PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Hunda, filtruesja e ajrit
2013-08-23 15:39:24 CRI Komenti juaj Printoni

Hunda i takon grupit të organeve shqisore që kanë të bëjnë me nuhatjen. Ajo luan shumë role të rëndësishme gjatë frymëmarrjes, si për filtrimin e ajrit, rregullimin e temperaturës dhe lagështisë së ajrit të thithur. Funksionet e frymëmarrjes së hundës lidhen ngusht me shëndetin e njerëzve.

Gjatë frymëmarrjes, hunda shërben jo vetëm për përthithjen e ajrit, por edhe për filtrimin e tij. Kur marrim frymë ajri thithet nëpërmjet zgavrave të hundës. Atje ka disa qime të shkurtra që shërbejnë për të filtruar grimcat e mëdha të pluhurit nga ajri dhe mukusi në muret anësore të zgavrës ngroh dhe njom ajrin përpara se të shkojë në mushkëri.

Kur hyn ajër i ftohtë në zgavrën e hundës, do të rritet qarkullimi i gjakut në arterie. Si rezultat, ajri i ftohtë do të ngrohet me një temperaturë të përafërt me atë të trupit.

 

Në të njëjtën kohë, ajri i thatë do të lagështohet në të.

Fijet nervore të hundës mund të provokojnë teshtimën, kur ngacmohen nga lëndë të ndryshme ose pluhurat e ajrit.

Hunda ka shumë funksione të rëndësishme për shëndetin e njerëzve, prandaj duhet t'i kushtohet vëmendje pastërtisë së saj. Në kohën e pastrimit të fytyrës, duhet të mos ta harrojmë hundën. Kur është ftohtë ose kur ajri është i papastër, duhet ta pastrojmë më shpesh hundën. Gjithashtu për duhanpirësit, pastrimi i hundës është edhe më i rëndësishëm për shëndetin e tyre.

Hunda ka një funksion tjetër shumë të rëndësishëm, nuhatja. Nuhatja shihet si një metodë sinjalizuese për rreziqet e fshehura në ambient. Për shembull, kur ajri është i ndotur, hunda do t'ju sinjalizojë menjëherë.

Përveç kësaj, hunda sinjalizon edhe për përkeqësimin e shëndetit. Për shembull, ftohja apo riniti etj., mund të shkaktojnë humbje të nuhatjes.

Vetëm nëpërmjet vështrimit me vëmendje të hundës, mund të dalin shumë informacione të vlefshme mbi shëndetin:

Së pari, madhësia e hundës: madhësia e saj lidhet ngusht me frymëmarrjen. Hunda e madhe simbolizon frymëmarrje të plotë dhe më shumë oksigjen, por nga ana tjetër nëse ajri është i ndotur do të përthithet një sasi më e madhe e gazrave ndotës.

Në të kundërt, një hundë e vogël përfaqëson frymëmarrje më të dobët. Në një ambient pa oksigjen, personat me hundë të vogël do të kenë probleme me frymëmarrjen.

Së dyti, puçrrat në majën e hundës sipas mjekësisë kineze janë shenjë e dukshme për problemet në sistemin e tretjes. Mjekët sugjerojnë të konsumoni banane, patate të ëmbël, misër dhe ushqime të tjera që ndihmojnë tretjen.

Së treti, maja e kuqe e hundës: kjo shenjë tregon për probleme në mëlçi. Shumë pesona të cilët konsumojnë shumë alkool, do të kenë shenja në hundë. Në fakt, pasi konsumoni shumë pije alkoolike, mëlçia do të sforcohet. Prandaj, enët e gjakut në majën e hundës do të zgjerohen, duke shkaktuar majën e kuqe të hundës. Pijedashësit duhet t'i kushtojnë vëmendje të madhe kësaj shenje të hundës dhe të reduktojnë alkoolin.

Më poshtë do t'ju prezentoj një problem shumë të zakonshëm, gjakderdhje nga hundët apo epistasi. Shumë njerëz e hasin këtë problem pas zgjimit nga gjumi në mëngjes. Ndër sëmundjet që shoqëron shpesh epistasën është hipertensioni. Rritja e presionit të gjakut shoqërohet me hemorragji nga hunda. Kjo për shkak se presioni i gjakut bën që kapilarët e shumtë që përbëjnë mukozën e brendshme të hundës të çahen më lehtë. Kjo shfaqet më tepër te moshat e madha. Por shpesh epistasi mund të shërbejë si sinjal paralajmërues i shfaqjes së hipertensionit. Problemet e hipertensionit nisin me luhatje të tensionit, ulje-ngritje të tij dhe më pas kulmojnë, e pikërisht gjakrrjedhja nga hunda mund të shërbejë si sinjal për të pasur kujdes nga hipertensioni.

