20140321semundje1 |
Akupuntura
Akupunktura është pjesë e Mjekësisë Tradicionale Kineze e cila daton 5 mijë vite më parë . Kjo bazohet ne besimin se qeniet e gjalla kane energji vitale, e ashtuquajtur "Chi", e cila qarkullon në meridianet (kanale imagjinare të energjisë) në trup.
Nëse ka çrregullim të qarkullimit të energjisë "Chi" atëherë lind sëmundja. Akupunktura kryhet me gjetjen e pikave te duhura ne trup dhe futjen e gjilpërave në vendet e caktuara.
Akupunktura trajton shumë sëmundje duke nisur që nga migrena, ftohjet, pucrrat në fytyrëm artriti, dhimbje mesi, astmën, ekzemën, ndihmon për dobësim etj.
Akupunktura është totalisht natyrale, pa efekte anësore dhe ju ndihmon për forcimin e sistemit imunitar, po ashtu largon dhimbjet për shkak se gjatë akupunkturës çlirohen endorfinat. Po ashtu, lehtëson dhembjet tek pacientët që vuajnë nga kanceri pasi kanë përdorur kimioterapinë.
Moxibustioni
Moxibustioni fjalë për fjalë do të thotë "djegia e gjetheve të pelinit". Pelini (Artemesia Vulgaris) është një bimë që rritet në mbarë botën dhe është përdorur për qëllime mjekësore në shumë kultura, duke përfshirë edhe atë kineze. Stimulimi nga djegia së bashku me aromën e veçantë të barit (moxa) ruan shëndet të mirë dhe shëron sëmundjet. Moxibustion, një metodë e përdorimit të nxehtësisë së prodhuar nga djegia e drejtëpërdrejtë ose e tërthortë e moxa-s, një bimë mjekësore tradicionale kineze, që eksiton në pikat e akupunkturës në kohën e trajtimit mjekësor. Kështu akupunktura (zhenjiu) është një aplikim i përbashkët i futjes së gjilpërave në pikat e akupunkturës (Zhen) dhe i përdorimit të nxehtësisë së prodhuar nga djegia e nje bime mjekësore kineze (Jiu).
Bima e pelinit rritet në Kinë, kultivohet dhe pasi thahet zakonisht paketohet në formën e purove, e cila përdoret më pas nga akupunkturisti.
Ka shumë mënyra të përdorimit të moxa-s. Metoda më e njohur është ajo e ndezjes së moxa-s dhe mbajtjes së saj pranë pikes së akuptunkturës, dhe më pas nëpërmjet lëvizjeve mundësohet që ngrohtësia të hyjë në zonën e paracaktuar. Një metodë tjetër është aplikimi i një sasie të vogël të moxa-s në fund të gjilpërave. Kjo metodë mundëson një penetrim më të thellë në zonat e akupunkturës. Moxibustioni mund të përdoret gjithashtu drejtpërdrejt në lëkurë, por akupunkturisti duhet të ketë shumë përvojë për të mos djegur lëkurën tuaj.
Një nga aspektet më të rëndësishme të moxibustionit është përmirësimi i qarkullimt të gjakut. Shumë pacientë shprehen se mund të ndjejnë nxehtësinë që u depërton shumë thellë, duke mos u djegur lëkurën.
Moxibustioni mund të ndihmojë në trajtimin e sëmundjeve si:
Hernie diskale, spondiliartrozë, artrit, kolit, ulcer, lodhjen etj.
Kjo metodë nuk duhet të përdoret nga ata që vuajnë nga diabeti si dhe nga gratë shtatzëna.
Masazhi
Masazhi është një metodë kineze mijëravjeçare dhe është përdorur dhe përdoret gjerësisht për mjekimin e sëmundjeve të ndryshme, si në problemet me rruazat e qafës, në mjekimin e tendosjes akute të muskujve të mesit, të hernies diskale, të nyjeve e gjymtyrëve etj.
Masazhi kryesisht rregullon funksionet e organeve të brendshme. Sipas mjekësisë tradicionale kineze, sëmundjet në trupin e njeriut shkaktohen nga çrregullimi i funksioneve të organeve të brendshme. Nëpërmjet masazhit, funksionet e çrregulluara të këtyre organeve arrijnë përsëri ekuilibrin e ri , dhe si rezultat mjekohen sëmundjet dhe forcohet shëndeti.
