PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
25 mënyra si të dobësohemi pa dietë
2013-10-25 15:15:27 CRI Komenti juaj Printoni

Organizmi i njeriut funksionon si një orë biologjike e brendshme me ritme të përcaktuara nga natyra. Për këtë arsye duhet të ushqehemi në një mënyrë korrekte, të dimë kohën dhe mënyrën se si duhet të hamë.

Mëngjesi, sipas orës biologjike, është një vakt i rëndësishëm. Pas tetë orëve pushim gjatë natës, organizmi i ka mbaruar rezervat normale të sheqerit, sidomos duke i depozituar ato në mëlçinë e zezë dhe në muskuj në trajtë glikogjeni për t'i' përdorur në rast nevoje. Për këtë arsye organizmi ka nevojë për lëndët ushqimore energjike për të filluar aktivitetin e tij ditor. Është i gabuar dhe i dëmshëm zakoni i disave për ta kaluar mëngjesin vetëm me një kafe. Mirë është që mëngjesi të jetë i mirë si në proteina ashtu edhe në fibra. Psh, mëngjesi anglez përbëhet nga vezët, proshuta, salcicet, kërpudhat dhe fasulet. Mëngjesi anglez është ushqim që ka thyer kufijtë dhe tashmë është një ushqim i kërkuar në shumë shtete tjera të botës.

Është plotësisht e sigurt se gjithçka që konsumohet në mëngjes përdoret nga organizmi në orët e para të ditës dhe nuk tepron për t'u depozituar e për të rritur peshën trupore.

Ja disa nga mënyrat si mund të mbani trupin në formë pa mbajtur dietë

1. Hani ngadalë, përtypeni mirë ushqimin

Kur gëlltisim ushqimin me shpejtësi, sistemi i tretjes nuk ka kohë për të dërguar sinjalin e ngopjes në tru. Ekspertët këshillojnë se duhet të përtypemi gjatë dhe të marrim kohë për të shijuar ushqimin. Mjaftojnë 20 minuta për t'i dërguar mesazhin trurit. Kur hamë shpejt, organizmi reagon keq dhe si pasojë shtojmë në peshë. Pra; hani ngadalë nëse doni të dobësoheni! Nëse hani ngadalë për të paktën 1 muaj, do vini re më pak kilogramë në peshore.

2. Më shumë gjumë, më pak kile

Studiuesit e Universitetit të Miçiganit pretendojnë se gjumi është përgjigjja më e mirë për t'u dobësuar. Ata thonë se fjetja një orë më shumë se normalja çdo natë mundëson rënien e mbi 6 kg në vit. Pagjumësia jo vetëm që të bën të ndihesh më i lodhur, por edhe të shëndosh. Profesori Ken Wright, i Universitetit të Kolorados, deklaroi: "Nëse një njeri do të flerë më shumë gjumë, nuk do të hajë ushqime plot me kalori që konsumohen për të shtyrë kohën. Nëse qëndroni zgjuar në dy të natës, normale që do të konsumoni ndonjë biskotë apo çokollatë."

3. Më shumë perime

Konsumoni më shumë perime sidomos të gjalla. Konsumoni të paktën 5 lloje perimesh çdo ditë. Fibrat e larta do t'ju japin ndjenjë ngopjeje dhe do të konsumoni më pak. Mirë është mos t'i gatuani për një kohë të gjatë, avulli është një nga metodat më të mira për ruajtjen e vlerave ushqimore tek perimet. Mos i konsumoni me yndyrë, mirë është t'u shtoni pak lëng limoni dhe erëza.

4. Konsumoni më shumë supë

Konsumi i supës mund të jetë sekreti i dobësimit. Sipas studiueses Kirk, autore e shumë librave mbi dobësimin, konsumimi i supës përditë ju lejon të humbisni deri në 10 kg në muaj.

"Supa është nje mrekulli për të humbur peshë" siguron ajo

"Një pjatë supë përmban sasi të lartë proteinash, gjithashtu vitamina dhe minerale të nevojshme për të pasur energji. Perimet që përmban supa mundësojnë furnizimin e një niveli të mirë me fibra."

5. Mëngjesi ndihmon për rënien në peshë

Nëse për mëngjes konsumoni proteina dhe fibra, sipas ekspertëve nga Universiteti i Misurit, do ta zgjatni ndjenjën e të qenit të ngopur.

Pra, mos dilni asnjëherë pa mëngjes. Studimet e fundit kanë analizuar se një mëngjes i mirë jo vetem na jep energjinë e duhur për të nisur ditën pas gjumit, por bën që në vaktet e mëvonshme trupi të marrë një sasi më të ulët kalorish. Gjithashtu, studimet tregojnë se adoleshentët që zakonisht e nisin ditën pa mëngjes, ishin subjektet më të rrezikuar që kur të rriteshin të ishin mbipeshë.

