20140530cherry |
Qershor është muaji i qershisë. Ky frut piqet në stinën e nxehtë dhe rezervon energjinë "Yang". Në librat e mjekësisë kineze janë shënuar gjerësisht vlerat magjike mjekësore të qershisë, veçanërisht për dobishmërinë që ka ajo për bukurinë e lëkurës. Në librin "Ming Yi Bie Lu" është shënuar që lëngu i qershisë mund të aplikohet direkt në lëkurë dhe redukton rrudhat. Qershia i sjell lëkurës një ngjyrë të këndshme dhe redukton ndjeshëm rrudhat.
Mjekësia kineze sugjeron që qershia të përdoret nga personat që janë të pafuqishëm, për ata që vuajnë nga anemia si dhe ata që kanë mungesë të energjisë "Yang" pas një sëmundjeje apo operacioni.
Në lashtësi, në Kinë janë përdorur shumë metoda për rezervimin e qershisë. Për shembull, qershia rezervohej në poçe balte të mbyllur hermetikisht. Kjo poçe lihej nëntokë për një vit. Po ashtu lëngu i qershisë sipas mjekësisë kineze përdoret për djegiet e ndryshme në lëkurë të shkaktuara nga zjarri. Kjo do t'ju lehtësojë dhimbjet nga plagët dhe mund të parandalohet infektimi i saj. Përveç kësaj, konsumi i lëngut të qershisë këshillohet për fëmijët e vegjël pasi parandalon fruthin.
Qershia përmban hekur, një element ky që gjendet më shpesh tek perimet me gjethe jeshile. Konsumi i shpeshtë i qershisë mund të plotësojë kërkesat e trupit për hekur dhe të rifuqizojë hemoglobinën. Në këtë mënyrë parandalohet anemia e shkaktuar nga mungesa e hekurit.
Qershia përmban gjithashtu vitaminë A.
Sasia e vitaminës A tek qershia është 4 deri 5 herë mëe lartë se tek rrushi, molla dhe portokalli. Të gjithë ata që punojnë me orare të zgjatura përpara kompjuterit duhet të konsumojnë vitaminë A për të mbrojtur syrtë. Qershia përmban gjithashtu vitaminën C dhe substanca të tjera që ndihmojnë thithjen e hekurit nga zorrët. Përveç kësaj, qershia është burim i mirë i kalium, pektinës, vitaminës B etj.
Sipas studimeve mjekësore moderne, plakja e organeve të njeriut, sëmundjet kronike dhe lindja e disa tumoreve lidhen ngushtë me radikalet e lira. Por, qershia përmban një sërë antioksidantësh, sidomos "anthocyanin", që shkatërron radikalet e lira.
Në fakt, anthocyanin, vitamina C, vitamina E, karotenet dhe seleni janë konsideruar si anti-oksidantë të fuqishëm për shëndetin e organizmit. Sa më e errët të jetë qershia, aq më e pasur është ajo me antioksidantë. Prandaj vishnjet renditen si qershitë më të shëndetshme, qershia e kuqe renditet në vendin e dytë dhe ajo e verdha në vendin e fundit, përsa i përket sasisë së anti-oksidantëve.
Disa receta me qershi:
1. Komposto qershie: 50 gramë qershi, sheqer. Zieni ujin në temperaturën afro 70 gradë, fusni qershi në të dhe vazhdoni ziejini deri në temperaturën e vlimit. Më pas shtoni sheqer. Konsumojeni këtë komposto kur keni marrje mendsh, pafuqishmëri, zbehje fytyre, dhe ndjesi lodhjeje nga humbja e gjakut.
2. Raki qershie: 250 gramë qershi, pasi i keni pastruar futini në një poçe ku keni shtuar 1 litër raki orizi dhe më pas mbylleni hermetikisht. Përziejeni këtë raki çdo 3 ditë dhe mbylleni përsëri. Pas mbi 15 ditësh, mund ta konsumoni këtë raki. Çdo ditë pini 2 herë nga 5-10 ml raki qershie. Kjo pije është tepër e efektshme për dhimbjet në mes dhe gju, të shkaktuara nga reumatizma dhe i ftohti.
3. Lëng qershie: 80 gramë qershi të freskëta, pastrojini nga bërthamat dhe futini në shtrydhëse frutash e perimesh. Shtoni 30 ml ujë dhe miksojini së bashku. Nëse keni dëshirë në fund mund t'i shtoni pak sheqer për të rregulluar shijen. Çdo ditë konsumoni 2-3 herë për puçrrat në fytyrë, shenjat e ndryshme në lëkurë, gjithashtu lëngu i qershisë lufton pagjumësinë. Konsumi i shpeshtë i këtyre lëngjeve mund t'ju sjellë fytyrë dhe lëkurë të bukur dhe të freskët.
Një gotë lëng qershie në mëngjes dhe një pasdite ndihmon njerëzit në moshë të flenë gjumë më mirë gjatë natës. Sipas një studimi të Universitetit të Luizianës, lëngu i qershisë përmirëson situatën e personave që vuajnë nga pagjumësia.
4. Reçel qershie: 1 kg qershia futini në një tenxhere me 200 ml ujë. Ziejini së bashku në temperaturën e vlimit. Shtoni sheqer dhe lëreni në zjarr të ulët, duke e përzier vazhdimisht me lugë. Reçeli i qershisë këshillohet të konsumohet çdo mëngjes dhe mbrëmje, është i mirë për të rregulluar shikimin, kundër mungesës së energjisë jetike "Chi" dhe "gjakut", lodhjes e pafuqishmërisë, kundër humbjes së oreksit etj.
Megjithëse qershia ka shumë avantazhe për shëndetin nuk duhet konsumuar në sasi të lartë. Sipas librit mjekësor "Ben Cao Yan Yi Bu Yi", qershia është frut zjarri dhe përmban shumë lagështirë. Personat që vuajnë nga astma dhe kolla duhet të kenë kujdes me sasinë e qershisë që konsumojnë.
Personat që nuk duhet të konsumojnë qershi:
1. Ata të cilët vuajnë nga ulcera dhe zjarri i brendshëm, si dhe të gjithë ata që vuajnë nga diabeti.
2. Qershia është një burim i shkëlqyer i kaliumit. Të gjithë ata që vuajnë nga sëmundjet e veshkave nuk duhet ta konsumojnë tepër këtë frut, për shkak të ngarkesave të mëdha të metabolizimit të kaliumit nëpërmjet urinës. Nëse ata që vuajnë nga veshkat do të konsumojnë shumë qershi, dendësia e kaliumit në gjak do të jetë shumë e lartë dhe s'mund të metabolizohet shumë shpejt nëpërmjet urinës. Kjo gjë mund të rezultojë e rrezikshme.
Disa sugjerime për ushqimet e papërshtatshme që konsumohen së bashku me qershinë.
1. Trangull: Enzimat tek trangulli mund të shkatërrojnë vitaminën C tek qershia.
2. Karota: Nëse konsumojmë së bashku këto dy ushqime, vlerat ushqyese të tyre do të ulen.
3. Mëlçitë: Ky ushqim ndikon tek vlerat ushqyese të qershisë.(Xu Guang)