20131005epilepsia |
Një sulm epileptik shkaktohet si pasojë e shkarkimeve sinkrone paroksizmale (në formë të sulmeve) të qelizave nervore të trurit. Kjo sëmundje ndikon shumë në jetën e përditshme të të sëmurit.
Disa specialistë sot thonë që epilepsia apo (sëmundja e tokës) shërohet, ndërsa disa të tjerë thonë kjo sëmundje fatkeqësisht s'ka shërim. Disa të tjerë thonë që shkencëtarët po punojnë për gjetjen e një kure efektive për shërimin e kësaj sëmundjeve që ka prekur sot mbi 70 milionë njerëz në mbarë botën.
Personalitete të njohura që vuanin nga e epilepsia kanë qenë Leka i Madh, Julius Caesar, Napoleoni, Gustave Flaubert, Dostojewski, Agatha Christie, Molière, Leonardo da Vinci, Michelangelo, Vincent Van Gogh, Paganini, Alfred Nobel, etj.
Çrregullimet fiziologjike te sistemit nervor
Epilepsia shkaktohet nga çrregullimet fiziologjike te sistemit nervor.
Kjo epilepsi është në disa grada sipas sulmeve epileptike qe i ndodhin të sëmurit, mund të jetë e madhe dhe e rëndë, ose e lehtë, ose me levizje të pakontrolluara nga i sëmuri. Sulmet epileptike mund te ndodhin në çdo orë të natës apo të ditës pa ndonje shkak të qartë, megjithëse lodhja dhe mundimi shpirtëror mund të shtojë përqindjen e këtyre sulmeve.
Sulmi apo kriza e parë epileptike ndodh zakonisht në moshën e fëmijërisë dhe disa te prekurve u shkaktohet dëmtim i trurit për shkak të infeksionit, sulmit, ose tumorit që mund të kenë pasur.
Simptomat
Humbje të ndjenjave për pak çaste ose të zgjatura, levizje me ngërçe të pakontrolluara. Ne rastet e sulmeve të vogla, i sëmuri qëndron në këmbë ose ulur dhe vetëm sa humb mendjen për disa çaste, ndërsa në sulmet e zgjatura, i sëmuri rrëzohet në tokë, humb mendjen, zakonisht i del shkumë nga goja, i ikën gjuha, i dridhen gjymtyrët, madje mund të demtoje veten gjatë krizës. Zakonisht të sëmurët me epilepsi kanë një ndjenjë paralajmëruese për afrimin e krizës nëpërmjet një zhurme si zile në vesh ose me shfaqjen e disa pullave para syve ose kanë mpirje të gishtave. Ky paralajmerim i jep kohë të sëmurit që të shtrihet dhe të largohet nga mjetet e forta për të eliminuar rrëzimin.
Kurat kimike dhe popullore për të sëmurët me epilepsi
Ekzistojnë disa medikamente shumë efektive për largimin e plotë të krizave epileptike ose te pakësimit të tyre në minimum. Bëhet fjalë për ilaçe kimike te quajtura "antispazmatike", siç janë Phenobarbital, Phenytoin, Primidon, etj; ilaçe te cilat nuk duhet të merren pa autorizimin e mjekut specialist.
Në raste të veçanta mund të përdoren dieta të posaçme për të ndihmuar shërimin e plotë dhe në raste shumë të rralla mund të jetë ndërhyrja kirurgjikale zgjidhja më e mirë.
Ekzistojnë gjithashtu një numër bimësh mjekësore që kurojnë epilepsinë dhe ato konsiderohen shumë të mira dhe efektive për këtë problem. Më të rëndësishmet janë:
- Lulet e portokallit: kanë shumë efekt në çrregullimet fiziologjike dhe luftojnë ngërçet. Aroma e portokallit futet në përbërjet farmaceutike që përdoren për sëmundjet e sistemit nervor.
- Herb-of-grace (Ruta graveolens): bime barishtore jetëgjatë, vendi origjinal i të cilës është Ballkani, Italia, Franca jugore. Aktualisht kultivohet në të gjitha vendet e botës. Kjo bimë ka përdorim të gjerë në kurimin e krizave epileptike. Ajo ka një aromë të fortë për shkak se gjethet e saj, të cilat janë edhe pjesa që përdoret për ilaç, merren të freskëta, sepse është gjithnjë e gjelbër, dhe mund të përdoret në çdo stinë të vitit. Kjo bime përdoret për trajtimin e epilepsisë si dhe për semundje të ndryshme. Përdoret dhe ka efekt për shumë sëmundje të tjera, si verdhëza, sëmundja e shpretkës, problemet me mitrën, dhembjet e kokës, dhembjet e shpinës dhe kyçeve dhe helmimet. Dëmi i kësaj bime është se ajo dëmton shtatzaninë dhe e parandalon atë. Nuk duhet të përdoret më shumë se dy javë dhe duhet pasur kujdes që të mos shtohen përmasat e kurës, sepse kjo do të shkaktonte të përziera, dëmtim mëlçie, çrregullim gjumi, marrje mendsh, rënie të fikëti etj.