6. Më shumë oksigjen

Ajri i pastër është një kusht i domosdoshëm për përthithjen e ushqimit nga organizmi. Pa oksigjen organizmi i njeriut nuk mund të jetojë. Këtu bëjnë pjesë lëvizja, veprimtaria fizike, gjimnastika, shëtitjet në ajër të pastër etj. Duhet të kemi parasysh që edhe pse ushqimi mund të jetë cilësor, pa oksigjen dhe lëvizje të mjaftueshme, jo vetëm që nuk mund të përvetësohet, por bëhet edhe i dëmshëm, sepse lë mbetje të shumta në organizëm, duke e dëmtuar atë.

7. Pini shumë ujë…

Gjithnjë thuhet se duhet të pimë 8 deri 10 gota ujë në ditë dhe kjo është e vërtetë. Ujin nuk duhet ta zëvendësojmë me asnjë pije tjetër. Trupi ynë do të jetë gjithnjë i hidratuar dhe gjithashtu veshkat do ta kenë më të lehtë të nxjerrin jashtë toksinat. Me pirjen e mjaftueshme të ujit trupi juaj do të jetë në gjendje të shkrijë dhjamin më lehtë.

8. Zgjidhni një picë më të shëndetshme

Kur porosisni në restorant apo kur e përgatisni vetë picën mirë është të shtoni më shumë perime e më pak mish. Gjithashtu evitoni picat që përmbajnë djath me yndyrë apo proshutë.

9. Mos konsumoni sheqer apo pije me gaz

Zëvendësojeni pijen me sheqer si koka-kola soda-t etj, me ujë apo çaj. Në këtë mënyrë ju do të evitoni përdorimin e një sasie të madhe sheqeri. Më i preferueshëm është uji me limon, mund t'i shtoni edhe pak mjalt.

Personat që konsumojnë shumë pije me gaz si pepsi sprite apo edhe lëngje frutash jo natyrale mund të shtojnë deri në 3 kg në javë. Për të evituar shtimin e këtyre kilogramëve këshillohet ndërprerja e këtyre pijeve, të cilat nuk sjellin asnjë përfitim për shëndetin.

10. Më pak alkool nëse doni të dobësoheni

Shpeshherë na bie rasti të shkojmë nëpër festa apo një fundjavë me miqtë kur alkooli është pothuajse gjithnjë i përfshirë. Alkooli jo vetëm që të shëndosh, por është edhe i dëmshëm për trurin, po ashtu edhe për familjen dhe mbarë shoqërinë. Por, nga studimet e fundit thuhet se birra është një pije që lufton shumë sëmundje si ftohja, gurët në veshka, këshillohet për shëndetin e kockave, të zemrës etj. Edhe pse te shumë persona ekziston koncepti që birra të shëndosh, kjo nuk është e vërtetë. Birra nuk ju shëndosh sepse ajo nuk përmban shumë kalori. Një gotë 250 gramë mban 85 kalori, më pak sesa një gotë lëng frutash kutie e pasur me sheqer dhe përbërës artificialë.

11. Konsideroni pirjen e çajit jeshil

Çaji jeshil mund të shërbejë gjithashtu për të rënë nga pesha. Disa studime kanë treguar se kjo mund të ndodhë si pasojë e veprimit të katekinës. Ajo është një përbërës që përshpejton punën e metabolizmit.

Katekina, një nga përbërësit e parë kimikë me bazë bimore të studiuar për cilësitë kundërkanceroze dhe që gjendet në çajin jeshil, njihet prej kohësh për parandalimin dhe pakësimin e rasteve me kancer të gjirit dhe lloje të tjera kanceri.

12. Më shumë Yoga

Femrat të cilat merren me yoga peshojnë më pak se të tjerat, sipas një studimi të "Journal of the American Dietetic Association". Si realizohet kjo? Personat që ushtrojnë yoga kanë një kontroll më të madh gjatë ushqimit. Për shembull, megjithëse pjata e tyre mund të ketë porcion të madh ushqimi ata hanë deri në momentin që ndihen të ngopur. Studiuesit janë të mendimit se qetësia e brendshme tek një person e arritur nëpërmjet yogës ndihmon njerëzit të kontrollojnë veten gjatë ngrënies.

13. Hani më shumë në shtëpi sesa jashtë

Hani të paktën 5 herë në javë në shtëpi. Një studim i fundit tregon se ushqimet e shpejta jashtë apo ato në disa restorante mund të mos jenë të shëndetshme aq sa ato të cilat mund t'i gatuani vetë.

14. Llogarisni kaloritë

Për të mbajtur një peshë të caktuar, në mënyrë që të mos ju ndryshojë herë pas here, është e nevojshme të ushqeheni me produktet të cilat nuk kanë shumë kalori.

