20140509lixia |
Sipas kalendarit bujqësor kinez, një vit ka 24 faza stinore dhe çdo fazë ka termin e saj të caktuar. Këtë vit 5 maji është faza e 5-të stinore, "fillimi i verës". Kjo fazë simbolizon përfundimin e pranverës dhe fillimin e verës. Pas kësaj dite, do të ketë një rritje të ndjeshme të temperaturave. Me ardhjen e verës së nxehtë, shumë persona mund të përballen me luhatje të tepërt humori. Prandaj, që në fillim të verës duhet t'i kushtohet vëmendje më e madhe shëndetit të zemrës, e cila lidhet ngushtë me karakterin e stinës së verës.
Sipas teorisë së mjekësisë tradicionale kineze, vera është stina e zjarrit dhe zemra është organi i zjarrit i trupit. Prandaj, gjatë verës, aktivitetet fizike të zemrës do të forcohen më tej. Shumë specialistë të shëndetit sugjerojnë që të moshuarit duhet të tregohen të kujdesshëm gjatë stinës së verës dhe të parandalojnë sëmundjet e zemrës gjatë vapës.
Sipas mjekëve kinezë, pas "fillimit të verës", do të keni humor të paqëndrueshëm dhe duhet të shmangni ndjenjat e zemërimit, inatit dhe shqetësimit të vazhdueshëm. Po ashtu duhet të kontrolloni edhe gëzimin e tepërt dhe zemërimin e tepërt. Ruajtja e një gjendje shpirtërore të ekuilibruar është në favor të shëndetit të zemrës. Nëse qeshni më shumë do të keni më pak probleme me zemrën. Të qeshësh i bën mirë gjithashtu elasticitetit të fytyrës, duke mbajtur larg rrudhat. Një veçori tjetër që duhet të mbani mend është kufizimi apo eleminimi i ushqimeve pikante dhe me yndyrë. Mund të konsumoni më shumë ushqime që janë të pasura në vitamina e minerale si patatja e ëmbël, misri, prodhimet e detit, veza etj, të cilat mund të ulin nxehtësinë e brendshme, pakësojnë djersitjen, dhe hapin oreksin.
Sipas teorisë së Mjekësisë Tradicionale Kineze, gjatë stinës së verës, energjia "Yang" e zemrës është më e lulëzuar dhe e fortë. Ky karakter i zemrës mund të na sjellë më shumë vitalitet dhe energji për të kapërcyer sfidat e jetës dhe të punës. Prandaj, flemë gjumë më pak dhe punojmë më shumë apo kemi më tepër aktivitet gjatë verës. Por, energjia e pasur e zemrës mund të shkaktojë më shpesh luhatje humori, po ashtu mund të ndiheni më ekspresivë. Zemërimi i tepërt në këtë stinë mund të shkaktojë mosqarkullim të mirë të gjakut në zemër, parregullsinë e ritmit të të rrahurave dhe rritjen e tensionit, të cilat janë shumë të rrezikshme për të moshuarit. Aktivitetet që favorizojnë balancimin e humorit janë piktura, kaligrafia, dëgjimi i muzikës, luajtja e shahut, mbjellja e luleve, peshkim, yoga etj.
1.Ushqimet e përshtatshme në verë
Gatimet e lëngshme si supa dhe ushqimet e tjera janë shumë të përshtatshme në stinën e verës. Gjatë stinës së verës duhet të konsumoni më shumë lëngje pasi djersitni më shpesh. Vitaminat e nevojshme të ditës mund të merren nga konsumi i domates, shalqirit, pjeshkës, kumbullave dhe frutave të tjera të freskëta. Në verë, djersitja e tepërt mund të shkaktojë humbje të kripërave dhe për këtë duhet të konsumoni ushqime si fasule, kërpudha dhe perime të ndryshme që përmbajnë kalium dhe minerale të tjera.
2. Rregullimi i orarit të pushimit
Pas "fillimit të verës", dita bëhet më e gjatë se nata. Mund të flemë më vonë dhe ngrihemi më herët. Por, orari i paktë i gjumit në verë mund të shkaktojë që të ndihemi të përgjumur në drekë. Specialistët e mjekësisë kineze vunë në dukje se koha nga ora 13:00 deri në orën 15:00 është periudha më e nxehtë gjatë ditës, kur djersitemi më shumë dhe qarkullim i gjakut është më i shpeshtë në sipërfaqen e trupit, duke pakësuar qarkullimin e gjakut në tru. Pas drekës, qarkullimi i gjakut fokusohet në organet e tretjes dhe do të ulet më tej qarkullimi i gjakut në tru, e si rezultat, do të ndihemi më të lodhur dhe përgjumësh.
Prandaj, mjekët kinezë sugjerojnë të flemë pak gjatë ditës, veçanërisht për të moshuarit dhe fëmijët. Koha e gjumit të drekës mund të variojë nga 30-60 minuta. Pas zgjimit nga gjumi i shkurtër i ditës, mos u çoni përnjëherë. Vazhdoni të qëndroni në shtrat edhe për 10 minuta më shumë. Nëse nuk keni mundësi të bëni një sy gjumë gjatë ditës mund të dëgjoni muzikë apo bëni një shëtitje në park.
Por, pushimi i shkurtër në mesditë nuk është i përshtatshëm për të gjithë njerëzit. Pacientët me tensionin e ulët dhe mosqarkullim të mirë të gjakut duhet që gjatë ditës të qëndrojnë sa më shumë në diell, pasi dielli u shton energjinë. Pra, për këtë grup njerëzish është mirë që të mos flenë gjumë në drekë, por vetëm në darkë.
3. Shmangia e djersitjes
Pas fillimit të verës, me ngritjen e temperaturave do të shtohet dhe djersitja. Për të evituar problemet që vijnë nga ajo, duhet që rrobat e brendshme të jenë prej pambuku që të thithet lagështira e tepërt.
4. Krijoni një mjedis të qetë brenda dhomës gjatë verës
Pas fillimit të verës, mirë është të keni perde që pengojnë dritën e tepërt të diellit në dhomë. Për shembull, mund të vendosni perde me ngjyra të hapura, ku të dominojë e bardha. Kjo është një mënyrë e mirë për të krijuar një atmosferë të qetë dhe freskuese në dhomë.
Nëse është e mundur, arredojeni dhomën në atë mënyrë që energjia dhe ajri të qarkullojnë natyrshëm brenda dhomës. Për shkak të temperaturës së lartë, viruset dhe bakteret mund të shumohen më shpejt. Prandaj, duhet të dezinfektoni dhe pastroni më shpesh dhomën apo zyrën tuaj.