20131115floketpj |
Sipas mjekësisë kineze flokët janë pasqyrë e shëndetit. Flokët janë pjesë e rëndësishme e pamjes sonë të jashtme sidomos për një grua. Shpesh dëgjojmë të thuhet se floku është gjysma e bukurisë, por nëse bie shpesh apo nëse nuk ka shkëqim mund të bëhet burim stresi sidomos për femrat.
Flokët e hollë mund të vijnë për shkak të mungesës së hekurit në gjak. Po ashtu, mjekësia kineze i kushton shumë rëndësi zonës ku ka rënie flokësh me tepricë.
Nëse keni rënie flokësh në zonën e tëmthave, problemi duhet kërkuar tek fshikëza. Nëse humbja më e madhe është në qendër të kokës, atëherë mund të jetë problemi tek zorrët.
Shumë prej pacientëve me tiroide ankohen për flokë të thatë e të dobët që u bien shpesh.
Por, shkaqet e rënies së flokëve janë të shumtë mund të ndodhin për shkak të faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm.
Megjithatë, lajm i mirë është që sot ka mënyra si mund ta trajtojmë këtë problem që prek miliona veta. Por, më parë duhet gjetur shkaku, pse na bie floku?
Më poshtë jepen disa nga shkaqet:
1. Stresi fizik
Çdo traumë fizike, që nga operacioni, aksidentet, dietat e rrepta e deri tek gripi—mund të shkaktojnë humbje të përkohshme flokësh. Pra, stresi fizik apo psikologjik nxit rënien e flokëve. "Kur kalojmë një shok emocional, ai do të godasë së pari flokët dhe lëkurën," shpjegon dermatologu amerikan Marc Glashofer.
Ai shton se nuk duhet të shqetësoheni pasi flokët dalin përsëri me kalimin e kohës.
2. Shtatzënia
Shtatzënia është një nga arsyet pse një grua ka rënie flokësh. Në fakt floku bie më shumë pas lindjes së fëmijës sesa gjatë shtatzënisë.
Përsëri edhe në këtë rast nuk duhet të shqetësoheni pasi floku do të dalë përsëri pas pak muajsh, shton Dr. Glashofer.
3.Mungesë proteinash
Nëse nuk konsumoni sasi të mjaftueshme proteinash në dietën tuaj, atëherë kjo mund të jetë një nga arsyet pse keni rënie floku. Prandaj duhet të konsumoni ushqime me bazë proteinash, përfshi mishin, peshkun dhe vezët.
4. Trashëgimia
"Nëse mamaja apo gjyshja juaj ka patur rënie flokësh në një moshë të caktuar, nuk përjashtohet mundësia që ketë fat të keni dhe ju," thotë Dr. Glashofer.
5. Hormonet femërore
Ashtu si dhe në shtazëni ndryshimi hormonal tek femra mund të shkaktojë rënie flokësh. Kjo vjen si pasojë e çrregullimit hormonal, po ashtu edhe gjatë menopauzës mund të keni rënie flokësh.
6. Stresi emocional
Stresi është armiku numër një i shëndetit dhe shkakton jo vetëm rënie të theksuar flokësh, por ai shton dhe thinjat. Stresi mund të ndodhë në rastet e një divorci, pas vdekjes së një personi të dashur etj.
Për këtë duhet të ndërmerrni hapa për të luftuar stresin dhe ankthin, duke u marr me më shumë aktivitet sportiv, terapi ose duke folur me një mik.
7. Anemia
Pothuajse një në 10 gra të moshës 20-49 vjeçare vuan nga anemia si pasojë e mungesës së hekurit. Kjo sëmundje është përgjegjëse edhe për rënien e madhe të flokut.
Mjekët thonë se kjo mund të zgjidhet duke marrë hekur në formë suplementi. Ata thonë gjithashtu se personat të cilët vuajnë nga anemia nuk kanë vetëm probleme me rënien e flokut, por kanë edhe marramendje, dhembje koke, zbehje në fytyrë dhe gjymtyrë të ftohta.
