Organizata Botërore e Shëndetësisë zhvilloi të enjten në selinë e vet në Gjenevë një konferencë shtypi mbi epideminë e pneumonisë së koronavirusit të ri. Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus i njohu mediat me punën e ekipit të përbashkët të inspektimit të ekspertëve nga OBSh-ja e Kina dhe përbërjen e ekspertëve të institucioneve ndërkombëtare, duke bërë thirrje për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha për mediat se të dhënat tregojnë se numri i rasteve të reja të konfirmuara të pneumonisë së koronavirusit është zvogëluar:
"Të dhënat nga Kina vazhdojnë të tregojnë një rënie të rasteve të reja të konfirmuara. Ne jemi të inkurajuar nga kjo prirje, por nuk është koha të vetëkënaqemi".
Ghebreyesus vuri në dukje se OBSh-ja është në pritje të rezultateve të dy provave klinike. Njëra prej tyre është kombinimi i dy barnave kundër HIV-it, lopinavir dhe ritonavir, kurse tjetra e ilaçit antiviral ribavirin. Rezultatet paraprake priten brenda tre javësh. Tedros Adhanom Ghebreyesus-i paraqiti gjithashtu edhe situatën e ekipit të përbashkët të inspektimit të ekspertëve OBSh-Kinë, që po punon në Kinë. Ai tha se grupi ndërkombëtar i ekspertëve i udhëhequr nga OBSh-ja përbëhet nga ekspertë kryesorë të fushave të ndryshme nga Kina dhe nga mbarë bota, përfshirë ekspertë të huaj nga Rusia, Shtetet e Bashkuara, Japonia, Koreja e Jugut, Singapori, Gjermania dhe Nigeria.
"Ekipi ndërkombëtar i ekspertëve i sponsorizuar nga OBSh-ja është duke punuar në Kinë me homologët kinezë për të gjetur përgjigje për gjërat të cilat nuk i dimë ende, duke përfshirë forcën infektuese të virusit dhe rolin e masave të marra nga Kina. Grupi i ekspertëve përfshin specialistë të epidemiologjisë, virologjisë, menaxhimit klinik, kontrollit të epidemisë dhe shëndetit publik. Siç e dimë të gjithë, bashkëpunimi global është kryesor për të luftuar shpërthimin. "
Tedros Adhanom Ghebreyesus-i theksoi se, përveç grupit ndërkombëtar të ekspertëve, OBSh-ja ka krijuar edhe një Ekip të Menaxhimit të Krizave për të koordinuar përgjigjen e sistemit të OKB-së. Në fund, Ghebreyesus-i theksoi edhe një herë rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit ndërkombëtar në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë: "OBSh-ja po bën çdo përpjekje për të shfrytëzuar hapësirën e mundësive, dhe ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bëjë të njëjtën gjë. Siç e thashë më parë, duhet të përdorim hapësirën e mundësive që kemi tani për t'iu përgjigjur epidemisë në çdo vend." (Vera)