. Gruaja është më e pavarur, dhe është në gjendje t'i plotësojë vetë kërkesat e saj. Sot gratë kanë status më të lartë se më parë në sfera të ndryshme të jetës. Gratë e suksesshme, të pavarura dhe të pasura do të jenë në kërkim të mashkullit përfekt, një mashkull që të ketë shumë personalitet, moral dhe dituri.
Pra një grua e emancipuar do të kërkojë një burrë të emancipuar. Megjithatë, edhe pse një grua mund të ketë një karrierë dhe të ardhura të suksesshme, gjatë lindjes së bebes dhe rritjes së saj ajo do të jetë e detyruar të ndërpresë karrierën dhe për këtë do të bjerë një përgjegjësi më e madhe tek bashkëshorti i saj për përkrahjen e familjes. (Xu Guang)