20130927lekures |
Lëkura mbulon tërë trupin e njeriut, ndalon sulmet ose dëmtimet e jashtme fizike, mekanike, kimike dhe mikro-organike. Lëkura luan dy role të rëndësishme të mbrojtjes: së pari, parandalon humbjen e ujit dhe kripërave minerale nga trupi; së dyti, parandalon futjen e substancave të dëmshme në trupin tonë.
Lëkura garanton stabilitetin e mjedisit të brendshëm trupor dhe përgjigjet për një pjesë të punës së metabolizmit. Prandaj, shëndeti i lëkurës është një garanci e jashtme për shëndetin e brendshëm të trupit tonë. Përveç kësaj, lëkura e shëndetshme na jep më shumë bukuri dhe na bën tërheqës. Femrat janë shumë të interesuara për metodat që lidhen me shëndetin dhe bukurinë e lëkurës.
Materialet e ndryshme kimike, lëkura e qimet e kafshës, poleni dhe disa ushqime mund të shkaktojnë alergjinë e lëkurës. Mikro-organizimat si bakteret, viruset, parazitët mund të shkaktojnë infeksionin e lëkurës. Ndryshimi i temperaturës dhe ndryshimi i lagështirës së ajrit mund të nxisë sëmundjet e lëkurës.
Ndërkohë ekspozimi i lëkurës për një kohë të gjatë në rrezet e diellit mund të shkaktojë plakjen e saj të parakohëshme si dhe disa lloje sëmundjesh të lëkurës.
Por si mund të parandalojmë sëmundjet e lëkurës ?
Së pari, të jemi të kujdesshëm për të mos transmetuar në lëkurën tonë sëmundje lëkure që i marrim nëpërmjet kontaktit fizik me persona të tjerë. Nëse njihni persona të prekur nga sëmundjet ngjitëse të lëkurës, duhet të mbani distancë prej tyre.
Së dyti, njerëzit me alergji të lëkurës, duhet të përcaktojnë shkakun e alergjisë dhe të shmangin kontaktin me to.
Së treti, të shmanget qëndrimi në kohë të gjatë në diell. Gjatë stinës së verës shumë prej nesh praktikojnë qëndrimin për një kohë të gjatë në plazh, nën rrezet e diellit. Sipas studimeve shkencore, rrezet e diellit në kohë të përshtatshme mund të forcojnë shëndetin e lëkurës, por qëndrimi i gjatë në diell mund të dëmtojë lëkurën tuaj. Pas qëndrimit të gjatë nën rrezet e diellit, lëkura e disa personave pëson enjtje, shfaqen puçrra dhe infeksione të ndryshme që duhet të trajtohen nga mjeku dermatolog.
Tek disa persona të tjerë ekspozimi për një kohë të gjatë në diell gjatë verës shkakton rrjepjen e lëkurës, që përbën një dëmtim kronik të saj.
Sigurisht që nuk mund t'ju sugjerojmë të hiqni dorë nga pushimet verore në plazh, pasi ato përbëjnë një nga argëtimet më të rëndësishme për shqiptarët. Por ju mund ta frekuentoni plazhin tuaj të preferuar gjatë verës duke përdorur krem mbrojtës për diellin, sa herë që bëni banjë dielli. Ju kujtojmë se kremi mbrojtës për diellin do të bëjë efekt 20 minuta pasi keni lyer lëkurën tuaj me të .
Shëndeti i lëkurës tek njerëzit ka dhe karakter psikologjik. Lëkura është jo vetëm një organ i mbrojtjes së trupit, por edhe një "organ psikologjik". Lëkura lidhet ngushtë me sistemin nervor, ndaj shumë elemente psikologjike mund të shfaqen në lëkurë.
Në gjuhën kineze, ka shumë shprehje që përshkruajnë gjendjen shpirtërore, të pasqyruar në lëkurë. Për shembull, kur një person është i gëzuar, "gëzimi i brendshëm ndriçon fytyrën e tij"; kur një person është i frikësuar, "fytyra e tij zbehet"; kur një person është i shqetësuar shumë, kjo shfaqet në fytyrën e tij, kur një person ka turp, "ai skuqet në fytyrë dhe veçanërisht tek veshët".