8. Çrregullimi i gjendrës tiroide
Kur organizmi prodhon tepër shumë hormone të gjendrës tiroide atëherë kjo bëhet problem për metabolizmin si dhe për rritjen, ndërkohë që çrregullimet ndikojnë në rënien e flokëve. Kjo mund të zbulohet tek mjeku pas disa analizave.
9. Mungesa e vitaminës B
Mungesa e vitamins B shkakton jo vetëm depresion e ankth, por edhe rënie flokësh.
Për këtë duhet ndryshuar dieta. Burimet natyrale të vitamins B i gjejmë tek peshku, mishi, frutat e detit, mëlçitë etj. Po ashtu edhe avokado është një frut shumë i shëndetshëm për flokët.
10. Lupusi
Lupusi është sëmundje autoimune gjatë të cilës qelizat mbrojtëse të organizmit sulmojnë pjesët e shëndetshme të tij. Kjo sëmundje shkakton rënie të flokëve, thotë Dr. Hammonds.
Po si të veprojmë në këtë rast: Nëse keni rënie të madhe, floku këshillohet të mbahet i shkurtër, pasi është më i fortë dhe ushqehet më shpejt se floku i gjatë. Nga ana tjetër floku i shkurtër është edhe në modë, një arsye më shumë për një prerje shkurt.
11. Rënie dramatike nga pesha
Rënia dramatike nga pesha shihet si një formë traume fizike që mund të çojë në dobësimin e fijeve të flokut. Kjo gjë do të shkaktojë rënie flokësh për shkak se trupi nuk po ushqehet si duhet dhe nuk po i merr të gjitha vitaminat dhe mineralet e duhura. Humbja e madhe e flokëve mund të jetë shenjë e një çrregullimi të të ngrënit si anoreksia apo bulimia.
12. Kimioterapia
Disa kimikate që përdoren për të luftuar kancerin janë përgjegjëset kryesore për rënien dramatike të flokut. "Kimioterapia është si një bombë bërthamore," thotë Dr. Glashofer. "Ajo shkatërron qelizat si të mirat ashtu edhe ato të prekurat."
Megjithatë, pas përfundimit të kimioterapisë, floku do të dalë përsëri dhe ndoshta mund të ndryshojë nga floku i parë, nëse ka qenë i drejtë, pas kimioterapisë mund të bëhet me onde ose mund të ketë ngjyrë tjetër etj.
13. Sindroma e vezores policistike
Sindroma e vezores policistike (PCOS) është një tjetër problem që vjen nga çrregullimi hormonal. Një tepricë androgjeni çon në formimin e cisteve në vezore, shtim në peshë, një rrezik më të lartë për zhvillimin e diabetit, çrregullime menstruale, infertilitet, si dhe dobësim të flokëve. Gjithashtu hormonet mashkullore të pranishme tek femrat mund të çojnë në shfaqjen e më shumë qimeve në fytyrë dhe trup.
Si të veprojmë: Duhet që patjetër t'i trajtojmë çrregullimet hormonale si dhe të hamë shëndetshëm, të merremi me ushtrime etj. Po ashtu para vizitës tek gjinekologu mund t'ju lindë nevoja të bëni një analizë të nivelit të testosteronit. Zakonisht kjo gjë trajtohet me marrjen e tabletave kontraceptive, por kjo varet nga gjykimi i specialistit të fushës.
14. Marrja e anti-depresantëve dhe ilaçeve për hollim gjaku
Disa tipe medikamentesh mund të nxisin rënien e flokëve. Sidomos ato medikamente për hollimin apo tensionin e gjakut. Medikamente të tjera që shkaktojnë rënie flokësh janë methotrexate (që përdoret për të trajtuar reumatizmën dhe problemet me lëkurën), lithium (për çrregullim bipolar), ka raste edhe ibuprofen dhe anti-depresantët.
