PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
A është cigarja elektronike një zgjidhje për të lënë duhanin?
2013-09-03 15:43:17 CRI Komenti juaj Printoni

Për të gjithë ata që duan të lenë duhanin duket se tashmë ka një zgjidhje- cigaret elektronike. Ato janë shpikur në Kinë nga Ruyan, dhe sot tregohen në Europë dhe në SHBA.

-Përmbajtja e cigares

Cigarja elektronike është një mjet elektronik që zëvendëson në mënyrë të përsosur cigaren tradicionale, por me një ndryshim të madh. Kur përdorim cigaren elektronike nuk kemi nevojë për çakmak apo shkrepse dhe kjo cigare nuk përmban nikotinë. Ajo ushqehet me një bateri, në brendësi të cigares ka një dhomëz avullimi dhe një fishek të mbushur me nikotinë të lëngshme. Kur e ndezim nikotina avullon duke u ngjitur deri në mushkëri dhe më pas çlirohet. Shija është thuajse e njejtë me cigaren tradicionale, por nuk prodhon tym sepse nuk ndodh djegia. Për këtë arsye mendohet se rreziku i tumorit është më i pakët.

Nikotina e përdorur në cigaret elektronike ndryshon nga modeli i tyre, pasi ka dhe cigare që kanë të njejtën sasi nikotine si ato tradicionale. Gjithashtu ka dhe cigare elektronike pa asnjë përqindje nikotine. Këto të fundit përdoren nga ata persona që kanë vendosur të braktisin një herë e përgjithmonë pirjen e cigares.

Siguria për shëndetin

Shumë studiues dhe kërkues shkencorë kanë konfirmuar se cigaret elektronike nuk i shkaktojnë dëme shëndetit. Sipas agjencisë amerikane "Food and Drug Administration" nuk ka studime të mjaftueshme për sigurinë e cigareve elektronike. Dyshimet më të mëdha të shkencëtarëve lindin sepse nikotina shkakton varësi psikologjike por edhe fizike. Shumica e prodhuesve të cigareve elektronike nuk e deklarojnë se çfarë përbërësish kimikë përdoren për instrumentin elektronik.

Blerja online e cigareve elektronike

Kjo përbën një rrezik për të miturit. Ndonëse në disa vende europiane përdorimi i cigareve elektronike u ndalohet të rinjve nën 16 vjeç, në SHBA ligji parashikon se për të blerë cigare duhet të jesh mbi 18 vjeç. Por e njëjta normë nuk zbatohet për cigaret elektronike.

Çmimi i e-cigares

Kostoja e këtij prodhimi varion sipas prodhuesit. Në SHBA një pako cigaresh elektronike kushton nga 60 deri në 150 dollarë. Kurse në Itali për cigaret e blera në farmaci çmimi është 100 euro, 90 euro ato blihen online.

Përdorimi

Ndryshe nga cigarja tradicionale një përdorimshe, ajo elektronike ka nevojë për mirëmbajtje. Bateria që siguron funksionimin e saj duhet karikuar rregullisht, me karikues të posaçëm. Edhe lëngu duhet ndërruar vazhdimisht, ose duhet zëvendësuar me një të ri.

Avulli që përftohet nga përdorimi i kësaj cigareje është bërë objekt studimi për rrezikshmërinë e tij ndaj shëndetit. Shumë konsumues të kësaj cigareje moderne kanë patur irritime të syve, hundës apo gojës, si dhe të vjella.