Rrudhat përfaqësojnë moshën e lëkurës. Disa persona duken më të plakur se moshatarët e tyre, për shkak të rrudhave të shumta në lëkurë. Këto rrudha krijohen si pasojë e stresit, ngarkesave shpirtërore. Stresi harxhon energjinë e jetës dhe lëndët ushqyese që nevojiten në jetën e përditshme. Si rezultat, humbet vitaliteti i qelizave të lëkurës dhe ulet shpejtësia e metabolizmit. Lëkura errësohet dhe rrudhat shfaqen dukshëm. Përveç kësaj, presioni i madh shpirtëror, shkakton tensionim të muskujve të fytyrës që shpejtojnë lindjen e rrudhave.
Nëse rrudhat ndodhen kryesisht në mes vetullave mund të përdorni syze për të çlodhur sytë, pasi muskujt e vetullave dhe të syrit janë tensionuar. Nëse rrudhat ndodhen në ballë dhe janë më të thella se të tjerat, kjo tregon se ndjeni shqetësim për përshtatjen tuaj me ambjentin në përgjithësi dhe veçanërisht të punës. Nëse ju krijohen dy rrudha të thella gjatë qeshjes, ka mundësi që ju qeshni më shumë se sa duhet. Nëse rrudhat ndodhen vetëm poshtë syve, kjo tregon se keni një merak të tepruar për çeshtje parash apo shpenzimet familjare.
Për këto problemet psikologjike që shkaktojnë rrudhat, ju këshillojmë të analizoni më parë arsyet e stresit tuaj. Pastaj, duhet të pranoni që po përballoni vështirësi dhe se keni stres. Më tej, duhet të përpiqeni të ulni tensionin që shkakton stresi.
Për shembull, mos u fiksoni pas një qëllimi të caktuar lidhur me jetën apo punën; përmirësoni mjedisin në shtëpi apo punë me zbukurime, si lule me aromë, foto të bukura; gjeni kohë të pushoni gjatë punës për të lehtësuar shpirtin dhe trupin tuaj; bëni masazhe në fytyrë, qafë dhe supe, pasi kjo eliminon lodhjen shpirtërore dhe të lëkurës. Dhe në fund, mos harroni të shfrytëzoni fundjavën dhe pushimet verore për t'u argëtuar, sepse kështu do të mund të çlironi stresin e grumbulluar gjatë punës.
Në vijim do t'ju paraqesim 6 sugjerime apo metoda të thjeshta që shpërbejnë për të përmirësuar shëndetin e lëkurës.
Së pari, këshillohet një gotë ujë në mëngjes dhe një gotë ujë para gjumit. Një gotë ujë në mëngjes mund të shpejtojë metabolizmin e zorrëve dhe të largojë toksinat nga trupi. Një gotë ujë para gjumit mund të ndihmojë në qarkullimin e mirë të gjakut gjatë natës, duke penguar plakjen e parakohshme të lëkurës.
Së dyti, konsumimi i një domateje në ditë. Domatja përmban vitaminë C, një antioksidant shumë të fuqishëm likopen. Ajo gjithashtu përmban potas, fosfor, kalium, hekur, magnez etj. Domatja përmban edhe antibiotikë bimore si tomatina, e cila shërben në shërimin e sëmundjeve të lëkurës. Lëngu i domates ushtron ndikim të madh në shërimin e plagëve të infektuara si dhe te ulcerave kronike.
Së treti, një gotë ujë e përzjerë me pak uthull për pastrimin e fytyrës. Gjatë pastrimit të fytyrës, mund të përdorni uthullën për nxitjen e qarkullimit të gjakut në lëkurë.
Së katërti, një gotë kos për të plotësuar kalciumin e duhur për lëkurën. Kosi ndihmon shumë për një sere problemesh në shëndet si dhe ndihmon për pasjen e një lëkure të shëndetshme dhe të butë.
Së pesti, një gotë ujë mineral për shëndetin e lëkurës. Uji mineral përmban shumë përbërës të pëlqyer nga lëkura. Mund të mbani një peshqir të lagur me ujë mineral dhe ta vendosni në fytyrë. Pasi të thahet peshqiri përsëriteni këtë metodë.
Së gjashti, një gotë çaji jeshil ose çaji mali për të nxitur metabolizmin e lëkurës. Në fakt, tek çaji gjenden shumë elemente ushqyese të nevojshme për lëkurën. Gjithashtu çaji ndihmon edhe për rënien nga pesha.
(Xu Guang)