PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
informacionet e fshehura në sy dhe dhëmbë
2013-07-26 14:41:43 CRI Komenti juaj Printoni

Syri është një organ shqisor shumë i rëndësishëm i trupit tonë. Sipas të dhënave statistikore, 80% e informacioneve të jashtme perceptohen nëpërmjet syrit.

Në gjuhën kineze, ka një fjalë të urtë që thotë se (gjërat që shihen nga syri janë më të besueshme se ato që dëgjohen nga veshi). Përveç kësaj, syri është edhe një pasqyrë për botën e brendshme të njeriut. Syri është një shqisë e rëndësishme, përmes të cilit shpirti në trupin tonë kontakton dhe njeh botën e jashtme materiale.

Para 2000 vjetësh, një mendimtar i madh kinez Mengzi ka thënë se metoda më e mirë për të parë një person, është vërejtja e syrit të tij, për shkak se sytë flasin shumë për botën tonë të brendshme. Nëse dikush ka një frymë e mendime të qarta e të sinqerta, syri i tij do të jetë i ndritshëm; nëse dikush nuk është i sinqertë apo besnik, nuk do të ketë shumë dritë në sytë e tij. Personat e fundit hezitojnë shikimin sy më sy. Prandaj, kur bisedoni me të tjerët, mirë është t'i shihni në sy, sytë e bashkëfolësit do t'ju tregojnë për botën e tij të brendshme të vërtetë.

Bëmë një hyrje rreth rëndësisë që ka syri në përgjithësi për të kuptuar rreth vetive dhe emocioneve të të tjerëve, le të kthehemi tek tema jonë ku flasim për shenjat e përkeqësimit të shëndetit duke parë sytë. Në fakt, sipas mjekësisë tradicionale kineze, ekzaminimi i syve është një lloj analize mjekësore për të mësuar gjendjen psikologjike të të sëmurëve. Siç kemi përmendur më parë që syri mund të pasqyrojë botën e brendshme të njeriut. Por zotërimi i kësaj metode diagnostikimi kërkon përvojë të pasur nga mjeku.

Syri i thatë, paqartësi në shikim: vjen nga mungesa e vitaminës A ose shpërdorimi i tepërt i syrit. Duhet të konsumoni më shumë ushqime me vitamina të pasura, si peshk, arra, bajame, lajthi, karota etj. Përveç ushqimeve, duhet t'i kushtohet vëmendje dhe mbrojtjes së syrit nga papastërtitë e ndryshme, si dhe pushimit të syrit nga lodhja. Këtu do t'ju theksojmë parandalimin e lodhjes së tepërt të syrit, gjëja më e rëndësishme për shëndetin e syrit.

Ushqimet e pasura s'mund ta zëvendësojnë qetësimin e syrit. Në fakt, pushimi ose lehtësimi është një metodë shumë e rëndësishme mjekësore për sëmundje të ndryshme, duke përfshirë edhe problemet me sytë etj. Trupi ynë i ngjan një makine shumë sensitive, e cila lëshon sinjale të ndryshme për shqetësime apo sëmundje të ndryshme. Në mesin e këtyre sinjaleve, veçojmë lodhjen. Lodhja është një shenjë shumë e dukshme që kërkon pushimin e duhur. Sipas mjekësisë tradicionale kineze, këto shenja trupore janë "kërkesat" që lëshohen nga trupi. Nëse i dëgjoni dhe i zbatoni plotësisht urdhrat e trupit, jo vetëm që nuk do të vuani nga sëmundjet, por edhe nëse jeni i sëmurë do keni mundësi ta kapni atë në fazat e para. Thatësia e syrit dhe paqartësia e shikimit janë shenjat e dukshme të lodhjes së syrit. Prandaj, ne duhet të dëgjojmë "fjalët" e syrit, që thonë se tani është koha për pushim.

Qepalla shumë e bardhë: Qepalla apo kapaku i syrit ka funksionin e mbrojtjes së syrit. Ngjyra e qepallës duhet të jetë rozë dhe me dritë. Nëse ngjyra e saj është shumë e zbehtë, kjo është shenjë e anemisë, e cila mund të lehtësohet nga përmirësimi i ushqimeve. Përveç kësaj, duhet të gjeni arsyet që shkaktojnë aneminë. Në programet e kaluara, folëm për dy shenjat e anemisë, ngjyra e bardhë e fytyrës dhe ngjyra shumë e zbehtë e gjuhës. Sot folëm për shenjën e 3-të të anemisë, qepalla shumë e zbehtë.

Ngjyra e zbehtë e fytyrës, e gjuhës dhe e qepallave tregojnë se gjaku nuk qarkullon si duhet ose ka mungesë gjaku në trup.

Venitja e qepallës: kjo është gjithashtu një shenjë e lodhjes së syrit. Nëse kjo shenjë nuk lehtësohet pas pushimit, duhet t'i kushtoni vëmendje të madhe asaj, pasi mund të jetë sinjal i ndonjë sëmundjeje serioze, myasthenia gravis-sëmundja e lodhjes së muskujve, një sëmundje e rrallë neurologjike, e cila karakterizohet me një ligështim të muskulaturës.

