20131227mjaltimirekeq |
Mjalti është një ushqim natyral dhe i shëndetshëm, i cili përmban shumë minerale dhe vitamina, aminoacide dhe acide organike. Ai ka aftësi kuruese për shëndetin, si dhe për forcimin e imunitetit dhe për të qëndruar të bukur. Sot, shumë njerëz në botë konsumojnë çdo mëngjes një gotë me ujë të përzier me mjalt. Në fakt, nëse pini mjalt në orare të ndryshme, do të keni favore të ndryshme.
Po cilat janë oraret më të përshtatshme për konsumin e mjaltit.
1. Një gotë ujë me mjalt në mëngjes për pastrimin e zorrëve
Shumë persona që pinë ujë me mjalt në mëngjes, do të vënë re që jashtëqitja e tyre është më e rregullt dhe bashkë me të dalin mbetjet nga organizmi, toksinat e panevojshme.
Në fakt, mjalti përmban shumë energji. Energjia e mjaltit është afro 5 herë më e lartë se ajo tek qumështi. Prandaj, ky ushqim mund të furnizojë trupin me energji brenda një kohe të shkurtër, duke asgjësuar lodhjen dhe urinë e njerëzve shumë shpejt. Një gotë ujë mjalti në mëngjes mund të sigurojë vitalitetin e plotë për një ditë.
Metoda e përgatitjes: Çdo mëngjes, përzieni një lugë mjalt në ujë të ftohtë ose pak të ngrohtë. Konsumojeni përpara se të hani mëngjes.
Kini kujdes: Pirja e ujit me mjalt në mëngjes mund të shkaktojë rritjen e acideve të trupit. Ata personat që kanë probleme shëndetësore të zorrës dhe të stomakut duhet të pinë ujë me mjalt në temperaturën 30 gradë. Përndryshe, uji me temperaturë tepër të ulët mund të përkeqësojë shëndetin e zorrës dhe stomakut.
2. Një gotë ujë me mjalt para gjumit
Sipas teorisë së mjekësisë moderne, glukoza dhe vitaminat që përmban mjalti mund të rregullojnë sistemin nervor, të ulin nervozimin dhe të ndihmojnë për një gjumë sa më të mirë.
3. Një gotë ujë mjalti pas vaktit ndihmon tretjen
Mjalti ka efekte mjekësore për nxitjen e tretjes në stomak dhe zorrë, që mund të rregullojë sekretimin normal të acideve në stomak.
Pas ushqimit mund të konsumoni pak mjalt,që mund të forcojë punën e zorrëve , të normalizojë sekretimin e acideve të stomakut dhe shpejtojë metabolizmin.
Metoda: Pini një gotë ujë me mjalt pas 1-2 orëve nga ngrënia e vaktit.
Në librin e lashtë të mjekësisë kineze "Shennong Benchaojing", janë shënuar vetitë dhe funksionet mjekësore të mjaltit, si furnizimi i energjisë "Chi", ndalimi i dhimbjes, detoksifikimi etj. Sipas këtij libri, mjalti mund të konsumohet së bashku me shumë bimët natyrore dhe ilaçet mjekësore, duke forcuar efekte mjekësore të tyre. Më poshtë, do t'ju prezentojmë disa receta të thjeshta me efekte mjekësore.
1. supa e rrepës së bardhë me mjalt: afro 300 gramë rrepa të bardhë, 100 gramë mjalt.
Pastroni rrepën, e vëni mjalt në mes të kësaj rrepe. Pastaj vendoseni në një tas dhe shtoni 300 ml ujë. E vendosni këtë tas në një tenxherë me pak ujë dhe e zieni me avull për 20 minuta.
Kjo këshillohet të pihet dy herë në ditë, për pushimin e kollës dhe për shëndetin e mushkërive.
2. qumështi me mjalt dhe susam: 50 ml mjalt, 100 ml qumësht, 25 gramë susam të zi.
Shtypeni susamin e zi dhe e përzieni së bashku me qumësht dhe mjalt. Këtë përzierje mund ta konsumoni në mëngjes. Kjo favorizon shëndetin e lehonës, lehtëson daljen jashtë dhe i jep lëkurës së thatë lagështinë e duhur.
3. Arra me mjalt: 1kg mjalt dhe 1 kg arra.
Përziejini arrat dhe mjaltin së bashku. Konsumojeni dy herë në ditë nga një lugë. Mund ta konsumoni së bashku me një gotë ujë të ngrohtë. Kjo përzierje lehtëson simptomat e kollës, që shkaktohen nga mungesa e energjisë "Chi" në veshkë.
Sipas filozofisë kineze dhe teorisë së MTK-së, çdo ushqim përfshin njëkohësisht anën pozitive dhe atë negative. I njëjti ushqim mund të sjellë ndikime të shëndetshme për një person, por edhe mund të shkaktojë përkeqësimin e shëndetit për personin tjetër, që ka gjendjen shëndetësore të ndryshme. Megjithëse mjalti përfshin substanca të pasura ushqyese dhe ka shumë veti të çmuara, disa persona nuk duhet ta konsumojnë këtë ushqim.
1. Foshnja nën 1 vjeç nuk duhet të konsumojë mjalt:
Foshnjat nën 1 vjeç kanë imunitet të dobët dhe aftësi të ulët të tretjes, gjë që e bën më të vështirë tretjen e mjaltit. Sipas përvojës mjekësore, pas konsumit të mjaltit, shumë foshnjat nën 1 vjeç mund të kenë probleme me jashtëqitjen, simptoma të lodhjes dhe ulje të oreksit.
Prandaj nuk këshillohet konsumi i mjaltit nga foshnjat.
2.Personat që vuajnë nga diabeti:
100 gramë mjalt përmban 35 gramë glukozë, 40 gramë fruktozë, të cilat mund kalojnë drejtpërdrejt në gjak pa procesin e tretjes. Si rezultat, dendësia e sheqerit të gjakut tek personat që e konsumojnë mund të rritet me shprejtësi. Prandaj, pacientët që vuajnë nga diabeti nuk është mirë ta konsumojnë këtë këtë ushqim.
3. Mos konsumoni sasi të lartë mjalti brenda një dite:
Pra, mjalti përmban shumë glukozë dhe fruktozë, që mund të ndikojnë në ngritjen e nivelit të sheqerit në gjak. Kjo vlen jo vetëm për diabetikët, por edhe për personat që nuk vuajnë nga sëmundje. Mirë është që ky ushqim mos të konsumohet në sasi të lartë brenda një dite. Specialistët sugjerojnë që 20 gramë mjalt në ditë është një sasi e shendetshme për shumicën e konsumuesve, ku në ditë mund të hanë një deri në dy lugë mjalt. (Xu Guang)