Te fëmijët e vegjël, nën 10 vjeç, gjakrrjedhja nga hunda shpeshherë nuk përbën ndonjë problem serioz, për shkak të mukozës së hundës së tyre, që nuk është e plotë. Por, nëse fëmija është i zbehtë, i dobët dhe ka gjakrrjedhje të shpeshtë nga hunda i duhet bërë një vlerësim klinik, sepse mund të jetë shenjë e pranisë së një parazitoze (kryesisht lambies). Parazitët tentojnë të ngjiten lart dhe shkaktojnë të kruara të forta të hundës dhe për pasojë shkaktojnë epistasë.

Ja disa sugjerime për ndalimin e gjakderdhjes nga hunda.

Së pari, duhet të largohet frika dhe personat që kanë këtë simptomë duhet të qetësohen. Presioni mendor mund të shkaktojë hipertension, duke e rënduar më shumë këtë fenomen.

Së dyti, në momentin e gjakderdhjes nga hunda mirë është të qëndroni ulur ose në këmbë dhe jo shtrirë.

Së treti, mund të shtrëngoni hundën nga të dyja anët e saj për disa minuta. Në të njëjtën kohë, mbani një peshqir të lagur mbi ballë dhe në pjesën e prapme të qafës.

Këto janë disa metoda që mund t'ju vlejnë gjatë gjakderdhjes nga hunda. Por, sipas mjekësisë tradicionale kineze, gjakderdhja në hundë është vetëm një shenjë e përkeqësimit të shëndetit. Duhet t'u kushtohet shumë vëmendje për sëmundjet e fshehura prapa kësaj shenje.

Pas përmirësimit të shëndetit, ka të ngjarë që kjo shenjë të eleminohet plotësisht. Po si e shikon mjekësia kineze këtë problem?

Sipas teorisë së mjekësisë kineze, të gjitha sëmundjet lidhen me mosqarkullimin e mirë të energjisë Chi në trup, energji kjo që përbëhet nga dy elemente kryesore "Yin" dhe "Yang".

"Yang" përfaqëson zjarrin, nxehtësinë, ngjyrën e kuqe, forcën, qarkullimin e tepërt të energjisë së brendshme etj.

"Yin" përfaqëson ujin, ftohësinë, zbehtësinë, dobësinë etj. Në fakt, "Yang" dhe "Yin" janë dy koncepte shumë të rëndësishme në filozofinë dhe kulturën kineze, të cilat lidhen ngusht me njëra-tjetrën dhe mund të vetë-transformohen nga njëra-tjetra në çdo kohë.

Për shembull, dita dhe dielli i përkasin "Yang"-ut, nata dhe hëna i përkasin "Yin"-it. Por kur mbaron dita, fillon nata. Kur hëna fshihet, del dielli e kështu me radhë

Le të flasim më konkretisht rreth këtyre dy forcave.

Të gjitha sëmundjet në trupin tonë vijnë nga çekuilibrimi i "Yang"-ut dhe "Yin"-it. Dhe mjekësia tradicionale kineze, nëpërmjet metodave të saj mijëravjeçare ndihmon pikërisht rikthimin e ekuilibrit nëpërmjet këtyre dy forcave.

Përsa i përket epistasës, në veprat klasike të mjekësisë kineze, janë shënuar shumë arsye pse ndodh ky fenomen. Ja disa prej tyre.

Së pari, moti i nxehtë shkakton tepricë "Yang"-u brenda mushkërisë.

Së dyti, ushqimet e kripuara ose tepër pikante dhe sasia e lartë e alkoolit shkaktojnë tepricë të "Yang"-ut në stomak.

Së treti, ndjenjat si zemërimi, shqetësimi dhe inati shkaktojnë tepricë "Yang"-u në mëlçi.

Së katërti, shtimi i tepërt i aktivitit seksual shkakton pakësim të "Yin"-it në veshkë.

Ndër këto, 3 arsyet e para lidhen me tepricën e "Yang"-ut, ndërsa e fundit lidhet me pakësimin e "Yin"-it.

2 arsyet e para vijnë nga faktorë të jashtëm, si koha dhe ushqimi, ndërsa 2 të tjerat vijnë nga faktorë të brendshëm, si gjendja shpirtërore dhe aktiviteti seksual.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China