Gjithashtu masazhi rregullon meridianët, energjinë dhe ndihmon për një qarkullim më të mirë të gjakut në trupin e njeriut. Në momentin kur prishen ekuilibrat në trupin e njeriut, atëherë lind sëmundja. Nëpërmjet masazhit, mund të nxitet qarkullimi i gjakut, duke ndihmuar në rregullimin e funksioneve të organeve të brendshme.
Të gjithëve na pëlqen që pas një dite të lodhshme të na bëjnë masazh. Por kur jemi të sëmurë i biem edhe shkurt, duke pirë një grusht ilaçe. Mjafton që të na pushojë dhimbja. Sot sëmundjet e kockave, reumatizma etj, janë shumë të përhapura. Këto dhembje e kanë zanafillën e tyre që në moshë të hershme.
Masazhi stimulon fijet nervore, liron tensionin, largon stresin si dhe është një mjet i shkëlqyer në luftën kundër dhimbjes së kokës dhe pagjumësisë. Gjithashtu masazhi ushqen lëkurën, e rritë elasticitetin e lëkurës, lëkurën e bën më të butë dhe të ndritshme.
Masazhi rregullon qarkullimin e gjakut, rregullon qarkullimin e limfës në enët limfatike,duke ia kthyer trupit vitalitetin dhe energjinë në mënyrë të përsosur dhe natyrale. Me anë të masazhit mund të lirohet stresi ditor që ndikon në paraqitjen e sëmundjeve kronike dhe depresionit, sepse eliminohen mbeturina nga trupi, apo e thënë ndryshe, materie të dëmshme që duhet domosdo të largohen nga trupi.
Masazhi i këmbëve, më i rëndësishmi
Për kinezët këmba është zemra e dytë. Kur jeni të lodhur provoni të bëni një masazh këmbësh dhe do të shihni sa do relaksoheni.
Edhe nëse nuk keni mundësi t'i drejtoheni qendrave të masazhit, këtë terapi mund ta bëni vetë ju në shtëpi. Futini këmbët në ujë të ngrohtë me kripë deti për 15 minuta dhe më pas nisni masazhoni këmbët tuaja me një vaj apo krem çfarëdo. Niseni me këmbën e djathtë.
Masazhimi i gishtit të madh të këmbës bën që truri ynë të funksionojë më mirë. Sipas refleksologjisë, këmba përmban shumë pika refleksive që korrespondojnë me të gjitha pjesët e trupit, gjendrat apo organet. Në fakt, refleksologët gjejnë një hartë të të gjitha organeve të trupit të vendosura në shputën e këmbës. Për këtë arsye masazhi i këmbëve është tejet i rëndësishëm. Filozofia kineze thotë se bima kalbet nga rrënja, po ashtu njeriu sëmuret nga këmba.
Masazhimi i veshëve është gjithashtu i rëndësishëm.
Mjekësia e lashtë kineze beson se veshët nuk kanë vetëm funksionin e dëgjimit, por janë edhe një kuti magjike mjekësore, një barometer shëndeti dhe një organ diagnostikimi.
Masazhimi i vazhdueshëm i veshëve është një metodë e thjeshtë dhe efektive për të mbajtur një shëndet të mirë si dhe për të rregulluar çekuilibrat e energjisë.
Akupunktura dhe masazhimi tek veshët janë terapitë më të përhapura në trajtimin me MTK.
Veshi përmban mbi 200 pika akupunkture që lidhen me shumë organe të ndryshme.
Mjekësia Tradicionale Kineze analizon se çdo ndryshim që ndodh brenda trupit të njeriut reflektohet tek veshët, dhe stimulimi i pikave të akupunkturës tek veshët mund të ndihmojë në rregullimin e ekuilibrit të energjisë.
Veshët tregojnë nga çfarë sëmundje vuani
Veshët me ngjyrë të kuqe të theksuar zakonisht tregojnë probleme me "zjarrin e brendshëm". Ata mund të kenë temperament të nxehtë, ndjejnë shpesh etje dhe vuajnë nga dhimbja e kokës, përzierja, zhurma në vesh, pagjumësia dhe probleme me tretjen.
