Joga është një sistem gjithëpërfshirës për zhvillimin fizik, mendor dhe shpirtëror. Për zhvillimin fizik, joga, ofron një seri pozicionesh të quajtura "Asana të jogës"...
Asanat përbëhen nga lëvizje të ngadalta, të përmbajtura dhe nga pozicione të ndryshme statike. Gjatë praktikimit të asanave, trupi ndodhet në një gjendje të qetë, efikasiteti dhe frymëmarrja e thellë e cila shoqëron në mënyrë të natyrshme asanat, sjell më shumë oksigjen në qarkullimin e gjakut.
Është e mundur që të evitohen ose të shërohen shumë sëmundje të trupit dhe të mendjes, duke bërë një jetë të shëndetshme. Një pjesë e rëndësishme e jogës është ndjekja e disa rregullave të thjeshta të dietës dhe shëndetit. Pra Joga na ndihmon për rritjen e elasticitetit te trupit, përmirësimit të frymëmarrjes, pakëson stresin dhe ndikon pozitivisht në shëndetin në përgjithësi.
Lloji më i përdorur i Jogës është Hatha Joga, që përfshin ushtrime për frymëmarrjen dhe ushtrime fizike. Edhe pse ka disa lloje joga-sh, të gjitha kanë të njëjtin qëllim, jo vetëm përmirësimin e shëndetit mendor dhe fizik, por edhe arritjen e një "uniteti" te shpirtit dhe trupit.
Eshtë vërtetuar shkencërisht që Yoga përveç rritjes së përqendrimit ndikon edhe në humorin e mirë. Praktikantët e saj kanë pohuar që ndjehen më të lumtur pas orëve të Joga-s. Së fundmi janë hedhur hipoteza që efektet pozitive mund të jenë edhe për çrregullimet e humorit, duke rritur nivelin e oksigjenit në tru.
Joga mund të ndryshojë jetën tuaj. Nëse jeni duke praktikuar joga, por
doni të mësoni më shumë rreth saj, ju e dini tashmë se cilat janë potencialet e jogës. Nëse vuani nga ndonjë sëmundje, praktikimi i jogës mund t'ju bëjë të ndiheni më mirë. Edhe nëse vuani nga depresioni apo
ankthi, apo keni ndjesi lodhjeje gjatë gjithë kohës, joga mund të jetë çelësi për shërimin tuaj. Për ata që kanë probleme kronike me shëndetin
si artrit, diabet, etj, praktikimi i rregullt i jogës mund të ndihmojë në përmirësimin e cilësisë së jetës. Studimet e fundit kanë treguar se kjo teknikë është ideale për problemet me tensionin, dhimbjet e kokës etj, pasi pozicionet apo qëndrimet dhe teknikat e frymëmarrjes sjellin lehtësim. \
Ky sistem gjithëpërfshirës mund të zvogëlojë stresin, rrit fleksibilitetin, përmirëson ekuilibrat në trup, na bën më të fortë, ul tensionin e gjakut, forcon kockat, përmirëson sistemin imunitar, relakson dhe qetëson mendjen dhe promovon mirëqenie shpirtërore.
Kur praktikojmë joga ne bëjmë punë shpirtërore dhe ajo ndikon
në organizmin tonë. Bëjmë "streching" që na ndihmon për të forcuar muskujt dhe të gjitha këto ndihmojnë sistemin tretës, qarkullimin e gjakut dhe frymëmarrjen. Sistemi nervor gjithashtu forcohet gjatë ushtrimit të jogës. Ne kultivojmë paqen e mendjes dhe kjo ndikon në sistemin nervor, sistemin imunitar, dhe atë kardiovaskular. Nga një këndvështrim terapeutik, ajo është si një pasqyrë për përmirësimin e funksionimit të çdo organi apo sistemi.
Në vitet 1983-1984, klinika me bazë në Londër "Yoga Biomedical Trust",
drejtuar nga profesori Robin Monro anketoi 2700 persona, shumica e tyre ishin të moshës 31-60 vjeç të cilët e përdornin jogën për efekte terapeutike. Pjesëmarrësit duhet ta kishin praktikuar jogën për të paktën dy orë në javë për një vit ose më gjatë. Nga anketimi rezultoi se 98 për qind e pjesmarrësve që vuanin nga dhimbja e mesit pranuan se joga i ka ndihmuar shumë në jetë. Gjjithashtu, 90 për qind e pacientëve me kancer, 82 për qind e personave që vuanin nga pagjumësia dhe 100 për qind e të personave të varur ndaj alkoolit pranuan se joga i ka lehtësuar shumë.
Të pavërtetat rreth jogës
Disa njerëz e shmangin praktikimin e jogës pasi mendojnë se ajo është vetëm për ata të cilët kanë një trup elastik. Ata mendojnë se kjo praktikë është vetëm për të rinjtë e ata që janë të fortë dhe me trup atleti. Në fakt kjo ide mund të jetë shkaktuar nga fotot e revistave apo imazheve të ndryshme, reklamave mbi jogën etj, ku shfaqen persona të rinj e me trup elastik. Pra, joga është për të gjithë ata të cilët duan ta ushtrojnë si të rinj ashtu edhe të vjetër, si të sëmurët dhe të dobtit ashtu edhe ata të shëndetshmit.
