20140228pagjume |
Me rritjen e temperaturave në pranverë, shumë prej nesh ndihen të lodhur, shpeshherë të përgjumur apo kanë konfuzion, që Mjekësia Tradicionale Kineze e quan "përgjumja në pranverë". Këto simptoma janë reagime normale fizike të shkaktuara nga ndryshimi i stinëve.
Gjatë stinës së ftohtë të dimrit, qarkullimi i gjakut ngadalësohet dhe bashkë me të edhe sekretimi i djersës, për të ulur humbjen e energjisë dhe për ruajtjen e temperaturës normale të trupit. Me afrimin e pranverës shtohet qarkullimi i gjakut dhe sekretimi i djersës. Me këto reagime trupi ynë do të harxhojë më shumë oksigjen, duke pakësuar oksigjenin në tru. Për këtë trupi ynë do të frenojë aktivitete mendore për të ulur harxhimin e oksigjenit dhe qarkullimin e gjakut në tru. Për këtë ndihemi të përgjumur në pranverë. Megjithatë, përgjumja gjatë pranverës mund të lëshojë sinjale paralajmëruese për disa probleme të fshehura. Sot do të flasim hollësisht për këto probleme.
1. "Përgjumja në pranverë" mund të jetë një lloj shpëtimi psikologjik
Sipas mjekësisë kineze në pranverë, ndryshimi i madh i temperaturës mes natës dhe ditës mund të shkaktojë luhatje të madhe psikologjike. Prandaj, në pranverë shtohen simptomat e sëmundjeve psikologjike. Sipas studimeve, përgjumësia e tepërt mund të jetë një lloj shpëtimi psikologjik, që do të thotë se personat që nuk dëshirojnë përballimin e sfidave dhe tensionit të përditshëm preferojnë të flenë për një kohë tepër të gjatë. Personat që kanë "Përgjumësi në pranverë" për shkak të presionit psikologjik duhet të kërkojë ndihmën e psikologut
2. Anemia
Më sipër thuhet se rritja e temperaturës në pranverë sjell problemin e uljes së qarkullimit të gjakut në tru, duke shkaktuar përgjumje. Por, këto simptoma mund të paralajmërojnë edhe problemin e anemisë, që mund të ndodhë në çdo moshë. Përveç lodhjes dhe gjumit të tepërt, personat e prekur nga anemia mund të kenë edhe marramendje, dhimbje koke, tringëllima në vesh, paqëndrueshmëri mendore, zbehje në fytyrë etj. Nëse keni simptomat e mësipërme këshillohet të bëni një analizë gjaku.
3. Mungesa e oksigjenit në tru
Shumë prej të moshuarve kanë probleme me arteriet dhe qarkullimin e pamjaftueshëm të gjakut në tru. Nëse keni përgjumje të tepërt në pranverë së bashku me uljen e kujtesës, reagime të ngadalëshme dhe simptoma të tjera psikologjike dhe nervore, mund të keni probleme me sistemin nervor dhe cerebrovaskular. Prandaj, kontrolli mjekësor ndaj këtyre problemeve është shumë i nevojshëm.
4. Çrregullimet e frymëmarrjes gjatë gjumit
Pengesa në traktin e sipërm respirator (goja, hunda, sinuset etj), ndalimi i frymëmarrjes në gjumë mund të shkaktojnë mungesën e oksigjenit dhe pushimet gjatë gjumit. Si rezultat, gjatë ditës mund të keni lodhje dhe përgjumje. Për personat që vuajnë nga mbipesha dhe gërhasin natën, nëse ata kanë simptoma të përgjumësisë në pranverë, më mirë që të shkojnë për një kontroll mbi çrregullimet e frymëmarrjes gjatë gjumit dhe të marrin mjekimin e duhur.
5. Sëmundjet e zemrës
Sëmundjet e ndryshme të zemrës mund të shkaktohen si pasojë e një serë problemesh me gjakun dhe sistemin kardiovaskular me bllokimin e arterieve etj. Këto arsye mund të sjellin lodhjen, aritmi, probleme me frymëmarrjen, ngushtësi në gjoks, marramendje dhe simptoma të tjera, të cilat mund të keqësohen më tej pas aktiviteteve dhe të përmirësohen pas pushimit. Për këtë gjendje, më mirë që të bëhet një kontroll mjekësor të zemrës.
6. Sinjalet paralajmëruese për sëmundje mendore
Pranvera është një stinë me shpërthime të shumta të problemeve psikologjike. Neuropsikiatrit paralajmërojnë se personat që kanë shqetësime të shpeshta, ankth apo depresion të madh, duhet t'i kushtojnë vëmendje të madhe "përgjumësisë në pranverë", e cila mund të jetë sinjal paralajmërues për shpërthimin e sëmundjeve mendore. Këshillohet që gjatë kësaj faze të konsumohen banane, patatet dhe çokollata për të lehtësuar depresionin. Po ashtu, komunikimi me familjarët dhe miqtë e ngushtë është një metodë efikase për çlirimin e tensioneve të brendshme.
"Përgjumësia në pranverë" mund të jetë sinjal i disa sëmundjeve. Por nëse këto simptoma kalojnë pas kësaj faze atëherë nuk duhet të shqetësoheni.
Më poshtë ju paraqesim disa metoda të mjekësisë tradicionale kineze për largimin e përgjumjes në pranverë, të shkaktuar nga ndryshimi i stinës.
1. Masazhi i fytyrës:
Në fytyrë kemi shumë pika akupunkture. Masazhi i rregullt në fytyrë dhe kokë mund të nxitë qarkullimin e gjakut, duke asgjësuar lodhjen.
2. Krehja e flokëve:
Krehni flokët disa herë për të përmirësuar qarkullimin e gjakut në kokë, duke lehtësuar mungesën e oksigjenit në tru. Kjo metodë nuk ju merr shumë kohë, po ashtu nevojitet vetëm një krehër.
http://creatingabetterlife.net/wp-content/uploads/2011/03/hair-combing.jpg
3. Larja e fytyrës me ujë të ftohtë:
Sipas teorisë së Mjekësisë Tradicionale Kineze, "Përgjumësia në praverë" shkaktohet nga lulëzimi i energjisë "Yang" në mëlçi, e cila lidhet me karakterin e pranverës. Pastrimi i fytyrës me ujë të ftohtë mund të stimulojë nervat e fytyrës dhe mendjen, si dhe të pakësojë ndikimet negative të energjisë "Yang" në mëlçi.
4. Ku hyn dielli nuk hyn mjeku
Edhe pse gjatë ditës mund të jeni tepër të zënë, jepini vetes pak minuta për të qëndruar në diell pasi ajo mund të pakësojë depresionin dhe lodhjen.
5. Dëgjimi i muzikës
Edhe mjekët e Perëndimit, po ashtu edhe ata të Lindjes theksojnë rëndësinë që ka muzika në trurin tonë, për këtë dëgjoni më shpesh muzikën që ju pëlqen. Do shihni që humori juaj do të përmirësohet menjëherë.