Veshët me ngjyrë të errët zakonisht janë shenjë e dhimbjeve serioze si dhimbje stomaku dhe probleme me zorrët.
Veshët e hollë tregojnë mungesë energjie tek veshkat – në MTK veshkat i referohen sistemit riprodhues dhe atij urinar.
Personat me veshë të hollë, me ngjyrë të errët etj, zakonisht vuajnë nga probleme me çekuilibrin e energjisë chi tek veshkat. Ata zakonisht janë të dobët dhe mund të vuajnë nga marrje mendsh, zhurmë veshësh, probleme me shpinën dhe gjunjtë, djersitje gjatë natës, temperaturë etj.
Pacientët meshkuj mund të vuajnë nga ejakulimi i parakohshëm. Tek femrat mund të kenë çrregullime menstrucionesh.
Damarët e ngritur të gjakut zakonisht janë tregues të problemeve të zemrës dhe astmës. Infeksionet dhe dhimbjet e ndryshme të veshit janë si pasojë e infeksioneve të veshit të mesëm.
Pothuajse çdo organ ka pikat e refleksit në vesh. Dhimbjet, aknet, lëkura, ndryshimet në formë dhe ngjyrë në disa zona tregojnë çrregullime në organet përkatëse. Stimulimi i pjesëve të ndryshme të veshit, nëpërmjet masazhimit për shembull, mund të ndihmojë në lehtësimin e problemeve të ndryshme.
Largoni toksinat nga trupi me terapinë kineze "Gua Sha"
Një sekret i lashtë kinez, terapia Gua Sha praktikohet ende dhe sot nga shumë kinezë.
Gua do të thotë fërkoj. Sha është diçka e kuqe si skuqjet e lëkurës. Gua sha është një teknikë e vjetër shërimi e Kinës që i ka fillesat mbi 2 mijë vjet më parë.
Kjo metodë e lashtë për nxitjen e energjisë "chi" ose energjisë jetësore dhe për qarkullimin e gjakut, po ashtu edhe për eleminimin e toksinave nga trupi, dhe infeksioneve të ndryshme.
Por jo vetëm kaq, Gua Sha ndihmon në përmirësimin e përgjithshëm të shëndetit. Energjia "chi" është forca e jetës që na mban të shëndetshëm dhe të gjallë.
A vuani nga dhimbje kronike? Keni probleme me nivelin e lartë të helmeve në trup? Probleme me qarkullimin e gjakut? Lodhje? Infeksion? Stres fizik ose emocional?
20140321semundje2 |
Nëse vuani nga problemet e mësipërme atëherë duhet të përdorni trajtimin Gua Sha, pasi do të përfitoni shumë nga ai.
Metoda e aplikimit të Gua Sha nis me lyerjen e lëkurës me vajin Gua Sha. Ky vaj ka në përbërjen e tij barna bimore ose vajra esenciale që ndihmojnë në eleminimin e toksinave nga trupi. Më pas praktikuesi i kësaj metode nis me fërkimin në zona të veçanta ose në mbarë trupin, duke përdorur instrumentin specifik Gua Sha.
Trajtimi Gua Sha nuk shkakton dhimbje. Nëpërmjet fërkimit bëhet e mundur nxjerrja e toksinave jashtë lëkurës nga thellësia në sipërfaqe. Gjatë këtij momenti në trup mund të shihen shenja të kuqe ose të kuqerremta si dhe zona e trupit ku është praktikuar kjo metodë nis të nxehet, të gjitha këto janë dëshmi e çlirimit të toksinave.
Gua Sha krijon një gjendje në lëkurë që tërheq lart toksinat mbi lëkurë, dhe i lejon poret e lëkurës të thithin oksigjen të pastër dhe elemente ushqyese nga vaji Gua Sha.
Ndryshe nga akupunktura, Gua Sha trajton jo vetëm sistemin e meridianëve por të gjithë sistemin në tërësi. Kjo është arsyeja pse kinezët e përdorin këtë trajtim si parësor në parandalimin e sëmundjeve. Gua Sha mund të përdoret për trajtimin e sëmundjeve të ndryshme, migrenës, dhimbjeve kronike të qafës, dhimbjeve të mesit dhe supeve, çrregullimeve menstruale, pagjumësinë, problemet me zemrën, hipertension, marrje mendsh, sinusit, probleme me veshët dhe sytë, infeksionet e ndryshme, astma, cistet, stresin, dhimbjet muskulare, problemet e lëkurës e shumë të tjera.