Lidhur me dëmtimin e shëndetit nga këto cigare në një konference të zhvilluar shtatorin e kaluar në Vjenë u evidentua se këto cigare mund të shkaktojnë dëme në mushkërinë e personave që i përdorin ato. Sipas një studimi të Universitetit të Athinës, nga 32 dunahpirës ose jo, përdorimi për një kohë prej 10 minutash i cigares elektronike krijoi spazma të bronkiteve, me një rritje të rezistencës në rrugët e frymëmarrjes prej 206 për qind tek jo-duhanpirësit dhe 220 për qind tek duhanpirësit. Doktoresha Christina Gratziou, kryetare e Komitetit për kontrollin ndaj duhanit në Greqi ERS, ka deklaruar se "Ky studim na ka ndihmuar për të kuptuar se këto prodhime mund të jenë të dëmshëm për shëndetin. Sipas saj duhen vijuar kërkimet për të zbuluar nëse dëmet mund të kenë pasoja afatgjata tek personat që përdorin këto lloj cigaresh.

Përfitimet më të mëdha nga lënia e duhanit

•Brenda 20 minutash presioni i gjakut, rrahjet kardiake dhe temperatura e arterieve normalizohen.

•Që pas 2 orësh nga cigarja e fundit nikotina fillon të eliminohet nga trupi nëpërmjet urinës.

•Pas 8-12 orësh niveli i monoksidit të karbonit dhe oksigjenit normalizohen.

•Pas 24 orësh monoksidi i karbonit eliminohet nga trupi.

•Pas 2 ditësh shqisat e shijimit dhe të prekjes përmirësohen. Gishtat, dhëmbet dhe flokët janë më të pastër.

•Pas 72 orësh frymëmarrja bëhet më e lehtë pas qetësimit të tubit bronkial; rritet kapaciteti i mushkërive: ke eliminuar nikotinën nga trupi yt.

•Pas 1 jave ke më shumë forcë, më shumë energji dhe vë re se ke më tepër frymë, më tepër kohë për veten tënde, të gjitha shqisat, veçanërisht shqisa e shijimit, përforcohen. Edhe lëkura ka një ngjyrë më rozë. Zhduken simptomat e lënies së duhanit.

•Pas 3 javësh puna dhe aktivitetet që zhvillohen duken më të lehta për t'u bërë. Gratë që lënë duhanin përpara shtatzanisë lindin foshnja të një peshe të njejtë me ata të lindur nga nëna jo duhanpirëse.

•Pas 1 muaji, kollitja eliminon substancat e dëmshme. Bie rreziku i infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes.

•Pas 3-6 muajsh, 1/3 e njerëzve (që si pasojë e lënies së duhanit kanë shtuar peshën) rikthehen në peshën e tyre normale.

•Pas 3-9 muajsh: frymëmarrja përmirësohet (më pak kollitje, më tepër frymë). Funksionet e mushkërive rriten me 20-30%. Kolla kronike zakonisht ka tendencën që të zhduket.

•Pas 1 viti: rreziku i sëmundjeve kardiovaskolare, domethënë infarkti ulet ndjeshëm. Kjo për arsye se nikotina shtrëngonte dhe ngushtonte arteriet.

•Pas 5 vjetesh: rreziku i kancerit në kavitetin e gojës dhe në ezofag qëndron ende, por ulet me 50%.

•Pas 10 vjetësh: rreziku për kancer në mushkëri mbetet ende por ulet me 40-50%.

•Pas 15 vjetesh: rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare dhe tumorale, mbeten ende, por ulet në nivelet e joduhanpirësve.

Përse e kemi të vështirë ta lëmë duhanin?

Nikotina që ndodhet në cigare krijon një veti të fortë varësie nga duhani. Personat që rastësisht kanë përdorur dhe alkol dëshmojnë se varësia e

nikotinës është më e madhe. Kur pini duhan, pas çdo frymëmarrjeje, nikotina arrin në tru për 7 sekonda dhe ju bën të ndiheni mirë. Kjo ju bën të kërkoni më shumë nikotinë.

Ata që pijnë duhan kanë zakon të dorës dhe të gojës. Sa më shumë cigare të pini në ditë aq më të forta janë këto zakone.

Dëmet e duhanit shfaqen pas një kohë të gjatë. Për këtë arsye personat që pijnë duhan vazhdojnë të pijnë pa qënë në dijeni të rrezikut.

