20140124shendetpj2 |
Ndoshta keni dëgjuar shpeshherë për ushqimin holistik. Po çfarë është ai? Pse përdoret? A ushqehemi ne sipas mënyrës holistike?
Ushqimi holistik është shërimi nëpërmjet ushqimit. Konsiston në konsumin e të gjitha atyre ushqimeve që nuk janë të gatshme apo gjysmë të gatshme, po ashtu në ushqimet e shëndetshme që sjellin balancën dhe shtojnë vitalitetin në trupin tuaj. Në të kaluarën njerëzit nuk ushqeheshin me ushqim të gatshëm apo me patatina dhe "fast-food".
Specialistët e shëndetit theksojnë se për të arritur ekuilibrin fizik, shpirtëror dhe mendor, duhet të mbani një dietë të balancuar me ushqimet e duhura. Një dietë që konsiston në ushqime të freskëta në të cilat nuk është shtuar kripë apo sheqer. Ushqimet e ashtuquajtura të shëndetshme nuk kanë kimikate që dëmtojnë organizmin tonë. Të gjithë kemi dëgjuar që frutat dhe perimet na mbajnë të shëndetshëm, pasi ato ulin rreziqet për prekjen nga sëmundjet. Ushqimet organike janë edhe një alternativë për shëndetin që mund të na ndihmojë për ruajtjen e ekuilibrit. Ushqimet e shëndetshme janë ato ushqime që nuk janë rritur me pesticide apo hormone. Perimet, frutat, farat etj., të papërpunuara janë tepër të rëndësishme për organizmin pasi përmbajnë minerale dhe përbërje të tjera që i nevojiten trupit çdo ditë.
Ushqimi holistik fokusohet tek mbajtja e një diete të shëndetshme, duke e konsideruar individin si një të tërë, duke përfshirë të gjitha aspektet e jetës së tij të përditshme. Kjo sjellje natyrale ndërthur shëndetin emocional, shpirtëror dhe fizik, për të krijuar një gjendje mirëqënieje dhe shëndet optimal. Sjellja holistike ka të bëjë me dietën dhe terapinë, me konsumin e ushqimeve natyrale po ashtu me marrjen e energjisë.
Kuptimi i ushqimit
Sipas specialistëve, parimi themelor i të ushqyerit holistik është se ushqimi siguron energjinë e nevojshme për të funksionuar si duhet dhe furnizon trupin me lëndë ushqyese që janë të nevojshme për shëndetin e kockave, muskujve, dhe për gjakun. Vlerat ushqyese të marra nga ushqimi janë esenciale për proceset natyrore që ndodhin vazhdimisht brenda trupit. Të ushqyerit holistik përfshin tre komponentë kryesorë: makroushqyesit, ku përfshihen karbohidratet, proteinat dhe yndyrnat, mikroushqyesit, ku bëjnë pjesë vitaminat dhe mineralet, dhe fibrat. Të gjithë këta komponentë luajnë një rol të rëndësishëm për shëndetin.
Praktikuesit holistikë, ku përfshihen akupunkturistët, herbalistët dhe dietologët –janë të mendimit se ndjekja e një regjimi ditor dhe diete holistike i mundëson njerëzve shërim natyral pa ilaçe. Kjo lloj mënyre e të ushqyerit kërkon një balancë të duhur ndërmjet proteinave, vitaminave dhe përbërësve të tjerë ushqimorë për arritjen e nivelit optimal të energjisë, mirëqënies si dhe aftësive për të luftuar infeksionet. Të ushqyerit si duhet parandalon problemet me zemrën, diabetin, obezitetin dhe kancerin.
Po cilat ushqime të përfshijmë në dietën tonë
Të gjitha ushqimet si perimet, drithërat e shëndetshme, peshku, fasulet, frutat, arrat dhe farat janë ushqime natyrale. Gjatë gatimit të këtyre ushqimeve mund të përdorni erëza të ndryshme, të cilat janë shumë të shëndetshme, vaj ulliri apo vaj arre kokosi. Po ashtu ka shumë rëndësi të konsumoni larmishmëri ushqimesh, që i përkasin të njëjtit grup, sidomos perimet me gjethe jeshile.
Lëngjet kanë një rëndësi të madhe po ashtu për shëndetin. Pini sa më shumë ujë natyral apo dhe çaj. Hiqni dorë nga të gjitha pijet me ngjyra e me gaz, lëngjet e gatshem të frutave etj.
Përfitimet
Sipas uebsajtit "Life Positive", ndjekja e një plani ushqimor holistik ka përfitime të fuqishme psikologjike, shpirtërore dhe fizike, sidomos për ata persona që vuajnë nga diabeti, sëmundjet e zemrës, astma etj. Dieta holistike forcon kockat, dhe organet vitale përfshi zemrën, mëlçinë, stomakun dhe zorrët. Specialistët e ushqimit holistik theksojnë se kjo mënyrë e të ushqyeri ka lidhje të drejtpërdrejtë me mirëqënien psikologjike, për çlirimin e stresit, forcimin e kujtesës, etj.
Më konkretisht…
-Pini të paktën 8 gota uji në ditë.
-Zgjidhni ushqimet natyrale evitoni në maksimum ato ushqimet me pesticide, herbicide, dhe të modifikuara gjenetikisht. Këto lloj ushqimesh janë më të freskëta dhe mishi organik nuk është i mbushur me hormone dhe antibiotikë.
-Kur blini oriz, makarona dhe çerealë zgjidhni drithërat integrale.
-Acidet yndyrore po ashtu janë tejet të rëndësishme për organizmin. Përdorni vaj ulliri organik për sallatën. Ndërsa për gatim përdorni vajin e arrës së kokosit ose të farës së lirit.
-Evitoni kategorikisht të gjitha ushqimet e gatshme dhe të përpunuara në fabrikë.
-Eleminoni sheqerin, shurupët dhe ëmbëlsuesit artificialë, të gjithë këta rrezikojnë seriozisht shëndetin.
-Kripa po ashtu sjell probleme në shëndet. Evitojeni në maksimum përdorimin e kripës. Kontrolloni etiketat e produkteve të gatshme. Do shihni përmbajtjen e lartë të kripës në to. Mirë është të konsumoni kripë himalaje.
-Evitoni mishin e kuq dhe të gjitha produktet e qumështit gjatë dietës holistike.
-Mos i fusni ushqimet apo lëngjet në mikrovalë.
Megjithëse kjo mënyrë e të ushqyerit nuk është e lehtë për fanatikët e ushqimit të shpejtë, këshillohet që t'i zëvendësoni sanduiçët apo byreqet e blera me sanduiçët e përgatitura në kushtet e shtëpisë nga vetë ju. Zëvendësojeni pataten me patate të ëmbël pasi kjo e fundit ka fuqi shëruese. Për përgatitjen e salcës së makaronave, përdorni më mirë "pesto" sesa majonezë.
Hani gjithnjë në orar dhe niseni ditën me një mëngjes të mirë. Një "smoothie" me qumësht bajamesh, fruta dhe fibra do t'ju ndihmojë për rritjen e energjisë. Konsumimi i 5-6 vakteve të vogla në ditë është më mirë se 3 vaktet me porcione të mëdha.