Venitja e qepallës është shenja e fazës së parë të kësaj sëmundje. Nëse ndiheni të pafuqishëm, duhet të shkoni për një kontroll të mëtejshëm mjekësor.

Në pjesën tjetër të programit të sotëm do të trajtojmë dhe shenjat e tjera që flasin për shëndetin, e një nga këto janë dhe dhëmbët.

Edhe dhëmbët janë një organ tepër i rëndësishëm në trupin tonë që na ndihmojnë për përtypje të drejtë të ushqimeve. E gjithë energjia që duam ne, vjen nga tretja e ushqimit. Të gjitha ushqimet që tretim ne, duhet të përtypen si duhen. Çdo person duhet ta bluajë mirë ushqimin me dhëmbë para se ta përtypë, pasi nëse ndodh e kundërta atëherë stomakut do t'i duhet të bëjë një punë të dyfishtë për tretjen e ushqimit e për të gjitha këto arsye shëndeti i dhëmbëve është thelbësor.

Sot do të flasim rreth një shenje shumë të zakonshme të dhëmbëve: gjakderdhje e mishit të dhëmbëve gjatë pastrimit me furçë dhëmbësh dhe konsumimit të ushqimit. Nëse keni edhe shenja të tjera ku hasni enjtje të mishit të dhëmbëve apo një ndryshim në ngjyrën e tij, këto shenja simbolizojnë një sëmundje shumë të zakonshme të dhëmbëve, periodontitis.

Sëmundjet e mishit të dhëmbëve janë inflamimi i indeve që rrethojnë dhëmbët e pllaka dentare është shkaku kryesor për lindjen e këtyre sëmundjeve. Kjo pllakë përmban disa lloje bakteriesh të cilat shumohen me zhvillimin e sëmundjeve periodontale.

Periodontitis ndodh nëse gingivitis apo inflamimi i mishit të dhëmbëve, keqësohet drejt indeve mbështetës të dhëmbëve dhe përbëjnë rrezik për humbjen e dhëmbëve sidomos tek moshat e vjetra.

Përtypja jo e mirë e ushqimit shkakton mostretjen si duhet në stomak, duke shtuar punën e ngarkesën e stomakut dhe të zorrëve. Këto ngarkesa të tepërta në organet tretëse mund të ndikojnë seriozisht në zhvillimin e problemeve apo shkaktimin e sëmundjeve të stomakut dhe të zorrëve.

Pra, problemet me mishin e dhëmbëve shkaktohen nga bakteriet në pllakën dentare, nga gingivitis etj, por edhe nga dëmtimi i dhëmbëve gjatë konsumimit të ushqimeve të forta. Sipas mjekësisë tradicionale, dhëmbët pasqyrojnë gjendjen shëndetësore të veshkës. Nëse qarkullimi i lëngjeve të brendshme në veshkë është i parregullt, atëherë dhëmbët do të kenë probleme.

Pastrimi i dhëmbëve me furçë është metoda më efektive për ta ruajtur pastërtinë e dhëmbëve. Sot do të diskutojnë edhe për përzgjedhjen e furçës së duhur të dhëmbëve. Në fakt, kinezët nisën përdorimin e furçës së dhëmbëve qysh nga viti 959. Tani në treg, mund të gjeni një larmi të madhe furçash. Një furçë dhëmbësh cilësore e përshtatshme mund të pastrojë mirë mbetjet e ushqimeve në gojë si dhe bakteriet, duke mbrojtur shëndetin e dhëmbëve.

Fijet e furçës janë të ndryshme tek mosha të ndryshme, psh tek fëmijët, të moshuarit dhe ata të cilët vuajnë nga periodontitis këto fije duhet të jenë të buta për të mos shkaktuar dhimbje apo probleme të tjera.

Përveç përzgjedhjes së një furçë të përshtatshme për dhëmbët tuaj, duhet t'i kushtoni vëmendje dhe afatit të përdorimit të furçës, mirë është që furça e dhëmbëve të ndryshohet çdo 3 muaj.

Kërcitja e dhëmbëve. Në shumë vepra klasike të mjekësisë tradicionale kineze, janë shkruar shumë informacione mbi kërcitjen e dhëmbëve. Kjo metodë e thjeshtë mund t'i forcojë dhëmbët tuaj. Efekti i kësaj metode tradicionale kineze është vërtetuar nga mjekësia moderne, e cila pranon se kërcitja e dhëmbëve mund të shkaktojë një sërë ndikimesh fiziologjike brenda gojës, të cilat mund të forcojnë imunitetin e dhëmbëve dhe mund të pastrojnë dhëmbët, duke parandaluar sëmundjet e ndryshme të dhëmbëve. Kjo metodë është shumë e thjeshtë: çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje bëni kërcitjen e dhëmbëve disa herë, por mos ushtroni forcë. (Xu Guang/Albana)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China