20140425artriti1 |
Artriti është një sëmundje që prek kyçet dhe që ka prekur 1% të popullatës së botës. Më shpesh nga artriti vuajnë femrat e moshës 25-50 vjeçare në mbarë botën. Përveç medikamente ju sjellim disa metoda në kushtet e shtëpisë për të lehtësuar simptomat.
1. Xhenxhefili– Bima kineze është përdorur prej mijëra vitesh në Azi kundër dhimbjeve dhe problemet me ftohjen. Sot, xhenxhefili mbetet mëlmesa më e përhapur në botë që lufton dhimbjen, gjë që mbështetet edhe nga studimet. Një studim nga Fakulteti i Mjekësisë në Miami, i kryesuar nga profesor Ray Altman zbuloi se xhenxhefili në të vërtetë arrinë të lehtësojë nga dhimbjet e artritit. Bëjeni zakon pirjen e një gote apo dy me çaj xhenxhefili me pak mjalt.
2. Selino –Selino përmban minerale shumë të rëndësishme të tilla si kalium, zink, kalcium, hekur, fosfor, magnez, vitaminë C, vitaminë B, etj. Në mjekësinë kineze, selino është përdorur si një ilaç për tensionin e lartë të gjakut dhe për artritin dhe problemet me reumatizmën. Substanca tek selino me emrin polycetylene është përgjegjëse për lehtësimin e inflamacionit në rastin e artritit rheumatoid dhe osteoartritin.
3. Kompresat me ujë të ngrohtë ose dushi
Kompresat me ujë të ngrohtë ose dushi duket se lehtësojnë dhimbjet e kockave dhe muskujve. Nëse keni dhimbje kyçesh aplikoni kompresa të ngrohta.
4. Nenexhiku – Ndoshta nuk e dinit, por nenexhiku përmban substanca të shumta anti-inflamatore dhe është një bimë që është përdorur gjerësisht në mjekësinë alternative për dhimbjen e kokës dhe të dhëmbëve. Për të përfituar sa më shumë nga kjo bimë, sidomos për dhimbjet nga artriti përdoreni atë në lëngjet apo në ujë. Mund të bëni një pije me nenexhik.
Në dy gota ujë zieni 4 gjethe të thara nenexhik për 15 minuta. Pini një gotë çdo 4 orë.
5. Kripë Epsom – Sipas Akademisë Kombëtare të Shkencave në SHBA, mangësitë e magnezit çojnë në sulmet në tru, osteoporozë, sëmundje zemre, artrit etj. Për këtë, pak ndihmë nga kripa Epsom mund të jetë një zgjidhje e mirë. Nëse keni dhimbje kyçesh: hidhni në vaskën me ujë të ngrohtë një gotë kripë Epsom.
6. Vaj peshku –Acidet yndyrore omega-3 janë në gjendje të lehtësojnë dhimbjet e artritit për shkak se reduktojnë inflamacionin. Mjekët sugjerojnë që duhet të konsumoni peshk që ka përmbajtje të lartë omega-3, dhe njëkohësisht përmbajtje të ulët mërkuri si salmoni, toni etj
7. Mjalti me kanellë – Kombinimi i mjaltit me kanellë konsiderohet si eliksir i shëndetit. Një studim nga Universiteti i Kopenhagut tregoi se një lugë mjalti me kanellë përpara mëngjesit është shumë efikas për lehtësimin e simptomave të artritit.
Në një gotë me ujë të ngrohtë përzieni 1 lugë mjalt me gjysmë luge kanellë.
8. Qershitë – Ky frut i kuq është zbuluar se redukton dhimbjet e artritit, bëhet e ditur në një studim të kryer në Boston. Nëse vuani nga artriti, konsumoni disa qershi të freskëta.
9. Brokoli
Një përbërës i zbuluar tek brokoli mund të jetë çelësi për parandalimin apo ngadalësimin e zhvillimit të artritit, sipas një studimi të fundit të publikuar në revistën "Artriti dhe Reumatizma".
Sipas studimit, rezultatet nga eksperimentet laboratorike treguan se antioksidanti i fuqishëm tek brokoli i quajtuar sulforaphane mund të ndalojë prishjen e kërceve si dhe të reduktojë dhimbjen.
Studimi u krye tek minjtë, të cilët shfaqën shenja të dukshme përmirësimi dhe një reduktim të prishjes së kërceve si dhe më pak osteoartrit.
Sipas studiuesve, sulforaphane çlirohet gjatë ngrënies së perimeve që bëjnë pjesë në familjen e lakrës, po në veçanti u vu re tek brokoli.
Fillimisht studimet e lidhnin konsumimin e brokolit me reduktimin e kancerit por tani studimi i ri thotë se kjo perime ka shumë veti të tjera për të luftuar dhe artritin. Artriti është një sëmundje e kyçeve që shkatërron kërcet në duar, këmbë, shpinë. Zakonisht nga kjo sëmundje preken të moshuarit.
Një grup kërkuesish nga një Universitet në Angli ka arritur në përfundimin se kimikatet e brokolit bllokojnë enzimën që shkakton dëmtimin e kyçeve tek të sëmurët me osteoartrit , forma më e zakonshme e artritit.
E përditshmja britanike "Daily Mail" shkruan se është hera e parë që kjo perime lidhet me osteoartritin.
"Ne dimë që tek brokoli gjendet një përmbajtje që quhet sulforaphane, e cila zvogëlon dëmtimin e kërceve, por tani është arritur në përfundim se ky antioksidant ndalon përparimin e dëmtimit."
Brokoli është edhe një luftues natyror për shumë lloje të kancerit, duke përfshirë kancerin e gjirit, kancerin e mitrës, kancerin e prostatës, kancerin e organeve të brendshme si mushkëritë, mëlçinë, zorrën e trashë, veshkat etj. Studimet e mëparshme kanë treguar se brokoli është veçanërisht i mirë për kancerin e gjirit dhe kancerin e mitrës sepse heq estrogjenin shtesë nga trupi.
Kjo për shkak të pranisë së fortë anti-kancerogjene si sulforaphane, diindolylmethane, beta-karotene, selen dhe vitamina të tjera si-vitaminë C, vitaminë A dhe-vitaminë E, zink, kalium dhe disa amino, të cilat jane shumë të vlefshme kundër agjentëve kancerogjenë.
10. Shafrani i Indisë – Shafrani është një erëz e zakonshme në kuzhinën indiane, po ashtu përdoret edhe në disa zona të tjera të Azisë. Shumë studime janë bërë për këtë, të cilat kanë treguar se vetitë e kurkumës apo shafranit lehtësojnë simptomat e artritit pasi ka veti anti-inflamatore dhe antioksidantë.