20140523xhenxhefil |
Në Kinë ka një thënie të njohur se "Nëse rrepa e bardhë konsumohet në dimër dhe xhenxhefili në verë, mjekët do të mbeten pa punë". Në lashtësi, mjekë të njohur kinezë besonin se xhenxhefili ka aftësi për mjekimin e qindra sëmundjeve. Në librat klasikë kinezë "Ben Cao Gang Mu" dhe "Qian Jin Fang", është përshkruar dhe shënuar farmakologjia e kësaj bime: xhenxhefili ka shije pak pikante dhe aromë të veçantë, është një bimë që nxit tretjen e ushqimeve në stomak, lehtëson dhimbjen e barkut dhe pakëson të përzierat dhe diarrenë.
Sipas studimeve të mjekësisë moderne, substancat tek xhenxhefili nxisin djersitjen, ulin temperaturën dhe kthjellojnë mendjen. Konsumi i kësaj bime mund të lehtësojë lodhjen, pafuqishmërinë, eviton anoreksinë, pagjumësinë, dhimbjen e barkut dhe simptoma të tjera. Në stinën e nxehtë të verës pakësohet sekretimi i pështymës dhe i lëngut të stomakut, dhe kjo do të ndikojë tek oreksi. Nëse konsumoni pak xhenxhefil gjatë vaktit, do të keni hapje oreksi.
Xhenxhefili njihet si nga mjekësia kineze ashtu edhe nga a jo perëndimore se ndalon dhimbjen e barkut të shkaktuar nga gastriti, ulçera e stomakut dhe zorrëve. Kur keni probleme me të përzierat, aciditet të lartë në stomak, ndjenjë të shpeshtë urie, mund të konsumoni çaj xhenxhefili (zieni ujin me 50 gramë xhenxhefil) dhe ky çaj mund të eleminojë këto simptoma. Një fjalë tjetër e urtë popullore kineze për këtë bimë është se "nëse përgatisni xhenxhefil në shtëpi, mos u merakosni për sëmundjet e lehta."
Disa prej jush mund të pyesin se vera është një stinë e nxehtë, xhenxhefili ka karakteristika të ngrohtë, pasi është pikant. Përse duhet të konsumojmë xhenxhefil në këtë stinë. Vera është stina kur pemët dhe bimët e ndryshme janë shumë të lulëzuara dhe kafshët aktivizohen më tepër në këtë stinë. Në fakt, organet e brendshme të njeriut lidhen ngushtë me ambjentin e jashtëm natyror.
Në këtë stinë, forca "Yang" lulëzon më shumë dhe gjaku qarkullon më shumë. Në këtë stinë, bimët i paraqesin forcat e jetës së tyre me lulet dhe pemë dhe kafshët i shfaqin forcat jetike nëpër shumëzimit, gjuetisë dhe aktiviteteve të tjera të jashtme. Edhe tek njeriu, shtohen aktivitetet gjatë stinës së verës më tepër se sa në dimër. Por në këtë stinë, forca e energjisë "Yang" qëndron në shtresën e jashtme të lëkurës duke shkaktuar humbjen e energjisë "Yang" brenda organeve të brendshme. Përveç kësaj, njerëzit pëlqejnë pijet e ftohta në këtë stinë, të cilat mund të sjellin ftohtësinë brenda stomakut, prandaj diarreja dhe të vjellat janë simptoma shumë të zakonshme në këtë stinë. Në verë mund të konsumoni pak xhenxhefil për të forcuar energjinë "Yang" dhe asgjësuar ftohtësinë nga stomaku. Në Kinë thuhet se gjatë stinës së verës duhet të konsumoni 3 copa xhenxhefil çdo ditë dhe nuk do të shkoni tek mjeku në verë.
Përveç kësaj, shumë të moshuar pëlqejnë konsumin xhenxhefilit në mëngjes, zakon ky që shton gjallërinë dhe energjinë që na duhet gjatë ditës.
Metodat e përgatitjes së xhenxhefilit:
1. Sallatë me xhenxhefil: Ndani në copa të vogla 50 gr xhenxhefil. Shtoni uthull orizi dhe kripë. Kjo sallatë ka shije pikante dhe të thartë. Mund të përdoret për problemet me të përzierat dhe oreksin.
2. Komposto me hide dhe xhenxhefil: Në një tenxhere me 1.2 litra ujë zieni 5 copa xhenxhefili dhe 15 hide. Ziejini së bashku për afro 20 minuta dhe shtojini sheqer 2 minutat e fundit. Kjo komposto mund të përmirësojë simptomat e këmbëve dhe duarve të ftohta dhe qarkullimin e gjakut në trup. Xhenxhefili mund t'i sjellë energjinë e nxehtë trupit dhe hidja mund t'i ofrojë energjinë "Chi" stomakut dhe shpretkës.
3. Çaji xhenxhefili me koka-kola: Zieni 300 ml koka kola me 2-3 copa xhenxhefili deri në temperaturën e vlimit. Ky çaj përdoret për të parandaluar ftohtësinë dhe gripin. Shumë njerëz nuk e pëlqejnë shijen e xhenxhefilit. Koka-kola mund të përmirësojë shijen e çajit të xhenxhefilit.
4. Çaj jeshil me xhenxhefil: Ky çaj është shumë i thjeshtë. Përgatisni 5 gramë xhenxhefili dhe 5 gramë çaj jeshil. I fusni nën ujë të nxehtë për 10 minuta. Ky çaj mund të konsumohet në verë ose në fillim të vjeshtës, për të asgjësuar nxehtësinë e brendshme. Kjo është gjithashtu një pije shumë e përshtatshme për parandalimin e të fikëtit nga vapa.
Këshilla për xhenxhefilin:
1. Mos ia hiqni lëkurën xhenxhefilit: shumë njerëz e heqin lëkurën e xhenxhefilit para gatimit të tij. Në fakt, lëkura ka shumë funksione të larta mjekësore. Gatuajeni me lëkurë dhe para se ta konsumoni mund ta pastroni.
2. Ata që vuajnë nga zjarri i brendshëm nuk duhet të konsumojnë shumë xhenxhefil: xhenxhefili nuk është i përshtatshëm për njerëzit që kanë sytë shumë të kuq, tuberkulozi, ulçer stomaku, probleme në fshikëzën e tëmthit, diabet, hemorroide.
3. Mos konsumoni xhenxhefil të kalbur pasi tek xhenxhefili i kalbur do të lindin lëndë shumë helmuese, të cilat mund të shkaktojnë vdekjen e qelizave të mëlçisë dhe mund të sjellin kancerin e qelizave etj.
4. Mos konsumoni sasi të lartë xhenxhefili brenda një dite: nëse xhenxhefili është i përshtatshëm për shëndetin tuaj, mund të konsumoni 5-10 gramë në ditë. Në kuzhinën kineze xhenxhefili përdoret më shpesh për të shoqëruar mishin, peshkun dhe frutat e detit. (Xu Guang)