- Joga nuk është ... VETËM PËR ATA QË JANË TË SHËNDETSHËM
Në Indi, joga sot praktikohet nga të gjithë si ata me problemet mendore, dhe emocionale: të moshuarit, personat me sëmundje kronike, ata me depresion etj. Joga është përdorur me sukses nga fëmijët me sindromin Down dhe ata me autizëm. Ata të cilët janë të detyruar të qëndrojnë në shtrat ose karrige me rrota mund të bëjnë joga të modifikuar. Shumë persona sot nga e mbarë bota kanë dëshmuar se nëse do ta bëni jogën një praktikë të rregullt në jetën tuaj, ju do të rrisë shanset për t'u ndjerë më mirë dhe më të lumtur në jetë. Nga vëzhgimet e shumta ka rezultuar se për ata persona me probleme shëndetësore të cilët po marrin trajtim me medikamente, pas përdorimit të jogës u vu re që disa nga ilaçet u bënë plotësisht të panevojshëm për përdorim.
Disa praktikues të tjerë që vuanin nga artritit reumatoid ose
Diabeti i tipit 2janë shëruar plotësisht vetëm nga përdorimi i rregullt i kësaj praktike.
-Yoga nuk është ... NJË FE
Yoga nuk është një fe. Edhe pse joga e ka zanafillën nga India e lashtë nuk është një formë e hinduizmit. Në fakt, joga është praktikuar nga të krishterët, hebrenjtë, budistët, ateistët etj. Meditimin, të cilën shumë njerëz e konsiderojnë efektiv për një sërë problemesh, e ka origjinën nga joga dhe mbetet një pjesë integrale e saj. Edhe pse meditimi është menduar shpesh si një praktikë budiste, Buda vetë ishte një Yogi.
Joga na ndihmon në eleminimin e kaosit mendor, duke na shtuar përqëndrimin e rrjedhimisht duke lejuar që t'i shohim gjërat më qartë.
Yoga më të vërtetë është një ilaç i fortë, por është i ngadalshëm. Mos prisni që të shëroheni brenda natës me joga, Roma nuk u ndërtua për një ditë.
Megjithatë duhet të kihet parasysh se joga nuk është trajtimi i duhur për problemet akute si kockat e thyera, infeksionet madhore ose urgjencat kirurgjikale. Me praktikë të qëndrueshme, sidomos gjatë praktikimit të asanave dhe teknikave të frymëmarrjes të njohura si Pranayama, përmirësohet puna e mushkërive, e funksionit të zorrëve, gjendrave limfatike, funksioni i sistemit imunitar, kthehet ekuilibri dhe bëhemi më të fortë për të përballur sfidat e jetës.
Vipat që praktikojnë joga
Eva Mendes
"Të bësh yoga këtu në Hollivud, është një modë e vërtetë së cilës (thuajse) askush nuk i reziston dot. Pastaj, duke pasur një klimë kaq favorizuese, nuk është aspak e çuditshme të shohësh njerëz në mes të lëndinave në pozicione të çuditshme të meditimit. Mua më pëlqen shumë yoga, është një mënyrë për t`u stërvitur që ndihmon shumë edhe mendjen, edhe shpirtin, ndaj përpiqem ta ushtroj të paktën dy herë në javë"
Demi Moore
Demi Moore kohët e fundit është parë në formë të shkëlqyer fizike.
Klasat e jogës, mund të kenë luajtur një rol të rëndësishëm në rikuperimin fizik të Moore, e cila është shndërruar në një frekuentuese e rregullt e klasave të jogës e meditimit. Mendohet se suksesi i fizikut të saj qëndron ke kjo praktikë. Joga i "zhduk" 50 vitet.
Gisele Bundschen
Ajo është shprehur në intervistë se bënte joga dhe kung-fu deri dy javë para lindjes: "Mendoj se shumë femra vendosin të bëhen si fuçi pasi bëjnë fëmijën e parë. Unë kam ndjekur një program shumë strikt për të ruajtur formën."
Meg Ryan
Ajo është një nga aktoret më të mira në historinë e kinemasë dhe shprehet se yoga e ka ndihmuar në ngritjen shpirtërore. Ryan praktikon më shumë meditimin pasi e ndihmon në rritjen e përqendrimit. Ajo shton se kjo praktikë e ka ndihmuar të arrijë ekuilibrin në jetën e saj..
Jennifer Aniston
Yoga e ka ndihmuar Jennifer Anistonin të lërë duhanin, por edhe për të tonifikuar trupin. Gjithashtu ajo shprehet se joga e ka ndihmuar të relaksohet pas një dite të lodhshme pune.
Ricky Martin
Ricky Martin pranon se joga i ka mundësuar atij relaksim dhe qetësi shpirtërore. Ai e praktikon atë në shtëpi dhe shton se joga e ka ndihmuar të kuptojë më mirë mendjen dhe trupin e tij, duke e ndaluar të ndërmarrë vendime të gabuara.
Sting
Këngëtari i famshëm britanik Sting shprehet se e nisi jogën pak vonë. Megjithatë ai thekson se kjo praktikë i ka ngadalësuar procesin e plakjes. Ai praktikon rregullisht joga, pasi ajo i përmirëson nivelin e energjisë dhe mirëqënien shpirtërore.
Lista e vipave që praktikojnë joga nuk përfundon këtu, ndër mesin e tyre janë Madona, Jennifer Lopez etj.