20140509birra_pj2 |
Birra është një pije freskuese dhe një mënyrë e mirë për t'u relaksuar në fund të një dite të lodhshme. Megjithëse pirja e tepërt e birrës mund të shkaktojë probleme në mëlçi dhe në zemër, nëse kjo pije konsumohet me masë, ka përfitime për shëndetin.
Birra është një pije e lehtë alkoolike që prodhohet nga uji, malto (elb i përpunuar), kulperi dhe tharmi. Si lëndë plotësuese të maltos, përdoren gruri, misri, orizi, sheqeri etj. Këta përbërës nuk kanë yndyrë dhe përmbajnë minerale dhe elementë ushqyes përfshi fibra, magnez, selen, kalium, fosfor, biotinë, dhe vitaminë B6, vitaminë B12 dhe acid folik.
Disa studime kanë treguar se birra është e mirë për shëndetin pasi:
1. Ul rrezikun për sëmundje kardiovaskulare
Sipas Shkollës së Harvardit të Shëndetit Publik, birra mund të ulë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare nga 20% - 40%. Hulumtuesit nga Universiteti Harokopio në Athinë kanë gjetur gjithashtu se konsumi i moderuar i birrës ul riskun për sëmundje të zemrës.
Kjo falë fibrave prezente tek birra që ndihmojnë në reduktimin e kolesterolit të keq në gjak. Pra nëse konsumoni birrë përditë, por në sasi të vogël, do të rritet niveli i kolesterolit të mirë në gjak, që redukton shancet e trashjes së gjakut apo bllokimit të arterieve, dy shkaqet kryesore të atakut. Tek birra gjenden gjithashtu polifenole, antioksidantë të fuqishëm për shëndetin e zemrës.
2. Ul rrezikun e formimit të gurëve në veshka
Birra njihet gjithashtu si një pije që ul riskun për krijimin e gurëve në veshka. Sipas një studimi në Finlandë thuhet se konsumi i moderuar i birrës çdo ditë mund të ulë riskun e krijimit të gurëve në veshka deri me 40%. Sasia e lartë e ujit (rreth 93%) tek birra ndihmon në ruajtjen e veshkave dhe mundëson që ato të punojnë si duhet duke nxjerrë toksinat jashtë organizmit.
Gjithashtu, efekti diuretik tek birra nuk do të shkaktojë dehidratim, një nga shkaqet kryesore për formimin e gurëve në veshka. Sipas Akademisë së Elementeve Ushqyese dhe Dietës, substancat që gjenden tek lëndët e para të birrës ndihmojnë në çlirimin e kalciumit nga kockat dhe parandalojnë humbjen e kalciumit në veshka në formën e gurëve.
3. Përmirëson shëndetin e trurit
Kërkimet nga Universiteti Rush kanë treguar se birra redukton riskun e zhvillimit të problemeve me kujtesën në moshën e tretë me deri në 23%.
Gjithashtu, konsumi i moderuar i birrës ul riskun për prekje nga sëmundja e Alzheimer-it dhe dementia-s, pasi birra nxit rritjen e qelizave të reja të trurit. Birra gjithashtu lejon trurin të ketë një fokus më të lartë, duke përmirësuar kujtesën, forcën e arsyes dhe përqendrimin.
4. Birra kundër apopleksisë (sulmeve në tru)
Shumë studime të Shoqatës Amerikane të Apopleksisë kanë treguar se konsumi i moderuar i birrës ul rrezikun e sulmeve në tru me deri në mbi 50%, krahasuar me ata që nuk konsumojnë birrë.
Sipas hulumtimeve konsumi i moderuar i birrës çdo ditë parandalon mpiksjet e gjakut.
Mpiksjet e gjakut mund të shkaktojnë ishemi, e cila ndodh në momentin kur një arterie në tru bllokohet. Sidoqoftë, pas konsumit të birrës, arteriet bëhen më fleksibël dhe qarkullimi i gjakut përmirësohet ndjeshëm.
5. Forcon kockat
Birra përmban nivel të lartë silici, një përbërës që ndihmon në shëndetin e kockave. Sipas një studimi të vitit 2009, kryer nga Universiteti Tufts, të moshuarit që kanë zakon pirjen e birrës në sasi të moderuar kanë densitet më të lartë kockash. Megjithatë, birra në sasi të lartë rrit riskun për frakturë në kockë.
6. Parandalon kancerin e prostatës
Konsumi i moderuar i birrës mund të sjellë përfitime kundërkanceroze. Birra përmban xanthohumol, një antioksidant i fuqishëm, që lufton kancerin.
Birra bllokon reaksionin kimik që mund të çojë në zhvillimin e kancerit të prostatës tek meshkujt. Gjithashtu, mund të ulë rrezikun e shfaqjes së kancerit të gjirit tek femrat.
7. Ul riskun për diabet
Shumë studime kanë treguar se konsumi në masë të moderuar i birrës mund të reduktojë rrezikun e shfaqjes së diabetit.
Sipas një studimi të Harvardit në vitin 2011, morën pjesë rreth 38 mijë meshkuj të moshës së mesme, ata të cilët konsumuan 1-2 birra në ditë reduktuan rrezikun për prekjen me diabet të tipit 2 në masën e 25%.
Megjithatë, nëse vuani nga diabeti duhet të zgjidhni birrë që ka nivel të ulët karbohidratesh, pasi ato shndërrohen në sheqer. Birra është një burim i mirë fibrash dietike, pjesë e rëndësishme në dietën e diabetikëve.
8. Ul rrezikun për Alzheimer
Shkencëtarët e Universitetit Loyola në Chicago, pas shumë kërkimesh arritën në përfundimin se konsumi i moderuar i birrës ul me 23 për qind zhvillimin e sëmundjes së dementia-s.
Ky përfundim i atribuohet përmbajtjes së silicit tek birra, i cili ndihmon për të mbrojtur trurin nga ndikimet negative të aluminit. Nivelet e larta të aluminit në trup janë një nga shkaqet më kryesore të shfaqjes së Alzheimer-it. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se ata të cilët nuk konsumojnë birrë, të nisin pirjen e birrës vetëm për shkak të uljes së rrezikut për zhvillimin e Alzheimer-it.
9. Birra hidraton lëkurën
Birra hidraton lëkurën nga brenda. Në fakt, pirja e birrës pas punës hidraton trupin më mirë se uji.
Është zbuluar gjithashtu se egjiptianët e lashtë laheshin me birrë për të hidratuar lëkurën kur ishin në shkretëtirë. Gjithashtu, niveli i lartë i ujit tek birra ndihmon në nxjerrjen e toksinave jashtë trupit dhe lëkurës, duke i dhënë fytyrës suaj një shkëqim natyral.
10. Trajton zbokthin
Birra ka përmbajtje të lartë të vitaminës B dhe konsiderohet si një mëlmesë natyrale për trajtime kundër zbokthit. Shplajini flokët tuaj me birrë 2-3 herë në javë dhe problemi që keni me zbokthin do të jetë ngjarje e së kaluarës.
Megjithatë, pasi ta bëni këtë shplajini mirë flokët. Ky lloj trajtimi do ua bëjë flokët më të butë e më të shkëlqyeshëm.
Pra, nëse dilni me miqtë, jeni në një party apo keni dalë për darkë, zgjidhni birrën si pijen tuaj të ditës. Mos harroni që sasia duhet të jetë e kufizuar. Gratë shtatzëna ose ato që ushqejnë fëmijën me gji nuk duhet të konsumojnë pije alkoolike, përfshi edhe birrën.