Ngaqë duhani bëhet një pjesë e mënyrës së jetësës për ata që e pijnë, gjatë ditës kjo shkakton domosdoshmërinë për të pirë edhe kafe apo alkool.

Ka disa mënyra për lënien e duhanit:

Të heqësh dorë me dëshirën e mirë: Një pjesë e të varurëve nga duhani e lenë atë vetë mënjëherë me dëshirën dhe vullnetin e tyre, si pasojë e vendimit që ata marrin.

Me trajtime që janë vertëtuar të jenë ndikuese: Për ata që e kanë të vështirë ta lënë duhanin mënyra më ndikuese e trajtimit është përdorimi i metodave shkencore më këshillën e mjekut. Trajtimet, ndikimi i të cilave është vërtetuar dhe aprovuar, janë trajtimi i nikotinës (çamçakëza nikotinë, sprej më nikotinë për hundët, shiritat ngjitës të nikotinës etj

Trajtime që janë të diskutueshme nga ana shkencore: Hipnoza dhe akupunktura janë metoda të diskutueshme nga ana shkencore.

Përgatituni për lenien e duhanit

• Mos mendoni që nuk mund ta lini duhanin. Mos jini pesimistë.

• Saktësoni një ditë për lënien e duhanit dhe atë ditë të jini të vendosur për ta lenë atë.

• Shkruani arsyet për lënien e duhanit dhe vendosini këto shënime në vende të dukshme, mbajini pranë vetes, varini rreth e rrotull.

• Bëjani të ditur vendimin tuaj familjes dhe shoqërisë dhe kërkoni ndihmë nga ata.

• Në shtëpi dhe në vendin e punës hiqni çdo gjë që ju kujton duhanin (çakmak, duhan, mbajtëse cigaresh). Hiqni cigaret nga çanta dhe xhepi juaj. Mos mbani çakmak me vete.

• Kur të lini duhanin merruni me aktivitete të reja ditore të cilat jua lehtësojnë përpjekjen tuaj. Mund të filloni programe të ushtrimeve fizike të përshtatshme me moshën. Gjëja më e mirë është të ecni. Nëse keni ndonjë hobi apo dëshirë për të bërë dicka lini një pjesë të kohës për këtë.

Po më pas....?

Ditën që ju lini duhanin merruni me diçka që t'ju heqë stresin. Mund të dilni shëtitje, mund të shkoni për të blerë diçka ose mund të bisedoni më shokët tuaj që nuk pijnë duhan.

Kërkoni ndihmë nga familja dhe shoqëria. Kjo do të bëj të mundur që nëse ata pijnë duhan, të mos pijnë pranë jush.

Ditën që keni lënë duhanin mund ta festoni. Mund t'i blini vetes një dhuratë ose mund të beni diçka të veçantë në këtë ditë.

Pini shumë ujë dhe lëngje natyrale frutash pasi të lini duhanin. Nëse çaji dhe kafeja ju kujtojnë pirjen e duhanit është mirë që për një farë kohe t'i pakësoni këto pije.

Nëse zakonet e dorës dhe të gojës ju sjellin vështirësi, mund të luani më një laps ose me një top stresi, ose mund të hani fara të ndryshme. Mund të mbani në dorë një gotë me ujë dhe ta pini sa herë që të keni nevojë për duhanin.

Mundohuni të mos frekuentoni ambjentet ku pihet shumë duhan.

Mundohuni të hiqni dorë për pak kohë nga zakonet ditore që ju kujtojnë duhanin.

Mos iu jepni mundësi personave të tjerë të varur nga duhani të pengojnë përpjekjet tuaja.

Kur dëshira për të pirë duhan ju sjell vështirësi:

Nëse keni durim do të vini re që kur të vijë dëshira për të pirë, ajo do të zgjasë vetëm 3-5 minuta. Është në dorën tuaj ta mposhtni këtë përiudhë:

• Hani pak fruta apo perime që mund të përtypen (karotë, sallatë jeshile,

tranguj).