- Qepa: forcon sistemin e tretjes, pastron zorrët, qetëson sistemin nervor dhe ndihmon në rastet e spazmatizmit të arterieve. I sëmuri epileptik duhet të konsumojë dy kokrra qepë mesatare në ditë, një në mëngjes dhe një në mbrëmje.
- Vaji i lajthisë: Një lugë të vogël me ngrënien e mëngjesit dhe një tjetër me darkën.
- Murrizi (Hawthorn): përdoret për kurimin e epilepsisë, çrregullimet e zemrës, qarkullimin e gjakut. Ajo konsiderohet nga mjekët popullore si "ushqimi i zemrës".
- Karafili: përdoret si ilaç parandalues i krizave epileptike.
- Prasi: konsiderohet antispazmatik.
- Kamfuri: Lëndë e bardhë, e kristaltë, me erë të fortë, që nxirret nga një lloj druri i Lindjes së Largët me fletë si dafina dhe që përdoret sidomos në mjekësi si nxitës i sistemit nervor e i frymëmarrjes, për fërkim etj.
Ndihma e shpejtë për krizat epileptike
1. Largoni nga i sëmuri gjithçka me të cilën mund të dëmtojë veten.
2. Vendosni diçka në gojën e të sëmurit, si p.sh. një copë dru ose një copë rrobe të palosur që të mos e përcjellë.
3. Hap çdo kopsë apo rrip që gjendet rreth fytit, gjoksit dhe barkut të të sëmurit, me qëllim që të marrë frymë më lirshëm.
4. Lëreni të sëmurin të pushojë mjaftueshëm
5. Të afërmit e tij nuk duhet të mungojnë për asnjë çast, të mos e lenë vetëm.
6. Mos ia hapni gojën me forcë por prisni sa ta lirojë vetë atë.
7. Mos e levizni të sëmurin gjatë krizës epileptike
Terapia individuale:
Specialistët theksojnë se nuk ka një mjekim standard të epilepsisë, por, për çdo lloj epilepsie, ka një lloj mjekimi specifik që i përgjigjet gjendjes së pacientit.
Një rëndësi të madhe në mjekimin efikas të epileptikëve ka edhe trajtimi individual i çdo të sëmurit, zgjedhja me kujdes e preparatit dhe e dozave përkatëse të tij për çdo të sëmurë. Kuptohet vetvetiu se në mjekimin konkret duhen pasur parasysh këto parime:
1. Nuk është i mjaftueshëm vetëm mjekimi dhe veprimi antiepileptik i medikamenteve, por njëkohësisht ndikimi me një varg metodash terapeutike për frenimin e saj.
2. Preparatet antiepileptike zakonisht duhet të jepen me doza të fraksionuara në mënyrë që të krijohen përqendrime të vazhdueshme dhe konstante të preparatit në gjak dhe në organizëm. Në shumicën e rasteve preparati duhet të jepet tri deri katër herë në ditë.
3. Çdo preparat ka një dozë optimale, prandaj është detyra e mjekut që ta gjejë atë me kujdes.
4. Mjekimi duhet të bëhet pa ndërprerje për një kohë të gjatë. Këtë gjë duhet ta kenë të qartë si familjarët ashtu edhe të sëmurit.
5. Çdo mjekim i ri duhet të provohet së paku për një muaj.
6. Tek disa epileptik ndodh që një preparat është mjaft efikas për një farë kohe, pastaj dalëngadalë fillon dhe e humb efektin e tij. Në këto raste ose duhet shtuar doza ose duhet ndërruar preparati.
7. Në disa raste kur një preparat i vetëm nuk jep efekt ose më mirë nuk i zhduk krejtësisht krizat, atëherë rekomandohet që të kombinohen dy medikamente.
