20140425tuina2 |
Tui na është një terapi orientale që është përdorur në Kinë për mbi 2 mijë vjet. Tui na përdor për orientim terapeutik teorinë e Mjekësisë Tradicionale Kineze të rrjedhës së energjisë "Chi" në kanalet imagjinare të energjisë, meridianëve. Nëpërmjet aplikimit të masazhit dhe teknikave të posaçme Tui na ka si qëllim vendosjen e një qarkullimi sa më harmonik të energjisë "Chi" në trup, duke i mundësuar trupit të shërohet vetvetiu në mënyrë natyrale.
Metodat e kësaj teknike përfshijnë përdorimin e duarve për masazhimin e muskujve të trupit, po ashtu teknika të akupresurës për të ndikuar drejtpërdrejt tek energjia "Chi".
Gjatë një seance tui na, klienti vishet me rroba të lirshme dhe pa këpucë. Praktikuesi pasi ekzaminon problemet specifike të klientit nis me procesin e trajtimit. Fokusi kryesor i aplikimit janë zonat ku klienti ndjen më shumë dhimbje, po ashtu pikat e akupresurës, meridianët e energjisë, muskujt dhe kyçet. Praktikuesit e avancuar të tui na-s përdorin barna bimore kineze për një shërim më të shpejtë. Një seance tui na zgjat 30 minuta deri në 1 orë. Kjo varet nga problemi specifik që mund të kenë klientët. Po ashtu ata mund t'i nënshtrohen disa seancave shtesë, kjo varet nga gjendja e tyre. Pas seancës, klienti e ndjen menjëherë relaksin në trup, dhe ndihet plot energji.
Tui na po përhapet gjerësisht sot në botë dhe gjithnjë e më shumë njerëz pranojnë se kjo metodë është shumë efikase për të qetësuar muskujt e trupit. Tui na fokusohet tek problemi specifik dhe kjo e rendit këtë praktikë në vendet e para për trajtimin e muskujve apo dhimbjes së kyçeve.
Po si lindi Tui na?
Tui na daton që nga Dinastia Shang e Kinës. Shkrimet e vjetra kanë treguar se masazhi tui na përdorej për të trajtuar sëmundjet tek fëmijët dhe dhimbjet trupore tek të rriturit.
Sot, tuina është pjesë e Mjekësisë Tradicionale Kineze dhe praktikuesit të cilët specializohen në këtë fushë duhet të kenë disa njohuri për akupunkturën dhe barnat bimore kineze.
Tui na është një terapi që përshtatet si trajtim për çrregullimet me muskujt si dhe për problemet në rrugët e frymëmarrjes dhe sistemit riprodhues.
Pra, tui na nuk përdoret vetëm për relaksimin e muskujve, por edhe për trajtimin e problemeve të tjera në organizëm që mund të kenë ardhur si pasojë e çrregullimit të ekuilibrit. Pak a shumë ajo bazohet në të njëjtat parime si akupunktura. MTK-ja e përdor tui na-n për të harmonizuar forcat yin dhe yang në trup duke rregulluar energjinë "chi" në kanalet e akupunkturës.
Tui na është një nga terapitë më të përdorshme të MTK-së dhe përdoret shpesh për trajtimin e dëmtimeve të lehta dhe problemeve me skeletin. Ajo përdoret gjithashtu në momentin kur nuk mund të përdoret akupunktura, si në rastin e fëmijëve.
Për ata të cilët kanë praktikuar akupresurën dhe shiatsu-në, seanca e tui na-s mund t'u duket si një gërshetim i këtyre 2 metodave. Ashtu si shiatsu, tui na përdor lëvizje ritmike përgjatë kanaleve të energjisë, po ashtu teknika të posaçme. Ashtu si akupresura, tui na ndikon në mënyrë direkte rrjedhën e energjisë duke mbajtur të shtypur pikat e akupresurës në trup.
Një nga avantazhet e masazhit tui na është aftësia e kësaj praktike për t'u fokusuar tek problemi specifik, veçanërisht dhimbjet kronike të lidhura me muskujt, kyçet dhe kockat. Kjo praktikë është veçanërisht efektive për dhimbjet e kyceve si artriti, spazmat muskulore, dhimbjet e mesit, qafës dhe supeve. Kjo terapi ndihmon gjithashtu në problemet kronike si pagjumësi, kapsllëk, dhimbje koke (përfshi migrenën), dhe tensionin e lidhur me stresin.
Tui Na funksionon jo vetëm tek muskujt, kockat dhe kycet, por punon për energjinë e trupit në një nivel të lartë.
Si pjesë e mjekësisë kineze tui na parandalon problemet, jo vetëm i zgjidh ato. Duke mbajtur në ekuilibër energjinë e trupit, ruhet shëndeti i përgjithshëm. Kjo vlen jo vetëm për shëndetin fizik, por edhe për atë mendor dhe shpirtëror.
Më sipër përmendëm që ky lloj masazhi çliron dhimbjet e kokës, përfshi edhe migrenën. Nëse nuk keni mundësi të shkoni për të bërë masazh tui na, këtë mund ta provoni edhe vetë. Për dhimbjen e kokës nisni me fërkimin e tëmthave. Lëvizjet duhet të jenë të lehta dhe rrethore. Bëjeni këtë veprim për afro 5 minuta.
Më pas nisni shtypni me majat e gishtave pjesën e ballit. Ndoshta në fillim do t'ju duket sikur dhimbja do të shtohet, por me kalimin e trajtimit kjo dhimbje sa vjen e lehtësohet.