• Praktikoni ushtrimin e frymëmarjes 10 herë.

• Bëni ushtrime të lehta.

• Nëse doni të pini pasi keni ngrënë, mos rrini gjatë në tavolinë, çohuni mënjëherë dhe lani dhëmbët.

• Nëse jeni duke u marrë me një punë dhe ju vjen dëshira për të pirë, lëreni atë punë për pak kohë dhe merruni më dicka tjetër. Në momente kur keni shumë dëshirë për të pirë mund të merreni me një hobi, mund të dilni jashtë shtëpisë dhe të bisedoni më një mikun tuaj ose të lexoni diçka.

• Asnjëherë mos mendoni "Ç'do të bëhet sikur të pi vetëm një?" . Nëse pini qoftë edhe një cigare, kjo do të shtojë rrezikun për të filluar përsëri pirjen e duhanit.

• Ose mos mendoni "Domëthenë unë mund ta lë, pra nëse dua mund ta kontrolloj këtë gjendje,". Në këtë mënyrë ju gënjeni veten tuaj.

Cilat janë pakënaqësitë që do të keni kur të lini duhanin?

Shenjat e mungesës së nikotinës

Në 2/3-at e personave të varur nga duhani shfaqen shënjat e mungesës së nikotinës dhe janë të përkohshme. Shumica e këtyre shenjave zhduken për 2 ose 3 javë.

Ndonjëherë mund të zgjasin më shumë. Këto shenja janë:

• Të mos jesh i qetë

• Mungesë gjumi

• i/e stresuar

• Vështirësi në përqëndrim

• Të reagosh në mënyrë të tepërt

• i/e nevrikosur

• i/e lodhur

• Dridhje

• Dhimbje koke

• Kapsllëk

• Tharje të gojës

• Hapje oreksi, shtim në peshë

• Kollë, sekrecione

Çfarë mund të bëni në këto raste?

Nëse nuk jeni i qetë, jeni i stresuar apo i nevrikosur mund të dilni shëtitje, mund të merreni me sport, mund të bëni një dush, mund të dëgjoni muzikë.

Nëse keni probleme me gjumin atëherë pas orës 18.00 të mbrëmjes mos pini çaj, kafe dhe pije që përmbajnë kafeinë. Mund të bëni një banjo më ujë të ngrohtë ose mund të pini qumësht të ngrohtë.

Nëse keni dhimbje koke mund të bëni një dush, mund të dilni shëtitje ose të bëni ushtrime fizike të lehta.

Nëse keni tharje të gojës mund të pini ujë ose të përtypni çamçakëz pa sheqer.

Mos harroni këto shenja janë të përkohshme dhe trupi juaj po përpiqet të mësohet pa nikotinë.

Rritja e oreksit dhe shtimi në peshë është një gjë tjetër që ndodh shpesh tek personat që lënë duhanin. Në përgjithësi pritet që të shtohet 3-5 kg në peshë. Kjo nuk duhet t'ju frikësojë. Shumë persona kanë frikë nga kjo dhe e përdorin këtë gjë si një arsye për të filluar përsëri duhanin. Ushqimi i rregullt me kalori të ulët, bërja e ushtrimeve fizike, mospërdorimi i ushqimeve me kalori të lartë do të pengojnë shtimin në peshë ose do të mbajnë nën kontroll shtimin e menjëhershëm në peshë.

Është vënë re se fillimi i ushtrimeve fizike në kohën kur lini duhanin ju ndihmon të mos shtoni në peshë dhe ta ndjeni veten më mirë.

Shenjat që shfaqen nga mungesa e nikotinës e vështirësojnë situatën.

Këto metoda do t'ju ndihmojnë për të mësuar të jetoni pa duhan e për të përmirësuar shëndetin tuaj dhe të shtoni jetëgjatësinë.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China