15. Përdorimi i preparateve të dëmshëm për flokët
Përdorimi i llakut, xhelit etj, për një kohë të gjatë mund të shkaktojë rënie të madhe floku. Gjithashtu edhe permanenti i flokëve apo zgjatimi i tyre në parukeri mund të shkaktojë rënie flokësh për shkak të përdorimit të kimikateve të dëmshëm.
16. Trichotillomania
Trikotilomania është emri shkencor për maninë e shkuljes së flokëve. Është një dëshirë e pakontrollueshme për të shkulur flokët, të cilat tërhiqen nga skalpi, vetullat, qerpikët dhe zona të tjera të trupit.
"Është si një tik nervor, personi luan vazhdimisht dhe i tërheq flokët," thotë Dr. Glashofer. Trichotillomania nis zakonisht para moshës 17 vjeç dhe është 4 herë më e lartë tek femrat sesa tek meshkujt.
Si të veprojmë: Marrja e anti-depresantëve mund të jetë efektive, por edhe terapia mund të jetë një tjetër opsion.
17. Steroidet anabolike
Termi steroide anabolike përdoret për substancat artificiale që kanë lidhje me hormonet seksuale mashkullore. Ato nxitin rritjen e muskujve të skeletit (pra kanë efekte anabolike) dhe zhvillimin e tipareve seksuale mashkullore—por nga marrja e tyre mund të bien flokët sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë. Steroidet anabolike mund të kenë të njëjtin impakt për trupin si sindroma e vezores policistike, thotë Dr. Hammonds.
Po pse merren asteroidet
Dr. Hammonds thotë se meshkujt kryesisht vendosin të marrin steroide, sepse ato, në fakt, nxjerrin më në pah disa aspekte fizike e të pamjes së jashtme.
Sot, në shumë kultura, pamja e jashtme është bërë gjithçka dhe për këtë shumë meshkuj vendosin përdorimin e tyre për më shumë muskuj.
Këshilla për shëndetin e flokëve
1. Masazhoni shpesh kokën pasi masazhi ndihmon në qarkullimin e mirë të gjakut dhe bën që flokët tuaj të qëndrojnë të shëndetshëm.
2. Meditimi dhe yoga. Meditimi mund të lehtësojë relaksimin mendor e fizik dhe mund të largojë stresin, një nga shkaktarët kryesorë të rënies së flokëve. Meditimi i rregullt mund të ndihmojë gjithashtu edhe në rivendosjen e ekuilibrit të duhur hormonal.
3. Pini lëngje frutash natyrale. Pirja e tyre është një regjenerues i mirë për flokët.
4. Mbajini flokët të pastër. Flokët me yndyrë apo dhe ato të papastra mbledhin bakterie dhe pluhura. Kini kujdes që flokët tuaj t'i lani me një shampo delikate dhe me bazë bimore.
5. Përdorni zbutës dhe trajtues bimorë, maskat në kushtet e shtëpisë mund të jenë një zgjidhje e mirë për të patur flokë sa më të fortë e të shëndetshëm.
Gjithashtu duhet të bëni kujdes që të kontrolloni nivelin e stresit, të ushqeheni me fruta dhe perimet si dhe peshk, të konsumoni shumë ujë gjatë ditës si dhe të evitoni konsumimin e yndyrave shtazore, duke i zëvendësuar me vajra natyrale, veçanërisht me vajin e ullirit.
Mbajini larg ushqimet e skuqura dhe ato të gatshme. Gjithashtu, zinku është një element shumë i domosdoshëm për të frenuar rënien e flokëve. Trupi i njeriut nuk ka rezerva zinku, prandaj ai duhet të merret nga ushqimi. Është thelbësor për metabolizmin qelizor, sistemin imunitar dhe për sintezën e proteinave. Doza ditore për gratë është 8 mg. dhe 11 mg. për meshkujt. Përveç mishit të kuq, mishit të bardhë dhe peshkut, mund të gjeni zink tek kosi dhe djathi, fasulet, kikirikë, arrat, bajamet, selino, spinaqi, speca, kungull, veza, farat etj.