8. Megjithëse disa epileptologë referojnë se disa medikamente antiepileptike praktikisht janë të padëmshëm dhe nuk kanë nevojë për një mbikëqyrje dinamike periodike, prapë se prapë nga përvoja e janë të dhënat se çdo grup preparatesh antiepileptike duke filluar nga barbituratet, bromuret, hidantoinat, oksazolidinikët, suksinimidikët etj., mund të japin fenomene kolaterale dhe shenja helmimi kronik, prandaj të sëmurët duhet të mbahen nën kontroll dhe mbikëqyrje periodike.
9. Që në fillimin e mjekimit antiepileptik, ky trajtim duhet të kombinohet me një varg preparatesh që ndikojnë mbi sistemin nervor siç janë amfetaminat dhe kafeina si edhe mbi metabolizmin, siç janë vitaminat B6, B1, acidi glutaminik, acidi nikotinik, etj. Në disa raste është rekomanduar edhe mjekimi dehidratues.
10. Në disa raste krahas me mjekimin antiepileptik duhet bërë një mjekim edhe kundër një varg sëmundjesh, siç janë infeksionet, sëmundjet e organeve të brendshme, turbullimet e metabolizmit dhe sëmundjet endokrine.
11. Për të arritur rezultate në mjekim është e domosdoshme që të rregullohet regjimi i pushimit dhe i punës, i ushqimit dhe i gjumit.
Masat parandaluese
Për sa i përket masave parandaluese prindërit në radhë të parë duhet të shkarkohen nga paragjykimet, sepse shumë prindërit ndjenja e fajësisë apo e turpit, për atë që u ka ndodhur, e fshehin sëmundjen e fëmijës apo e mbajnë fëmijën sa më të izoluar, në mënyrë që të mos i ndodhë diçka e keqe nga sulmet epileptike dhe ta marrin vesh të tjerët. Kjo ndikon që fëmija të kuptojë sëmundjen si diçka të rëndë, duke ndikuar kështu në vetizolim me pasojat përkatëse.
Prindërit duhet të kuptojnë se rreth 50 % e epilepsive të fëmijëve zhduken me kalimin e kohës. Krizat epileptike, me ndonjë përjashtim, nuk shkaktojnë dëmtime të trurit. Rrallë epilepsia mund të dëmtojë mendërisht një fëmijë.
Sa më shumë besim të kenë prindërit për shërimin e sëmundjes, aq më lehtë do ta kalojë fëmija, si dhe nuk ka për ta kuptuar sëmundjen si faj apo fatkeqësi. Të shohë me syrin e diçkaje normale dhe që me përpjekje mund të zhvillojë një jetë krejtësisht normale.
Prindërit duhet ta kuptojnë se një ditë fëmija do të jetë i rritur dhe i pavarur. Ai ka nevojë të mësohet me sfidat edhe nëse tërë jetën do të vuajë nga epilepsia.
Kuptohet këtu, pa dyshim, një rol të rëndësishëm e luan personeli mjekësor, duke informuar dhe ndihmuar familjarët dhe vetë të sëmurin.
Nga studimet dhe vrojtimet klinike në grupe epileptikësh, të cilët merren me punë dhe ato që nuk punojnë, rezulton se epileptikët të cilët punojnë, i kanë mjaftë të rralla atakët e tyre. Madje vumë re që puna jo vetëm vepronte në përmirësimin e gjendjes fizike të të sëmurëve, por ajo ndihmonte edhe në përmirësimin e gjendjes mendore, në rrallimin e krizave epileptike. Ajo gjithashtu shtonte pozitivitetin tek të sëmurët, i bënte ata më të shoqërueshëm, më të gëzueshëm, më aktivë, ata nisën të merrnin pjesë me gjallëri në jetën shoqërore në problemet e ditës, kërkonin që t'i shfaqeshin filma, që t'u silleshin gazeta, revista etj.
Në fund duhet të theksohet, se në disa vende ishte krijuar opinioni që epileptikët nuk duhet të martohen. Ky botëkuptim sot luftohet nga shumica e epiloptologëve më mëdhenj të kohëve tona. Mendimi është se martesa lejohet në përgjithësi dhe epileptikët mund të lindin fëmijë me përjashtim të ndonjë rasti ku ka turbullime mendore ose kriza psikomotore të rrezikshme.
Nga ana tjetër duhet të kihet parasysh që epileptikët të mos punojnë në disa punë të rrezikshme. Ata nuk duhet të punojnë me automjetet si shofer, e traktoristë. Ata nuk duhet të punojnë pranë zjarrit, ujit, makinave, lartësive dhe nuk duhet të merren me sporte shumë të rrezikshme.