Hedhja e kupave
Hedhja e kupave është një formë e mjekësisë alternative kineze, ku kupat vendosen mbi lëkurë. Këto kupa me origjinë nga Lindja e Largët kanë mbi 5000 vjet që përdoren, por kohët e fundit kanë nisur të preferohen edhe nga vipat.
Nga shumë studime të përbashkëta australiano-kineze, në vitin 2012 rezultoi se hedhja e kupave, nëse kombinohet me trajtime të tjera si akupunktura etj, ndihmon në shërimin e akneve paralizave faciale, spondiliartrozës, heqin të ftohtin dhe largojnë toksinat nga trupi.
Kjo metodë është përdorur që nga gjyshet tona, të cilat mesa duket ia dinin vlerën kësaj terapie.
Kupat e qelqit ku brenda ndodhen fitila me alkool apo substanca bimore ngrohen dhe vendosen mbi shpatullat e të sëmurit.
Lihen disa minuta derisa krijojnë vakum, i cili shkakton fryrje dhe skuqeje të lëkurës për shkak të zgjerimit të enëve të gjakut. Zakonisht kupa lihet nga 5-10 minuta.
Përveç terapive të mësipërme, mjekësia kineze përdor dhe barnat e ndryshme medicinale.
Barnat tradicionale të mjekësisë kineze përdoren për parandalimin, për përcaktimin e diagnozës dhe kurimin e sëmundjeve. Ato janë ilaçet natyrore dhe produktet e përpunuara prej tyre, duke përfshirë bimë, kafshë, minerale dhe një pjesë ilaçesh kimike dhe biologjike. Shpikja dhe përdorimi i barnave tradicionale të mjekësisë kineze kanë një histori disa mijëravjeçare, kurse shprehja "barnat tradicionale të mjekësisë kineze" është përdorur vonë, kur mjekësia e perëndimit ka hyrë në Kinë, për të dalluar këto dy mjekësi nga njëra-tjetra.
Së bashku me akupunkturën, mjekësia bimore është një shtyllë kryesore në mjekësinë kineze. Tani në Kinë ka mbi 6 mijë lloje barnash tradicionale kineze, mbi 600 lloje prej tyre përdoren më shpesh. Barnat tradicionale kineze zënë vendin e parë në botë përsa u përket llojeve dhe sasisë. Krahas plotësimit të nevojave të vendit, këto ilaçe eksportohen edhe në mbi 80 vende dhe rajone të botës, duke gëzuar famë të madhe në arenën ndërkombëtare.
Barnat me shije të thartë përdoren kryesisht për kollën, diarrenë kronike, probleme me rrugët urinare, dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me hypo-metabolizmin.
Barnat me shije te hidhur ndihmojnë në përmirësimin e oreksit dhe janë përdorur gjerësisht në rastet e fazave akute të sëmundjeve infektive dhe në rastet e artritit.
Barnat me shije të ëmbël kanë funksione tonifikuese përmirësuese dhe harmonizojmë disa sisteme të rëndësishme të trupit, duke përfshirë sistemin tretës, të frymëmarrjes, sistemin imunitar dhe sistemin endokrin. Ato përdoren gjithashtu edhe për të problemet me kollën e thatë, dhe mosfunksionime të ndryshme si probleme me stomakun etj.
Barnat pikante ndihmojnë në qarkullimin e energjisë Chi dhe në pastrimin e gjakut. Ky grup i barnave mund të aktivizojë funksionin e meridianëve dhe organeve, të pastrojë gjakun dhe të përmirësojnë qarkullimin e tij. Në tërësi, bimët pikante kanë efektin e aktivizimit dhe përmirësimit të metabolizmit. Ato janë përdorur gjerësisht në trajtimin e gripit apo të ftohtit, kur funksioni i meridianëve dhe organeve është dobësuar dhe qarkullimi i gjakut nuk bëhet lehtësisht. Në terminologjinë e mjekësisë kineze, kjo është një fazë e ku energjia Chi ka mbetur në një gjendje të fjetur.