Diabeti është një sëmundje kronike, që ndodh kur pankreasi nuk prodhon insulinë të mjaftueshme ose kur trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën, duke çuar në nivele të larta të glukozës në gjak (hiperglicemi).
Ka tre lloje kryesore diabeti:
Diabeti i tipit 1 (i quajtur "diabet i varur nga insulina") shkaktohet nga mosprodhimi i insulinës.
Diabeti i tipit 2 (i quajtur "diabet i pavarur nga insulina") vjen ngaqë trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën. Njerëzit që janë mbipeshëose nuk kryejnë veprimtari fizike vuajnë shpesh nga ky tip diabeti.
Diabeti i shtatzënisë, i shkaktuar nga sheqeri i lartë në gjak gjatë shtatzënisë.
1. Përdorimi i përditshëm i bulmetit
Rezultatet e hulumtimeve të fundit të publikuara nga revista "Vitaminat" tregojnë se femrat që hanë më shumë bulmet me yndyrë të ulët vuajnë më pak nga diabeti i tipit 2. Studiuesit mendojnë se një proteinë në bulmet mund të rritë sekretimin e insulinës. Një shumëllojshmëri ushqyesish, si vitamina D, kalciumi dhe magnezi, mund ta ulin rrezikun e diabetit. Përveç kësaj, femrat që hanë shumë bulmet mund të hanë më pak ushqime të tjera, si ëmbëlsirat, të cilat shtojnë rrezikun e prekjes nga diabeti.
2. Të hamë më shumë drithëra dhe fruta
Sipas një studimi të fundit të Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë në Universitetin e Kembrixhit, përdorimi i drithërave të ndryshme është masa më efikase për parandalimin e diabetit.
Po ashtu, pas kërkimeve të shumta, studiuesit zbuluan se njerëzit që hanë shumë fruta sëmuren 21 % më pak nga diabeti se ata që hanë pak. Njerëzit që hanë 16 lloje ushqimesh të ndryshme, kanë 40 % më pak mundësi të sëmuren nga diabeti.
3. Trajtimi duhet të mbështetet në gjendjen individuale
Trajtimi i diabetit duhet të ndryshojë nga personi në person. Sipas udhëzimeve të fundit të publikuara nga Shoqata Amerikane e Diabetit dhe Shoqata Evropiane për Studimin e Diabetit, treguesit e sheqerit në gjak varen nga mosha, gjendja shëndetësore dhe ndërlikimi i sëmundjeve të pacientëve me diabet. Sidoqoftë, nëse niveli i sheqerit në gjak tre muaj pas trajtimit ende nuk mund të mbahet nën kontroll në mënyrë efektive, duhen shtuar barna të tjera.
4. Ruajtja nga produktet plastike
Rezultatet e një studimi me më shumë se 1 000 veta në Suedi zbuluan që, kur gjaku përmban një kimikat të quajtur ftalat, mundësia për t'u prekur nga diabeti është dy herë më e madhe. Ftalati gjendet në një numër të madh produktesh, si në materialet e ndërtimit, veshje, kozmetikë, ambalazhet e ushqimit, lodra, parfume etj.
5. Pushimi duke ndenjur më këmbë
Nëse qëndrojmë ulur për një kohë të gjatë në punë, duhet të ngrihemi dhe të bëjmë ushtrime ose të bisedojmë me kolegët. Studimet me njerëz në moshë të mesme dhe me peshë të madhe treguan se, në krahasim me kolegët e tyre që qëndrojnë palëvizur gjatë punës, ata që ngrihen dhe lëvizin rreth dy minuta pasi kanë ndenjur ulur 5 orë rresht në punë, mund të kontrollojnë më mirë glukozën pas darkës dhe nivelet e insulinës.