Për shembull lëngu i limonit është i mrekullueshëm pasi është i pasur me vitaminë C. Është mirë që limoni të jetë përbërës në çdo sallatë sidomos në atë jeshile, pasi jo vetëm i jep një shije të mirë por është zëvendësues i shumë frutave të tjera që do ishin të nevojshme.

Përsa i përket vajit përdorni vajra të perimeve, siç është vaji i ullirit. Edhe kosi pa yndyrë është i rekomandueshëm për një mëngjes të lehtë ose një vakt para darkës. Përmban shumë proteina, kalcium, dhe pak zink.

15. Përtypni çamcakëz me mente

Përtypni çamcakëz pa sheqer me shije të fortë menteje. Kjo do t'ju largojë urinë. Mund ta përdorni gjatë kohës që jeni duke parë një film kur dëshira për snacks është e lartë.

16. Përdorni pjata të vogla

Sipas një studimi ka rezultuar se sasia e madhe e ushqimit në pjatë ka prirje që të duket sikur ha pak dhe kështu rrezikon ta mbushni përsëri pjatën, por po të zgjedhësh një pjatë të vogël mund të të bëjë të ndihesh i ngopur shpejt.

17. Porcioni ka rëndësi

Zakoni kryesor i personave të dobët është tek porcioni modest i ushqimit që ata konsumojnë çdo vakt. Mos vendosni në pjatë sasi të madhe ushqimi.

18. Provo që pjata të jetë me ngjyrë të errët

Ngjyra e blu e errët do të ishte zgjedhja më e mirë nëse doni të humbisni në peshë pasi kjo ngjyrë largon oreksin. E kemi thënë dhe më parë se ngjyra e zjarrit, e kuqja, portokallia apo e verdha shtojnë oreksin. Kujtoni logon e Mc Donald's dhe e kuptoni që zgjedhja e ngjyrave nuk është një rastësi.

19. Provoni rregullin 80 me 20

Zakonisht amerikanët hanë deri sa të jenë të ngopur plotësisht, ndërkohë që japonezët hanë deri sa të jenë 80% të ngopur. Ata kanë dhe një emër për këtë zakon që duket se është sekreti i tyre për të qenë në formë: hara hachi bu. Të gjithë ata që duan të bien nga pesha mund ta provojnë këtë metodë duke ngrënë 20% më pak se normalja, sipas studiuesit Brian Wansink.

20. Restoranti

Shpeshherë kur dalim në restorant për drekë me miqtë dhe duam të dobësohemi jemi në dilemë se çfarë të porosisim. Këshillohet që të porosisni sallatë në vend të antipastave dhe peshk në vend të mishit. Më mirë të pini një gotë verë cilësore se sa një sprite apo coca-cola.

21. Zgjidhni salcën e kuqe për makaronat

Zgjidhni salcën e kuqe për makaronat pasi kjo salcë ka më pak kalori dhe më pak yndyrë se salcat me bazë kremi. Por kini kujdes pasi madhësia e porcionit ka rëndësi.

22. Mos konsumoni shpesh mish të kuq

Të konsumosh më tepër ushqime vegjetariane është një zakon që të mban trupin në formë. Vegjetarianët peshojnë kryesisht më pak se ata që konsumojnë mish shpesh. Ndërkohë që ekzistojnë një sërë arsyesh për këtë, legumet mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm.

23. Digjni mbi 100 kalori

Humbi 7 kilogramë në vit pa dietë vetëm duke djegur 100 kalori çdo ditë. Provoni një nga aktivitetet e mëposhtme

- Ecni mbi 1 km çdo ditë ose për rreth 20 minuta

- Merruni me punë shtëpie

- Bëni vrap për 10 minuta çdo ditë

24. Festoni

Kur keni arritur një fitore të tipit që keni hequr dorë nga pijet me gaz apo nga mbingrënia bëjini një dhuratë vetes ose festoni me një mik. Ose mund të shkoni tek parukieri, mund të blini një veshje të re—ose në ndonjë rast të veçantë mund të shkoni edhe për një copë të vogël "cheesecake"

25. Sekreti i francezeve

Francezet janë ato që dallohen për nga mënyra se si kujdesen për trupin dhe ushqimin që zgjedhin. Për të qenë sa më elegante sekreti i tyre qëndron në mospërdorimin e kripës si dhe ushqimeve të gatshme dhe gjysmë të gatshme.

Ato nuk përdorin gjithashtu uthull si dhe erëza të forta, që në vendet ballkanike përdoren më tepër. Ato shmangin gjithashtu sheqerin. Janë të kujdesshme dhe me produktet e qumështit apo me djathrat veçanërisht.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China