Një stil jete i karakterizuar nga mungesa e jetës aktive fizike është po aq i dëmshëm sa duhani dhe provokon një numër po aq të lartë vdekjesh. Sipas një studimi të publikuar në revistën Lancet, jeta sedentare shkakton 5,3 milionë vdekje në vit. Kjo është ekuivalente me rreth 1 vdekje në 10, e barabartë me vdekjet që shkaktohen nga mosfunksionim i zemrës, diabeti, kanceri i gjirit, kolonës etj.
Studimi, 50% e popullsisë në Shqipëri është mbipeshë
Mungesa e aktivitetit fizik, por edhe rritja e mirëqenies në familjet shqiptare, ka bërë që të dhënat për personat mbipeshë dhe obezë të kapin shifra alarmante.
Sipas studimit demografik dhe shëndetësor në Shqipëri, rezulton se vetëm 46% e meshkujve dhe 58% e femrave kanë treguesit e masës trupore brenda normës së lejuar, ndërkohë që pjesa tjetër paraqesin probleme. Në studim u përfshinë meshkujt dhe femrat e moshës 15-49 vjeç dhe u mblodh informacion mbi gjatësinë dhe peshën e tyre, ndërkohë që pas përpunimit të të dhënave u bënë klasifikime sipas vendbanimit, rajonit, arsimit dhe indeksit të pasurisë. Pas përpunimit të tyre rezultoi se 39% e femrave në moshën 15-49 vjeç në vendin tonë janë mbipeshë ose obese.

Nga të dhënat e studimit rezulton gjithashtu se femrat që jetojnë në rajonin bregdetar paraqesin shifrat më të larta të obezitetit, me 44.5%. Në studim u përfshinë edhe meshkujt dhe nga përpunimi i të dhënave rezultoi se 53,3 % e meshkujve në moshën 15-49 vjeç janë mbipeshë ose obezë. Për sa i përket grupmoshës, moshat 30-39 vjeç paraqisnin të dhënat më problematike, me 69 %.
Sipas një studimi europian, i publikuar në revistën "Preventive Medicine", tregon se në fundjavë, të rinjtë dembelosen më shumë, duke pasur bashkëpunëtorë të mirë televizorin dhe kompjuterin. Në përgjithësi, një e treta e adoleshentëve shohin të paktën dy orë televizor në ditë, ndërsa në fundjavë ky orar trefishohet. Jeta sedentare nuk ndihmon për një shëndet të mirë, tregon një tjetër studim i kohëve të fundit, i publikuar në revistën "Medicine and Science in Sports and Exercise", nga i cili del se ekziston një lidhje shumë e ngushtë mes orëve të kaluara para ekranit dhe shëndetit kardiometabolik.
Adoleshentët sedentarë
Të dhënat e reja janë mbledhur në studimin më të madh europian të quajtur "Helena". Autorët, të udhëhequr nga Juan P. Rey-López i Universitetit të Saragozës, analizuan me kujdes sjelljet sedentare në më shumë se 3200 adoleshentë në dhjetë qytete europiane, mes të cilave Athina, Roma, Stokholmi, Vjena dhe Saragoza. Të rinjve iu kërkua që të tregonin kohën që shpenzonin çdo ditë para televizorit, me videolojërat, gjatë navigimit në internet, përveç asaj që kalonin duke bërë detyrat. Por jo vetëm kaq. Ekspertët vlerësuan edhe disponueshmërinë për kompjuterët, televizorin apo videolojërat në dhomat e gjumit dhe shtëpinë e të rinjve. Nga ky studim doli se në fundjavë, të rinjtë i "përkushtohen" sjelljeve sedentare dhe pajisja e televizionit në dhomë me siguri që nuk të ndihmon.
Meshkujt dhe femrat
Kërkuesit kanë evidentuar edhe diferencën në aktivitetet sedentare që pëlqejnë më shumë meshkujt apo femrat: studimi dhe kërkimi në internet rezultuan "mjeti" i parapëlqyer nga femrat për të kaluar kohën, ndërsa djemtë preferojnë më shumë lojërat elektronike.

Rreziqet
Tashmë është më se e qartë se një stil jetese sedentar nuk i bën mirë shëndetit dhe studimi i publikuar në revistën "Medicine and Science in Sports and Exercise" nxjerr në dritë të tjera fakte, duke treguar për një lidhje të fortë mes orëve të kaluara duke parë televizior dhe shëndetit kardiometabolik.


















